OPINION

Ekonomia e luftës: blini grurë!

08:18 - 28.02.22 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Sipas INSTAT, 46 përqind të grurit që importojmë e marrim nga Rusia, ndërsa nga Ukraina 4 përqind. Pra, me invazionin e Rusisë në Ukrainë, gjysma e grurit nuk do të na vijë më nga këto shtete në luftë. Rusia është eksportuesi më i madh i grurit në botë, me 21 përqind të sasisë së shitur. Ajo eksportoi 35 milionë tonë grurë në nivel global në vitin 2021. E dyta eksportuese më e madhe e grurit është Australia dhe e treta Ukraina me 4 përqind në 2021-in. Të dyja vendet japin një të katërtën e grurit të shitur në botë. Kanalet e furnizimit me Rusinë u bllokuan sapo filloi lufta. Me të dyja vendet të pamundura për të shitur drithë, çmimet e grurit dhe të miellit në tregjet botërore do të rriten në pak ditë me 20-30 përqind. Ndoshta dhe më shumë. Vetëm të premten më 25 shkurt, çmimi i një toni grurë u rrit me 5 përqind brenda ditës në tregjet ndërkombëtare! Të pestë kompanitë importuese të grurit dhe miellit, si dhe prodhuese të miellit tek ne, për shkak të rezervave, ende nuk e kanë ngritur çmimin e një kg miell. Por nuk do të kalojë shumë dhe do të jenë të detyruara ta ngrenë. Ç’duhet bërë? Qeveria duhet të bëjë marrëveshje me kompanitë që të blihen urgjentisht sasi të mëdha gruri në tregjet botërore. Qeveria të japë para nga Buxheti i Shtetit dhe kompanitë t’i blejnë në emër të saj dhe t’i mbajnë gjendje në silloset e tyre po në emër të saj. Silloset, çdo kapacitet mbajtës gruri duhen mbushur 100 përqind tek ne. Sot po blejnë të gjithë grurë në tregun botëror, me një nxitim sikurse u zbrazën supermarketet sapo ra masivisht pandemia në mars-prill 2020. Duhet të nxitojmë fort edhe ne. Por, a po nxitojmë? Nuk duken shenja se po veprojmë në kohë. Ne nuk duhet të blejmë në momentin e fundit, kur të na mbarohen rezervat që kemi, pse çmimi i një toni grurë mund të shkojë edhe 40 përqind më i shtrenjtë brenda pak ditëve nga sot. Nga ana tjetër, Rusia është një furnizues i madh i botës edhe me naftë dhe gaz natyror. Me gaz natyror është furnizuesi numër një. Brenda katër ditëve nga data 24 shkurt, kur Rusia sulmoi Ukrainën, çmimi i naftës në tregjet botërore ka shkuar në 105 dollarë fuçia, nga 92 dollarë që ishte përpara ndërhyrjes ushtarake. Një rritje prej 14 përqind! Nuk ndihet në tregun tonë tani, ngaqë kompanitë grosiste importuese kanë rezerva edhe për të paktën 9-10 ditë të tjera. Por nëse konflikti zgjat, mund të jemi të detyruar ta blejmë edhe 250 lekë litri naftën! Qeveria duhet të bëjë ç’është e mundur, që edhe për naftën, njëlloj si për grurin, të bashkëpunojë me kompanitë kryesore importuese, që të mbushim tankerat 100 përqind. Edhe me këtë çmim të rritur 14 përqind. Ky çmim i sotëm është gjithnjë më i lirë se sa i ditëve të ardhshme, nëse lufta vazhdon. Dhe për fat të keq, cari i ri rus nuk duket se ka ndërmend të tërhiqet nga Ukraina. Prandaj duhet blerë. Gazi natyror gjithashtu pritet të rritet akoma dhe më shumë. Jemi të rrethuar si ekonomi(jo vetëm ne) nga të gjitha anët nga çmimet në rritje dyfish, nga pandemia dhe nga lufta në Ukrainë. A mos duhet të bëjmë si bëri Maqedonia e Veriut, që i ngriu çmimet e ushqimeve bazë dhe të karburanteve në nentor 2021? Sidoqoftë, është e domosdoshme që qeveria të përgatisë skenarë të masave emergjente për të mbrojtur shtresat më të varfëra të popullsisë sonë nga kjo rritje e pashmangshme e çmimit të bukës, në rradhë të parë. Sepse i varfri aty e ka shpenzimin më të madh. Ai nuk përdor makinë. Pastaj mbrojtje duhet dhënë nga qeveria edhe për të gjitha çmimet e tjera bazë për familjet në nevojë dhe familjet pensioniste. Sepse nga rritja e naftës dhe gazit natyror, të gjitha produktet dhe shërbimet do të rriten më shumë nga ç’na u shtuan në periudhën shtator 2021-janar 2022. Kjo nënkupton sakrifica të tjera në buxhetin e Shtetit, por qeveria duhet të jetë gati dhe nuk mund të ngurrojë për këto masa. Nuk duhet kurrsesi të mendojë se duhet t’i marrë masat, kur çmimet të kenë shkuar në zenit, pse do të jetë tepër vonë. Atëhere do të jetë tepër vonë për të blerë grurë të rritur me 60 përqind dhe naftë të rritur me 35 përqind. Nëse duhet blerë, është pikërisht në këto ditë. Për të bërë të mundur të rezistojmë të paktën dy muaj pa rritje dramatike çmimesh. Aq sa i kemi aftësitë(magazinat, silloset, tankerat) tona të kufizuara për të magazinuar grurin dhe naftën.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.