EKONOMI

Ndërtimi arrin në 670 milionë euro investime, 40% rritje

19:50 - 01.03.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Volumi i investimeve të reja të planifikuara në ndërtim arriti në një rekord shumëvjeçar gjatë vitit 2021, ku 70% kishin për destinacion ndërtimin e apartamenteve.




Volumi i investimit të kërkuar për të realizuar projektet ndërtimore të pajisura me leje gjatë vitit të kaluar shënoi një rekord të ri shumëvjeçar në kuotën 80 miliardë lekë (670 milionë euro) gjatë vitit të kaluar, me një rritje prej gati 40% në krahasim me vitin 2020. Ky është edhe volumi më i lartë i lejeve të ndërtimit të dhëna nga bashkitë në Shqipëri që nga viti 2010.

Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave tregojnë se lejet e ndërtimit të vitit të kaluar përmbajnë një volum ndërtimi prej rreth 2.3 milionë metrash katrore gjatë vitit 2021. INSTAT e llogarit vlerën e investimit duke shumëzuar metrat katrore me koston minimale zyrtare të ndërtimit, e cila është rreth 30 mijë lekë për metër katror.

Volumi i ndërtimit dhe investimet në sektor janë rritur gjatë viteve të fundit pas një bllokimi trevjeçar të lejeve të ndërtimit nga qeveria aktuale në vitet 2013-2016 si dhe nga procesi i rindërtimit pas tërmetit të vitit 2019. Pavarësisht kësaj, volumi i ndërtimit gjatë viteve të fundit mbetet ndjeshëm më i ulët se sa në dekadën e mëparshme.

Shqipëria është aktualisht një vend me popullsi në pakësim dhe në plakje, gjë që sugjeron se nevoja për apartamente të reja do të vijë në pakësim gjatë dekadave të ardhshme. Megjithatë, ndërsa popullsia pakësohet në Shqipëri, ajo vijon të rritet në Tiranë, kryesisht si pasojë e migrimit të brendshëm. Qarku i Tiranës ishte destinacioni i 79% të investimeve në banesa të reja gjatë vitit të kaluar. Gjithsej në Tiranë u dhanë leje ndërtimi me volum investimi të kërkuar prej rreth 400 milionë eurosh.

Që kur lejet e ndërtimit rifilluan të jepen në vitin 2016, në qarkun Tiranë janë dhënë leje për rreth 5.5 milionë metra katrorë banesa. Nuk ka të dhëna se sa njësi banimi përbëjnë të gjitha këto metra katrorë por me një vlerësim të përafërt mund te thuhet se kemi të bëjmë me rreth 50 mijë njësi banimi apo dyqane.

Sipas INSTAT, popullsia e qarkut Tiranë në vitin e kaluar ishte 912 mijë banorë me një rritje prej 6 mijë banorësh ndërsa ritmi i rritjes së popullsisë është ngadalësuar shumë gjatë viteve të fundit.

Sektori i ndërtimit në Shqipëri është përfolur vazhdimisht si destinacion i pastrimit të parave të pista të organizatave të ndryshme kriminale që merren me trafiqe të paligjshme në vendet e Bashkimit Evropian./BIRN


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.