OPINION

Anibal ante portas

07:00 - 02.03.22 Besnik Bakiu
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Mëngjesin e 24 shkurtit të vitit 2022, kur trupat ruse sulmuan Ukrainën, vetvetiu më erdhi ndërmend demokratin e liridashësin e madh mikun tim të ndjerë Petro Markon, kur shkruante: “Ditën që Linda unë / Planeti ish në furtunë!”




Por ndjeshmëria ime ndaj kësaj ngjarjeje nuk lidhet me aktin e thjeshtë të ekzistencës së një komuniteti shqipfolësish që gjenden në krahinat e Melitopolit dhe Odesës, por ngaqë vetë ngjarja, që kërcënon sovranitetin e Ukrainës, ka minuar rendin gjeopolitik.

Me të drejtë Përfaqësues i Lartë i BE për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë Josep Borell e quajti “…jo është vetëm një shkelje e rëndë e së drejtës ndërkombëtare, por edhe një shkelje e parimeve themelore të bashkëjetesës njerëzore… Shënjestra nuk është vetëm Ukraina, por siguria e Evropës dhe gjithë rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla, i mbështetur në sistemin e Kombeve të Bashkuara dhe të drejtën ndërkombëtare”.

Ky sulm i kamufluar pas termave, që iu paraqitën publikut si një “ndërhyrje” apo “operacion”, dëshmoi se Rusia nuk i respekton as institucionet ndërkombëtare ku bën pjesë, të tillë si OKB-ja dhe Këshilli i Sigurimit dhe se sa herë që zgjohet, tregon se ka parë ëndrra totalitare ndaj një shteti sovran e kombi të lirë, që nuk dëshiron të jetojnë nën një perandori të re ruso-sovjetike.

Duket qartë se synimi i Putinit është të krijojë në Ukrainë një shtet–marionetë, me qeveri-kukull, duke e filluar me aneksimin e një pjesë të konsiderueshme të këtij vendi. Realizimi i këtij synimi, sipas tij, bëhet duke shkatërruar me shpejtësi ushtrinë ukrainase dhe  zhdukjen me sa më shumë që të jetë e mundur, të çdo manifestimi të identitetit kulturor dhe kombëtar të Ukrainës, që janë dhe krenaria e çmuar e këtij vendi të lirë. Sa herë që Putini mendon se Ukraina nuk është një shtet e një komb i vërtetë, por një shtojcë, ai na pohon se nuk ka mësuar asgjë nga historia dhe se nuk dëshiron të kuptojë se edhe kur superioriteti i fuqisë ushtarake ta lejon “është shumë më e lehtë të pushtosh një vend sesa ta mbash atë”, siç shkruan N.Y. Harari.

Teksa sheh pamjet të krijohet përshtypja se edhe pas 72 viteve, Evropa rrezikohet të bëhet sërish një arenë luftimesh të armatosura. Strukturat dhe mekanizmat e sigurisë globale, të ndërtuara pas Luftës së Dytë Botërore e të përtërira pas Luftës së ftohtë, duket se janë tronditur.

Sulmi (dhe jo vetëm) na zgjoi nga gjumi iluzonist për “paqen e përhershme” kantiane dhe “fundin e historisë” hegeliane. Ai tregoi se gjithë sa kishim besuar ishte utopi mbi optimizmin evropian për të ardhmen, pas shpërbërjes së bllokut komunist.

Arsyeja e shpallur formalisht ishte parandalimi i Ukrainës si pjesëtare e NATO-s, ngase prania e NATO-s në kufijtë e Rusisë, “rrezikon e kërcënon drejtpërdrejt sigurinë e Rusisë”; si dhe “gjenocidi” në dy republikat rusishtfolëse të Donbassit, Donieckut dhe Luhanskut”.

Por si ta besosh këtë arsye të paarsyetuar mirë, kur prej më shumë se 70 vjetësh Rusia e sotme, dikur Bashkimi Sovjetik, është fqinjë me dy vende anëtare të NATO-s (Turqinë e Norvegjinë),si dhe prej mbi 15 vjetësh me Lituaninë, Letoninë dhe Estoninë?!

Çdo gjë ka qenë e planifikuar mirë, duke filluar që nga ora e sulmit e deri te momenti historik për ta sulmuar Ukrainën. Bota e qytetëruar nuk është në ditët e saj më të mira. Pandemia  e ka hutuar; nevojat jetike për burime energjie janë në rritje dhe Rusia është nga furnizuesit më të mëdhenj; Franca këtë vit mban zgjedhjet presidenciale, dhe kandidatët rusofilë të ekstremit të djathtë marrin jo pak vota në sondazhe; në SHBA, në nëntor të këtij viti zhvillohen zgjedhjet e mesit të mandatit, që u paraprijnë zgjedhjeve të mëdha në vitin 2024; jo pak probleme ka me Sirinë,Iranin, Lindjen e Mesme, Afrikën; ngrohjen globale; tërheqja e përshpejtuar dhe e rrëmujshme ushtarake nga Afganistani etj.

Gjermania lokomotiva e Evropës është në periudhën postMerkel, me një koalicion qeverisës të brishtë dhe ka një antikap të qenësishëm faktin që një ish kancelar i saj, Gerhard Schröder, është tashmë prej shumë kohësh, në fakt një funksionar në vartësi të Putinit: president i shoqërisë ruse Rosneft, tani është kandidat për Këshillin e administrimit të Gazpromit, shoqërisë së naftës nën kontroll shtetëror.

Po ashtu edhe ambiciet e Kinës si superfuqi e re konkurruese janë evidente; apo shqetësimi mbi përgatitjet për rifillimin e provave bërthamore dhe lëshimin e raketave ndërkontinentale ICBM nga Kim Jungu në Korenë e Veriut.

Në këtë situatë, kur edhe rreziku i përdorimit të potencialit bërthamor nga ana e Rusisë është evident, me të drejtë shtrohet pyetja: Si mundi të arrihet deri këtu?

Në të gjitha deklaratat, opinionet, analizat gishti ngrihet mbi kryfajtorin Vladimir Putinin. Dhe me të drejtë. Por shumë pak analizojnë pse arritëm në këtë pikë?? “Askush nuk ka gabuar më shumë se sa ai që nuk bëri asgjë, kur mund të bënte vetëm pak”, na mëson filozofi britanik Edmund Burke. Me një fjalë të bëjmë diçka të thjeshtë sot, që të mos pendohemi nesër.

Bota e qytetëruar, si në jo pak raste gaboj edhe këtë herë. Kuti i matjes ishte jo i saktë. Krerët e shteteve perëndimore kishin vendosur të negocionin me Rusinë, me shpresën, se do t’i kthenin arsyen agresorit. Ajo ngatërroj mendësitë e saj perëndimore dhe demokratike me mendësitë putiniane, cariste dhe staliniste për ekspansion dhe zgjerim territoresh. Perëndimi ra pre në mënyrë të përsëritur e gabimit të perceptimit të kundërshtarëve sipas imazhit të vet dhe si rezultat vazhdon ta gjejë në mënyrë të përsëritur veten në një situatë ku përsëriten pa pushim të njëjtat gabime.

Sulmi që ndodhi para syve tanë nuk përfaqëson vetëm një dështim të diplomacisë, por pasqyron gjithashtu realitetin e dështuar të imagjinatës perëndimore. Ai dëshmoi refuzimin kokëfortë të diplomatëve, politikanëve, gazetarëve dhe intelektualëve europianë e më gjerë, për të kuptuar për llojin e shtetit që po strukturonte Rusia, në mënyrë që gjithkush të përgatitej në përputhje me rrethanat. Fatkeqësisht, udhëheqësit dhe diplomatët perëndimorë, të cilët u përpoqën që të pengojnë një pushtim rus të Ukrainës, mendonin ende se ne jetojmë në një botë ku rregullat kanë rëndësi, ku protokolli diplomatik është i dobishëm, dhe ku vlerësohet e folura plot edukatë.

Por gabuan.

Bota e qytetëruar harroi paralajmërimin gjenial të Bertolt Brecht: “Kurrë nuk duhet harruar se barku që i polli ende nuk është shterpëzuar”. Madje as paralajmërimeve të shahistit të madh Garry Kasparov, nuk ia vuri veshin. Ndaj ai më të drejtë apelon: “Nuk më dëgjuat për vite me radhë për Putinin. Më dëgjoni tani”!

Bota e qytetëruar heshti (apo reagoj mefshtësisht)kur Rusia në 2008 njohu shtetet separatiste të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut, në 2014 sulmoi Ukrainën dhe aneksoi Krimenë; në 2022 kur njohu shkëputjen e njëanshme të dy republikave separatiste në lindje të Ukrainës, Republikën Popullore të Doneskut dhe Republikën Popullore të Luhanskut.

Pasi nuk haste asnjë pengesë Putini e kishte jo të vështirë të fabrikonte gënjeshtrën se “Në Kiev dhe zonat ku banojnë rusët ishin formuar formacione nacional-socialiste (naziste) të cilat kërcënonin rusët e Ukrainës”. Asokohe bota e qytetëruar e tregoi humanizmin e saj duke u mjaftuar me mjekimin e liderit të opozitës,që u helmua dhe aktualisht është i burgosur.

Megjithëse nuk është koha për të nxjerr përgjegjësi, por është e domosdoshme që realiteti të shihet në sy, duke  i vënë emrin e vërtetë. “Faj i dashur Brut nuk është i yjeve, është i yni”, ka thënë Jul Cezari.

Vladimir Putini dëshmoi se nuk ka asgjë ndryshe nga profili kriminal i Adolf Hitlerit. Kishte dekada, që pas Millosheviçit, që ky rol i përbuzur i skenës së historisë nuk luhej nga askush, deri sa u shfaq Putini. Ekstremitetet takohen dhe Putini, i mëkuar me urrejtjen ndaj nazistëve mizorive të tyre përballë mureve të Stalingradit, zgjedh pikërisht identikitin e Fyhretit, duke prodhuar histori të ngjashme me ato të udhëheqësit të nacional-socialistëve gjermanë të viteve ’30 të shekullit të kaluar.

Nëse i kthehemi historisë kujtojmë se shenja e parë konkrete e dobësisë së rendit të ri ndodhi më 12 mars të vitit 1938, kur trupat gjermane hynë në Austri, për ta “aneksuar” këtë shtet pa hasur asnjë rezistencë. Edhe atëherë fuqitë perëndimore qëndruan  indiferentë.

Më 15 mars 1939, Hitleri, me pretekstin e mbrojtjes së gjermanëve sudetë, filloi realizimin e planit të shkëputjes me forcë të krahinës Sudete të Çekosllovakisë. Pa asnjë keqardhje Perëndimi e sakrifikoi Çekosllovakinë, duke menduar se mund të jetonte qetë pranë Gjermanisë naziste dhe Italisë fashiste.

Ky “qetësim”, nuk u bë nga padija, pasi vetë Ë.Çërçilli, gjatë fjalimit të tij në Parlamentin britanik tha: “Copëtimi i Çekosllovakisë nën presionin e Anglisë dhe Francës është i barasvlershëm me kapitullimin e plotë të demokracive perëndimore para kërcënimit nazist të përdorimit të forcës … Mendimi se siguria gjoja mund të garantohet duke lënë një shtet të vogël të gllabërohet nga ujqërit, është një iluzion fatal. Mos mendoni se ky është fundi. Ky është vetëm fillimi i shpagimit”. Dhe kështu, në fakt, ndodhi.

Mësimet e kësaj ngjarjeje,siç e tregoi koha më pas, nuk shërbyen si paralajmërim për të gjithë ne, sidomos duke pasur parasysh realitetin aktual. Çdo mizori ka ditën e vet të gjykimit, na kujton Sami Frashëri, por harresa e mban atë larg. Këto mësime vlejnë sidomos për ne, shqiptarët.

A thua e kemi harruar se Putini përdori ndërhyrjen në Kosovë si precedent për të përdorur në Ukrainë forcën e vet pa lejen e SHBA-ve dhe fuqive të tjera perëndimore me të drejtë vetoje? Po që Serbia nuk mbështeti botën e qytetëruar në sanksionet ndaj Rusisë e vumë re? Ishte jo e vogël ajo pjesë e mediave serbe, që raportuan me entuziazëm për mbërritjen e trupave të Moskës “brenda një dite në Kiev” ose e quajtën sulmin rus ndaj Ukrainës një “përgjigje ndaj kërcënimeve të NATO-s”.

Ngjarjet janë të lidhura dhe funksionojnë organikisht. Të mos harrojmë se Parlamenti i Republikës Srpska, ka firmosur vendimin për krijimin e forcave të veta të armatosura. Bosnjë-Hercegocvina ka një ushtri, ku përfaqësohen të gjitha etnitë e megjithatë serbët, të prekur nga sindroma Putin, duan të kenë ushtrinë e tyre të veçantë.

Për këto qëndrime të Serbisë kanë reaguar shumë personalitete ndërkombëtare, mes të cilëve edhe Bashkëkryetari i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, ish-kryeministri suedez, Carl Bildt,i cili është shprehur se: “Me këtë qëndrim Serbia de facto u skualifikua nga procesi i anëtarësimit në BE. Nuk duhet të ketë vend për anëtarët e rinj të BE-së që nuk ndajnë vlerat dhe interesat tona themelore”. Qëndrimit të tij i rri përkrah edhe ai i diplomatit të shquar amerikan, ish-ambasador i SHBA-së në Kosovë, Philipp Kosnett, i cili ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç,  se para Perëndimit ka zgjedhur presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Serbia është kthyer prej kohesh në një qendër operacionale ruse, nga ku koordinon aktivitetin e vet të influencës dhe destabilitetit për të gjithë rajonin. Kujtojmë këtu tentativën për grusht shteti në Mal të Zi, të organizuar nga shërbimet sekrete ruse dhe serbe. Vetë Serbia ka ndërmarrë një fushatë të madhe riarmatimi me anë të ndihmës së Moskës, duke ngritur shumë pikëpyetje të qëllimeve reale të Beogradit.Vladimir Putin, dërgon në Serbi këshilltarin e tij të lartë të sigurisë në Ballkan.

Në përfundim, dua të theksoj se ka ardhur momenti historik që të korrigjohen gabimet dhe Ukraina të ndihmohet me çdo mjet. Ndihmat për Ukrainën nuk duhen pritur vetëm nga shtetet e mëdha, por nga secili që mund të kontribuojë, pasi kjo luftë na frymëzon të gjithëve, siç ka thënë intelektuali i madh hebraik Harari: “të guxojmë të bëjmë diçka, qoftë një donacion, të mirëpresim refugjatët ose të ndihmojmë në luftën në internet”, duke i dhënë guxim qytetarëve në të gjithë botën të protestojnë ndaj luftës e madje edhe qytetarëve rusë që mund të protestojnë përballë mureve të Kremlinit. Do të ketë luftime, gjakderdhje, por rruga e agresionit që po ndjek Moska kundër Ukrainës dhe të gjithë botës perëndimore herët ose vonë do të përfundojë në një katastrofë për vetë Rusinë dhe vetë Putinin, që po përgatit fundin e vet si të gjithë diktatorëve. Tashmë dihet. Megjithëse ka fituar disa territore, Putini e ka humbur luftën e tij jo vetëm me Ukrainë, por me të gjithë botën, sepse duke sulmuar, ai ka lënë pa mbrojtje nderin e tij.

Janë për t’u përshëndetur sanksionet e mëdha ndëshkuese kundër sistemit financiar rus, industrive teknologjike, elitës së parave dhe mbylljes së korridoreve të fluturimit. Në raste si ky, ku personaliteti i kombeve vihet në provë, shpirti i kombit ukrainas mbulohet me mirënjohje e lavdi. Ky komb nuk po bën vetëm luftën e tij dhe nuk po lufton vetëm për lirinë e vet, por për sigurinë botërore dhe për dinjitet dhe se kjo luftë që filloi në Ukrainë do të ndikojë në të ardhmen e të gjithë botës.

Është koha ajo që të zgjedh, por jo për të të pasuruar me një post dhe pushtetin që rrjedh prej tij, por për të të sporovuar, siç u sprovua Zelensky kur ftesës për t’u larguar nga vendi bashkë me familjen, iu përgjigjigj se “i duhej municion, jo një biletë udhëtimi”.

Një president si Zelensky, ky njeri që erdhi nga skena të tjera, të largëta me politikën, u dëshmua se është aktor kryesor, që po e mban me dinjitet e sukses peshën e rolit më dramatik të jetës së tij. Duke mos braktisur popullin e tij e duke u vënë në ballë të qëndresës popullore, Zelensky e dha leksionin e tij: historia nuk shkruhet kulisave, as pas kuintave dhe tjetër është skena e teatrit dhe tjetër skena e historisë!

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.