Kryesore

“Operacion special, jo luftë”, “foto-show i Zelenskit”, ”genocidi ndaj rusëve”/ Çfarë thonë zërat kundër solidaritetit me luftën e Ukrainës

15:18 - 03.03.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Prej ditës kur ushtarët rusë shkrepën pushkët e para, në Shqipëri u ndez solidariteti me popullin trim dhe liridashës të Ukrainës. Nuk kaloi shumë dhe Tiranë u zhvillua një protestë me një flamur gjigand verdheblu. Të njëjtat ngjyra kanë pushtuar fotot e profileve në rrjetet sociale, ndërsa vetë kryeministri Edi Rama poston çdo mëngjes imazhet e fëmijëve nga Ukraina. Vladimir Zelenski është frymëzimi i mijëra adhuruesve shqiptarë dhe shqiptare, ndërsa faqet rozë e konsiderojnë jo vetëm një burrë shteti, por edhe sex symbol-in e dekadës.




Por përtej efekteve patetike që ngjallin episodet e luftës, nuk kanë munguar edhe zërat kundër rrymës, pavarësisht histerisë që kanë provokuar në këto momente kundër tyre.

I tillë ishte mesazhi i juristes Mirela Jorgo pak ditë më parë në emisionin Log, në abc. Ajo përdori termin që përdor edhe administrata ruse, që nuk e quan “pushtim”, por “operacion special” atë që po ndodh në Ukrainë.

“E drejta ndërkombëtare janë parime për të rregulluar marrëdhëniet mes dy shtete. Rusia ka hyrë në një konflikt me Ukrainën, për një histori të gjatë. Lufta nuk duhet dashur por zhvillohet nëse është e arsyeshme dhe e domosdoshme. Nuk e justifikoj faktin e situatës ku ndodhemi, por duhet pasur parasysh se çfarë është lufta. Duhet respektuar drejtësia në luftë. Sanksionet duhet të jenë proporcional. Pra nëse shohim historinë do kuptojmë pse Putin ka arritur në këtë pikë dhe pse ka filluar të nxjerrë dhëmbët kundër perëndimit” tha Mirela Jorgo. (VIDEO KETU)

“Nuk është pushim, është një operacion special dhe jo luftë. Nuk i intereson të pushtoj Kievin. Është faji i perëndimit. Ukraina është në lindje të BE dhe kufizohet nga Rusia. Gorbachev ju premtua se nuk do kishte forca të NATO në republikat e ish bashkimit të Sovjetikëve” tha Jorgo.

Një tjetër zë kundër mbështetjes për ushtrinë ukrainase është ai i pedagoges Mirela Bogdani

Pedagogia e Fakultetit të Drejtësisë, Mirela Bogdani e përcjell me ironi atë që po ndodh kur e quan mendimin e turmave në rrjetet sociale si “il popolo albanese”. Duke shprehur keqardhjen familjet e shpërngulura nga Ukraina dhe të vrarët në luftë, ajo thotë se “Personalisht më hapin barkun që nga klishetë infantile të fotove të profilit me flamurin ukrahinas dhe indinjata e madhe e il popolo albanese që i ka hallet e problemet kapicë brenda vendit e merret me Rusinë e Ukrainën”.

Statusi i plotë i Mirela Bogdanit

Meqë nuk ngeli artist, sportist, poet apo politikan mediokër (me njohuritë e tyre modeste mbi historinë dhe gjeopolitikën) pa dhënë mend dhe pa bo “analiza” për luftën në Ukrainë, po i them dhe unë nja dy fjalë si me ca njohuri në këto fusha. Përtej faktit të dënueshëm të sulmit apo pushtimit të një vendi nga një tjetër, që tingëllon totalisht obsolete dhe absurde në shek e 21-të, motiveve të tij (Donbasi, NATO etj) apo debateve mbi sovranitetin (aktuale dhe në politikën albaneze të kohëve të fundit), Ukraina është një “made up” state i krijuar kryesisht nga rusët dhe sovjetikët (harta 1), duke shtuar sipërfaqen e saj me territore të aneksuara nga shtete fqinjë si Polonia, Rumania, Çekoslovakia, dhe më e fundit nga Rusia – Krimea, të cilën Hrushovi ja bëri dhuratë vendit të tij (harta 2), duke arritur të bëhet kështu vendi i dytë më i madh i Europës për nga territori. Personalisht më hapin barkun që nga klishetë infantile të fotove të profilit me flamurin ukrahinas dhe indinjata e madhe e il popolo albanese që i ka hallet e problemet kapicë brenda vendit e merret me Rusinë e Ukrainën, e deri te fotot-show “alla heroi të luftës çlirimtare” me veshje militare të ish aktorit komik (sot President i vendit) apo të ish boxierit me mitraloz (sot Kryetar i Bashkisë së kryeqytetit)…se harrova dhe miss-in me kallashnikov me reçipeta – modele “inspiruese” për gjithë armatën e mediokërve! Keqardhje vetëm për të vrarët nga ushtarët e të dy palëve dhe popullsinë civile, se liderët e vet që i çuan në kët mynxyrë shpejt do ulen dhe do shtrëngojnë duart diplomatikisht me ndonjë marrëveshje, pas së cilës all will be happy (përfshi dhe ustallarët perëndimorë)!

Si përherë, kontrovers ka ardhur edhe zëri i Olsi Jazxhi, që në emisionin “Të paekspozuarit” e quajti të drejtë luftën e Rusisë, të provokuar sipas tij nga anglo-amerikanët që prishën projektin e gazsjellësit “Nord stream 2” duke dëmtuar rëndë ekonominë ruse. Jazxhi u prezantua si pedagog i historisë ruse në një Universitet të Malajzise.

Sipas Jazxhi, presidenti i Ukrainës Vladimir Zelenski është një “sorosist” i ndihmuar nga amerikanët për të ardhur në pushtet dhe për të luftuar me rusët.

“Amerikanët në Kiev, sillen si me ju në Shqipëri, që kanë instaluar regjimin e Edi Ramës, i cili është një regjim i korruptuar dhe ambasadorja shqiptare bën çfarë të dojë me shqiptarët. Në një kohë që popullata ukrainase është 70% e krishterë ortodokse dhe një në tre ukrainas është rus, ata kanë sjellë president të vendit një çifut. Në Ukrainë që prej vitit 2014 dhe sidomos pas ardhjes së Zelenskit është kryer një genocid kundër rusofonëve, ky sorosisti Zelenski i thoshte rusofonëve, ose do flisni gjuhën ukrainëse ose do ikni në Rusi” tha Jazxhi.

Menjëherë pas kësaj deklarate reagoi edhe AMA, duke kërkuar nga mediat që të kenë kujdes në mesazhet që shpërndajnë. Sipas Autoritetit të Mediave Audiovizive, gazetarët duhet të kenë kujdes kur i japin hapësira mendimeve të tilla.

“AMA nënvizon faktin se nevoja për pluralizëm mendimesh, për t’i transmetuar ndjekësve diversitet pikëpamjesh dhe analizash, nuk mund të përligjë arsyetime të pabazuara dhe që dukshëm justifikojnë dhunën dhe sulmet ndaj popullsisë së pambrojtur dhe ndaj institucioneve të një vendi sovran” thuhet në reagimin në rrjetet sociale të AMA-s, që i tërhoqi vërejtjen televizionit MCN për shkak se i dha hapësirë idesë se lufta e Putinit është e drejtë.

Njoftimi i Autoritetit të Mediave Audiovizive vjen pasi në të gjithë Europën, mediave ruse iu janë bllokuar transmetimet. Madje në një universitet të Italisë, stafi pedagogjik vendosi t’i anulojë leksionet për autorin e madh, Fjodor Dostojevksin, për faktin e thjeshtë se ai ka qenë rus./ Gsh.al

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.