OPINION

Ukraina reformon politikën e jashtme gjermane!

08:54 - 02.03.22 Jorgji KOTE
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Po, madje shumë më tepër se aq; vullneti dhe rezistenca që po tregon populli i Ukrainës, nën drejtimin e Presidentit të tij heroik Selenskyi është kthyer në një emblemë  patriotike Euro – Atlantike; ajo po i jep një profil dhe ritme cilësisht të reja  gjithë politikës perendimore. Ajo çka nuk është arritur dot prej tij në 30 vitet e fundit, po bëhet tani pas jehonës planetare të këtyre qëndrimeve stoike. Por në rastin e Gjermanisë, për shkak të disa specifikave historike, Ukraina po e reformon vërtet politikën e jashtme të shtetit mëë të madh të BE-së dhe aleat strategjik i NATO-s.




Me siguri që 27 Shkurti do të hyjë në historinë gjermane si pika e kthesës dhe ndarjes së politikës së saj të jashtme nga disa modele/module të vjetëruara  që kishin cënuar jo pak  imazhin dhe besueshmërinë e Gjermanisë në arenën ndërkombëtare. Protagonisti i këtij ndryshimi  epokal që u shpalos më 27 Shkurt në sesionin e jashtëzakonshëm të Bundestagut pas  agresionit rus ndaj Ukrainës është  Kancelari i ri social-demokrat gjerman Olaf Scholz. Deri tani ai etiketohej si «  kancelari i padukshëm, të cilit nuk i ndihej zëri » meqenëse, siç është përmendur në  një shkrim të mëparshëm, Scholz është tejet i kursyer në fjalë dhe fjalime; i zëvendëson ato me Plane Veprimi dhe zbatimin e tyre të shpejtë dhe të palëkundur.

Në fjalën e tij historike 30 minutëshe, Scholz nënvizoi se « është përgjegjësi historike  që Putini të mos kthejë orën prapa e të mos përdorë dhunën si mjet politik» Sipas tij, kjo « nuk është lufta e Rusisë, por e Putinit ndaj nesh » ; se ajo do të jetë katastrofë për Ukrainën por po aq dhe për Rusinë » etj.

Këto deklarime të fuqishme shënuan preludin e  këtij « ndryshimi të paradigmës » në politikën e saj të jashtme. Mbasi deri tani, Gjermania ka zbatuar me vonesa politikën e butë «  tërhiq e mos e këput » ndaj Rusisë. Këtu kanë patur ndikimin e tyre dhe «  Putin Verstehers » ose shqip rusofilët – politikanë, drejtues partish, deputetë, akademikë, gjeneralë, etj. Në Gjermani ka prej kohësh 17 grupime dhe forume shtetërore, publike dhe jo qeveritare me Rusinë që mblidhen rregullisht në Moskë dhe Berlin si dhe fondacione të tjera me emra të ndryshme qytetesh ruso-gjermane. Për ironi të fatit, në prag të agresinit rus, ishte admirali i Marinës gjermane  që kërkoi respekt për  Putinin dhe pastaj dha dorëheqjen. Ish Kancelari social – demokrat Gerhard Schroeder është drejtues i bordeve të kompanive gjigande të gazit rus dhe mik personal i Putinit. Por, nëse ish homologu i tij,  austriak Christian Kern dha dorëheqjen prej tyre, Schroeder vijon më tej. Qëndrimet e tij pro-Putin kanë venë në pozitë të vështirë SPD-së, e cila duhet të distancohet prej tij.

Ka ende drejtues të lartë të forcave kryesore politike gjermane që deri dje ishin për heqjen e sanksioneve të mëparshme ndaj Rusisë, me shpresën naive  se Putini do të  ndryshonte kursin e tij politik. Edhe pse si shumë të tjerë, 94 vjeçari Klaus Dohanyi, i vetmi ministër i gjallë  i qeverisë së Kancelarit Willy Brandt më 1970, një nga politikanët më të mençur të vendit  në prononcimet e tij publike ka thënë açik se «  është iluzion të mendosh se Putin dhe Xi Jinping do të ndryshojnë »

Në seancën e  lartpërmendur, Scholz foli me tone të qarta, të zjarrta dhe të vendosura. Por, pa mbetur vetëm në terrenin e fjalëve të bukura që tani nuk mjaftojnë më. Ai shkoi shumë më larg dhe shpalosi pesë komponentët e rinj të politikës së jashtme gjermane, duke e çliruar atë nga disa tabu, klishe dhe paragjykime të së kaluarës. Më konkretisht:

Së pari, Qeveria gjermane hoqi dorë nga praktika e legjitimuar e mosdërgimit të  armëve dhe municioneve luftarake në qendra konfliktesh dhe krizash, në rastin tonë të Ukrainës. Kjo ka qenë një trashëgimi e të kaluarës, për shkak të precedentit të Gjermanisë naziste dhe krimeve të saj ndaj Rusisë dhe Ukrainës. Mirëpo, kjo klishe kishte bërë, që siç thuhet në anët tona, «  të digjesh nga qulli dhe t’i frysh kosit » Më në fund kjo traditë u prish dhe qysh në prag të seancës në Bundestag, më 26 Shkurt, qeveria gjermane  njoftoi se do t’i dërgojë menjëherë Ukrainës 1000 predha anti-tank, 500 raketa tokë ajër, mijra tonë karburant, etj.

Së dyti, rritja e shpenzimeve ushtarake, me qëllim që, siç deklaroi Scholz «  bashkë me aleatët, Gjermania të mos lejojë Rusinë të prekë asnjë metër katror të Aleancës »

Për këtë, Scholz  konfirmoi se Gjermania jo vetëm do të respektojë kufirin prej 2 për qind të GDP-së lidhur me kontributet e saj për NATO-n, por do të vijë duke e rritur atë çdo vit. Deri tani, megjithë kritikat e shumta, Berlini ka dhënë vetëm 1,5 për qind të saj, duke u renditur ndër vendet e prapambetura në këtë fushë strategjike. Kjo e kishte dëmtuar rëndë me kohë besueshmërinë politike dhe ushtarake të Gjermanisë te aleatët e saj. Kini parasysh se  kjo rritje prej 0,5 për qind për  një vend si Gjermania « përkthehet » në miliarda euro, tejet të nevojshme për mbrojtjen dhe sigurinë europiane !

Së treti, krijimin e një fondi garancie për mbrojtjen e vendit dhe forcimin e Bundesvehr-it prej 100 Miliard Euro. Madje, kjo do të sanksionohet dhe në Kushtetutë, me qëllim që të mos jetë objekt i oshilacioneve të rotacionit të pushtetit. Ky është një kapërcim i madh për modernizimin e  forcave të saj të armatosura, të cilat vitet e fundit kanë shfaqur mungesa dhe mangësi të mëdha në pajisje, armatime dhe municione, ato ekzistuese janë vjetëruar dhe për mungesë fondesh nuk janë zëvendësuar me të reja. Aq sa është vënë në diskutim aftësia mbrojtëse gjermane. Këtu ka  ndikuar ndjeshëm dhe paragjykimi që e sheh Bundesvehr-in si « pasardhës » të Wermacht-it. Por dhe rrjedhojë e filozofisë së saj në këtë fushë, duke qenë, ca për moral ca për pacifizëm, në favor të begatisë dhe zhvillimit ekonomik, sipas parimit «  with banks, not tanks!

Me besimin si dhe  vende të tjera se liberalizmi ekonomik, tregtia, shkëmbimet tregtare, etj do të çtensionojnë dhe politikën globale dhe do të shmangin luftrat dhe konfliktet. Madje dhe Procesi i Berlinit nisej nga këto kritere ndaj Serbisë dhe siç dihet nuk ka dhënë rezultat. Për pasojë, siç pohojnë disa ekspertë dhe politologë, duke u përpjekur të çlirohet nga e kaluara, Gjermania « ka rënë rob » e  së tashmes dhe të ardhmes !

Vlen për t’u theksuar se Scholz ishte i pari kancelar në historinë gjermane të pasluftës, i cili pranoi publikisht mungesat dhe dobësitë serioze të Bundeswehr-it dhe nevojën e shtimit, por  sidomos modernizimit të kapaciteteve dhe armatimit luftarak në të gjitha fushat.

Së katërti, një politikë e re në fushën e furnizimit me gaz, si nevojë jetike për Gjermaninë dhe gjithë BE-në. Kjo e fundit importon 30 për qind të  gazit nga Rusia. Më në fund, pas shumë kërkesash dhe presionesh, Gjermania pezulloi nga funksionimi rrjetin gjigand të gazsjellësit « Nord Stream » me Rusinë. Mirëpo kjo nuk ishte një « llaf goje » por veprrimtejet i guximshëm, një goditje e rëndë, me efekte negative për Gjermaninë dhe Europën. Janë me mijra biznese që do ta pësojnë, veç mbi 10 miliard Euro të investuara.

Në vijim, për të kompensuar  sa më shpejt këto mungesa, krahas të tjerash, është vendosur ndërtimi i dy porteve për importin e gazit të lëngshëm nga SHBA-të, me qëllim që të redukohen efektet negative të gazit rus, etj. Ky është një kapërcim i madh në politikën gjermane, sepse vetëm para një muaji po Scholz deklaronte se « Nord Stream » ishte një projekt ekonomik privat dhe pa lidhje me politikën !

Së pesti, Gjermania i bashkohet pa asnjë rezervë dhe fuqimisht paketave të sanksioneve të ashpra ndaj Rusisë, si mjeti i fundit për ta penguar atë në realizimin e qëllimeve të mprapshta. Madje, ajo shkoi dhe më tej, duke vendosur embargo të pjesshme dhe lidhur me sistemin ndërkombëtar pagesor  SWIFT, e cila konsiderohet si «  bombë atomike financiare » Deri para pak javësh kjo ishte utopi për Gjermaninë !

Së fundi, pavarësisht nga zbatimi i këtyre komponentëve të rinj cilësorë, nga situata e tanishme dhe përkeqësimi i saj, Gjermania  do të vazhdojë të mbajë hapur në çdo kohë kanalet e komunikimit diplomatik me Moskën. Në fakt, si dhe homologët e tij perendimorë, Scholz e përdori në maksimum diplomacinë parandaluese, « të ec e jakeve » dhe « të telefonit » me Moskën, bashkë me Ministren e Jashtme. Në kuadrin e kësaj «  diplomacie të krizës » ai e paralajmëroi pa ekuivok Putinin për pasojat e rënda, i bëri thirje të ulet në bisedime, i rikujtoi mundësitë e mëdha të çtensionimit të situatës, duke përfshirë riaktivizimin e Marrëveshjes së Minskut, sipas formatit të « Normandisë », etj; mirëpo, dhe diplomacia parandaluese, sado e përkryer të jetë nuk ka shans për sukses kur mungon vullneti i duhur nga  njera palë, në rastin tonë Rusia; ca më keq, kur e përdor diplomacinë si « gjethe fiku » për të shpërndarë vëmendjen, për të fituar kohë dhe për t’i « hedhur hi syve » opinionit publik në vend dhe atij ndërkombëtar.

Ja pse, ky reformim radikal i politikës së jashtme gjermane, i imponuar nga agresioni rus dhe qëndresa historike e Ukrainës është lajm i mirë me rrjedhoja pozitive edhe për Europën me vendet e tjera. Ndryshe nga më parë, kur siç pohohet gjerësisht Gjermania bënte «  shumë pak dhe shumë vonë » këtë radhë Kancelari Scholz i tregoi Europës dhe botës më të mirën e saj. Ai po zbaton maksimën sipas të cilës, « në politikë ka rëndësi jo  vetëm të bësh gjënë e duhur, por dhe në kohën e duhur » Ja pse, ky NDRYSHIM madhor në politikën gjermane të  jashtme dhe të sigurisë po konsiderohet  nga shumë ekspertë dhe vëzhgues politikë si një « revolucion i vogël », që shton garancitë e sigurisë, dhe si  mburojë e pathyeshme ndaj kujtdo që do të përdorë « të drejtën e forcës në  vend të forcës të së drejtës » në marrëdhëniet ndërkombëtare,  siç po vepron arbitrarisht Rusia me Putinin.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.