OPINION

Hyrja e luftanijeve në Detin e Zi, në dorë të Turqisë

10:37 - 02.03.22 Xhezair Zaganjori
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Lufta në Ukrainë ka shqetësuar me të drejtë të gjithë bashkësinë ndërkombëtare. Pamjet tragjike të dhunës së armatosur, viktimat e shumta mes popullsisë civile, largimi masiv në drejtim të vendeve të tjera i grave, fëmijëve dhe i të moshuarve, dëshpërojnë e rrëqethin këdo, të madh e të vogël, kudo në botë. Të rinjtë dhe burrat duhet të qëndrojnë për të luftuar në një përballje aspak të barabartë, e cila mund t’u kushtojë edhe jetën shumë prej tyre. Konflikti mund të zgjerohet e marrë përmasa edhe më të mëdha. Dhe kjo ndodh në mes të Europës, 77 vjet pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.




Një nga problemet e shumta që kanë lindur në fushën e së drejtës ndërkombëtare në kuadër të luftimeve, shfaqet sot edhe ai i shfrytëzimit ose jo për lundrim i ngushticave turke të Dardaneleve dhe Bosforit. Luftanijet ruse futen lirisht në ujërat e Detit të Zi, për të rrethuar e sulmuar kështu edhe nga jugu territorin e Ukrainës, si dhe për të furnizuar në vazhdimësi me municion e ushqime trupat e saj ushtarake. Dy ditë më parë, ambasadori i Ukrainës në Ankara i kërkoi zyrtarisht qeverisë turke të mbyllë tërësisht kalimin në këto ngushtica. Deri tani, Turqia ka heshtur. Me sa duket nuk e ka të lehtë të vendosë, sepse i duhet të vlerësojë me kujdes detyrimet ndërkombëtare, si dhe të balancojë interesat e saj në rajon e më gjerë. Megjithatë, situata imponon një qëndrim sa më të shpejtë.

Çështjet kryesore rreth regjimit juridik të ngushticave ndërkombëtare dhe të drejtës së lundrimit paqësor përmes tyre rregullohen mjaft mirë nga Konventa e Tretë e OKB-se mbi të Drejtën e Detit e vitit 1982 (Nenet 37 – 45). Aty mbahet përgjithësisht një qëndrim liberal. Në parim, këtë të drejtë (kalimin paqësor) e kanë të gjitha anijet, pavarësisht që në raste të caktuara mund të vendosen kritere me natyrë të përgjithshme e objektive, veçanërisht për kalimin e anijeve ushtarake. Por, për arsye të ndryshme, Turqia nuk e ka ratifikuar Konventën e Tretë të OKB-së mbi të Drejtën e Detit. Në këto kushte, dokumenti bazë mbi regjimin juridik të ngushticave turke mbetet Konventa e Montrësë (Zvicër) e vitit 1936. Praktikisht, kjo Konventë i lë ngushticat e Dardaneleve e Bosforit thuajse tërësisht nën kontrollin e Turqisë. Le ta shohim pak më në detaje këtë problem.

Ngushticat e Dardaneleve dhe të Bosforit ndodhen tërësisht brenda territorit të Turqisë. Ato konsiderohen si ndër rrugët ujore më të rëndësishme në botë. Mjafton të përmendet se ndërsa në vitin 1938 përmes tyre kalonin rreth 4 500 anije në vit, aktualisht llogaritet se numri i tyre ka shkuar në rreth 60 mijë, që do të thotë rreth 164 anije në ditë, gjë që shpesh imponon pritje të gjata për të vazhduar lundrimin. Krahas mallrave të zakonshme tregtare, ato transportojnë në drejtim të Mesdheut, veçanërisht naftë, gaz apo edhe produkte të tjera që kanë interes jo vetëm për vendet që lagen nga Deti i Zi (Turqi, Bullgari, Rumani, Ukrainë, Rusi, Gjeorgji), por edhe nga Deti Kaspik (Azerbajxhan, Rusi, Kazakistan, Turkmenistan dhe Iran).

Në fakt, historikisht, zotërimi i ngushticave në fjalë dhe i Detit të Zi ka qenë shkak i mjaft luftërave në rajon, kryesisht mes Perandorisë Osmane dhe Rusisë Cariste. Mjafton të përmendim ndër të tjera luftën mes tyre të viteve ‘70 të shekullit të 18-të, që përfundoi me nënshkrimin e Traktatit të Kucuk Kaynarkas të vitit 1774, përmes të cilit Rusia, si fuqi fituese, garantoi të drejtën e aksesit në Detin e Zi përmes dy porteve të veçanta që mund t’i përdorte si për qëllime civile, ashtu edhe për qëllime ushtarake. Carët e Rusisë do t’i konsideronin këto ngushtica në periudhën në vijim si “çelësi për t’u futur në shtëpi”. Pas Luftës së Krimesë që përfundoi me Traktatin e Parisit të vitit 1856, Perandoria Osmane si fuqi fituese i hoqi Rusisë të drejtën për të mbajtur anije luftarake në Detin e Zi.

Traktati i Lozanës (Zvicër) i vitit 1923, i cili është dokumenti kryesor që merret me rregullimet pas Luftës së Parë Botërore të çështjeve lidhur me shpërbërjen e Perandorisë Osmane, krahas njohjes së Turqisë si pasuese e kësaj Perandorie, trajton njëkohësisht edhe çështjen e regjimit të dy ngushticave turke. Ndër të tjera, aty theksohet nevoja e garantimit të lirisë së lëvizjes së luftanijeve dhe çmilitarizimi i pjesshëm i territorit ujor e tokësor të hapësirës përreth dy ngushticave dhe të Detit të Marmarasë, veçanërisht në zonën e Dardaneleve. Ky regjim do të mbikëqyrej nga një Komision i veçantë Ndërkombëtar, që do të vepronte në emër dhe për llogari të Lidhjes së Kombeve.

Turqia sigurisht që nuk ishte aspak e kënaqur me regjimin juridik të ngushticave Dardanele dhe Bosfor përcaktuar në Traktatin e Lozanës, ndaj në periudhën në vijim insistoi për një rregullim të ri juridiko – ndërkombëtar, që diktohej për shkak të ndryshimeve të rëndësishme në marrëdhëniet ndërkombëtare të kohës (lakmitë e Musolinit në Mesdhe e Afrikë si dhe ardhja në pushtet e Hitlerit, në vitin 1933) si dhe dobësisë së dukshme që paraqiste vetë Lidhja e Kombeve për tu bërë realisht garante e sistemit të sigurisë kolektive, pasi tashmë prej saj ishin larguar Gjermania, Italia dhe Japonia. Përveç interesave ekonomike, veçanërisht problematik për Turqinë ishte cenimi i interesave politike, të sigurisë së vendit dhe interesave gjeostrategjike, shtuar këtu edhe problemet e ndotjes, sigurisë së lundrimit, mbrojtjes së ambientit, e të tjerë. Nuk duhet harruar se ngushtica e Bosforit ndan praktikisht në dy pjesë një nga qytetet më të mëdha të botes, Stambollin, me një popullsi në atë kohë prej rreth 10 milion banorësh (sot ka rreth 18 milionë banorë).

Siç është vënë në dukje më sipër, Konventa e Montrësë e vitit 1936 i vendos thuajse tërësisht të dy ngushticat turke nën kontrollin e Turqisë. Kjo konventë është nënshkruar nga Franca, Britania, Bashkimi Sovjetik, Turqia, Rumania, Bullgaria, Greqia, Jugosllavia, Australia dhe Japonia. Italia dhe ShBA nuk pranuan të marrin pjesë në këtë konferencë ndërkombëtare.

Konventa e Montrësë garanton, në fakt, që në nenet 1 dhe 2 të saj parimin e lirisë së lundrimit në kohë paqeje përmes këtyre ngushticave, por kufizon dukshëm kalimin e anijeve ushtarake, duke vendosur një sërë kriteresh për sa i përket numrit të tyre, tonazhit si dhe sasisë dhe llojit të armatimit që ato disponojnë. Përveç kësaj, anijet ushtarake të vendeve të Detit të Zi duhet të lajmërojnë autoritetet turke për këtë kalim të paktën tetë ditë më parë, ndërsa anijet ushtarake të vendeve të tjera, 15 ditë më parë. Për më tepër, këto të fundit, nuk mund të qëndrojnë në Detin e Zi më shumë se 21 ditë. Kalimi i luftanijeve parashikohet të bëhet vetëm gjatë ditës, ndërsa nëndetëset kanë si kusht gjithashtu që të lundrojnë mbi sipërfaqen ujore gjatë gjithë hapësirës mes dy ngushticave. Nga të gjitha vendet e Detit te Zi, vetëm Bashkimi Sovjetik (sot Rusia) gëzonte disa të drejta më shumë për kalimin dhe stacionimin e anijeve dhe nëndetëseve ushtarake, si për sa i përket numrit, ashtu edhe madhësisë, tonazhit dhe armatimit. Sipas Konventës së Montrësë, Komisioni Ndërkombëtar i Lidhjes së Kombeve do të përfundonte gjithashtu misionin e mbikëqyrjes së kalimit paqësor të ngarkuar nga Traktati i Lozanës, duke ia lënë tërësisht këtë detyrë Turqisë. Po kështu, Konventa lejon Turqinë të bëjë militarizimin apo fortifikimin e plotë të ngushticës së Dardaneleve, gjë që ndalohej shprehimisht me Traktatin e Lozanës të vitit vijon nga faqja 1 1923. Përveç kësaj, sipas Konventës se Montrësë, në rast se Turqia do të jetë në luftë të armatosur, ka të drejtë të mbyllë tërësisht kalimin në këto ngushtica për të gjithë anijet luftarake të vendeve të tjera. Këtë veprim, Turqia mund ta bëjë edhe në rastet kur vlerëson se kërcënohet seriozisht nga një agresion i mundshëm. Megjithatë, shumë interesante është të theksohet që paragrafi i dytë i Nenit 19 të Konventës i jep të drejtë Turqisë të mbyllë dy ngushticat edhe në rastet kur palë në një luftë të armatosur nuk është vetë ajo, por shtetet e tjera që lagen nga ujërat e Detit te Zi, ashtu siç po ndodh edhe tani.

Bashkimi Sovjetik, megjithëse nënshkrues i Konventës së Montrësë, është përpjekur disa herë gjatë periudhës në vijim që të vendosë kontrollin mbi ngushticat turke. Vetëm tre vjet pas Konventës, më 23 gusht të vitit 1939, me rastin e nënshkrimit në Moskë të Paktit famëkeq të Mossulmimit Molotov – Ribentrop (Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Sovjetik e Gjermanisë, por që praktikisht konsiderohet si Pakti Stalin – Hitler, përmes të cilit palët, krahas angazhimit të ndërsjellë për mossulmim, ranë dakord për ndarjen mes tyre të Polonisë si dhe të territoreve të tjera në veri të Europës. Vetëm një javë pas nënshkrimit të këtij pakti, më 1 shtator 1939, Gjermania do të sulmonte Poloninë), Molotov do të informonte partnerin gjerman se vendi i tij do të merrte shpejt kontrollin mbi ngushticat turke dhe do të krijonte aty edhe një bazë të veçantë ushtarake. E njëjta gjë do të përsëritej me forcë nga Bashkimi Sovjetik edhe menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Synimi ishte detyrimi i Turqisë për të ndryshuar Marrëveshjen e Montrësë dhe vendosjen e hegjemonisë sovjetike në këtë hapësirë. Kriza mes dy vendeve arriti kulmin në vitin 1946, gjë që e detyroi Turqinë të hiqte dorë nga statusi i shtetit neutral që kishte mbajtur gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke hapur dyert fillimisht për trupat ushtarake amerikane e më vonë, në vitin 1952, të bëhej edhe anëtare e NATO-s.

Vitet e fundit ka pasur dhe ka diskutime të shumta lidhur me nevojën e ndryshimit dhe saktësimit të regjimit juridik të ngushticave turke. Rusia e ka ngritur këtë problem veçanërisht në rastin e luftës së vitit 2008 në Osetinë Jugore, në rastin e luftës në Siri në vitin 2011, si dhe pas pushtimit të Krimesë në vitin 2014. Bashkimi Europian dhe NATO kanë kërkuar nga ana tjetër një akses më të madh në hapësirën e Detit të Zi edhe për shkak se dy nga vendet që lagen prej ujërave të tij, Bullgaria dhe Rumania, janë tashmë anëtarë të këtyre organizatave shumë të rëndësishme ndërkombëtare.

Megjithatë, Konventa e Mostrëse e vitit 1936 vazhdon të jetë në fuqi. Kjo do të thotë se praktikisht kontrollin mbi lundrimin paqësor të anijeve në ngushticat e Dardaneleve dhe Bosforit vazhdon ta ketë tërësisht Turqia. Ajo e ka në dorë të gjejë edhe balancat e duhura politike, por duke respektuar njëkohësisht edhe të drejtën dhe detyrimet ndërkombëtare. Vendimmarrja e saj pa dyshim që do të ndikojë jo pak edhe për fatin e luftimeve në Ukrainë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.