AKTUALITET

E rëndë në Tiranë/ Shkoi t’i marrë në pyetje të atin për një grabitje, polici sulmohet me thikë nga 22-vjeçarja në derën e shtëpisë

10:17 - 04.03.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një ngjarje e rëndë është shënuar ditën e djeshme në Tiranë, kur një efektiv policie i zënë në befasi është plagosur rëndë.




Sipas të dhënave, bëhet me dije se efektivi ka marrë një plagë dhe është dërguar menjëherë për në Spitalin e Traumës dhe është vendosur nën kujdesin e mjekëve, të cilët kanë treguar se është jashtë rrezikut për jetën, pavarësisht se gjendja e tij është e rëndë.

Policia, në një njoftim zyrtar, bëri me dije vetëm faktin që është vënë në pranga autorja e atij sulmi, një 22-vjeçare, banuese në Paskuqan.

Policia ka sekuestruar thikën dhe ia ka kaluar çështjen për hetim Prokurorisë së Tiranës, për të vijuar më tej me procedurat e atij akti të rëndë që i rrezikoi jetën punonjësit të Policisë.

Po ç ‘ndodhi vërtet mes vajzës dhe policit?

Efektivi i Policisë që u plagos mësohet se ka mbërritur në familjen Gj. në Paskuqan për t’i komunikuar një thirrje kryefamiljarit Ali Gj. për t’u paraqitur në Komisariatin e Policisë.

Ai ishte i dyshuar për një rast vjedhjeje dhe Policia e Komisariatit nr. 4 ka dashur të sigurojë dëshminë e tij dhe më pas ta linte të lirë.

Por menjëherë sapo punonjësi i Policisë i ka kërkuar Aliut se duhet të paraqitej për të dëshmuar në Polici, ka reaguar vajza, Shqipe Gj.

Ajo ka nisur të konfliktohet me policin, duke i thënë se nuk mund të merrej i ati i saj, sepse ai nuk i kishte bërë asgjë të keqe kujt.

Efektivi, duke dashur ta shmangë vajzën, ka nisur të flasë sërish me kryefamiljarin e në bisedë e sipër me të, vajza ka marrë një thikë dhe e ka goditur.

Menjëherë është dërguar polici në spital dhe vajza 22 vjeçe është vënë në pranga.

Babai 76-vjeçar i agresores i dyshuar për një grabitje:

Nga të dhënat policore, nuk bëhet me dije se për çfarë vjedhjeje ishte dyshuar burri 76-vjeçar dhe as se çfarë debati ka sjellë përplasjen që desh rezultoi fatale për jetën e efektivit 36-vjeçar.

Policia nuk bën të ditur as faktin nëse është shoqëruar i moshuari në komisariat, por të dhënat tregojnë se familja Gj. është e vendosur prej disa vitesh në zonën e Paskuqanit dhe se nuk rezultojnë të jenë familje problematike.

Ali Gj. është babai i një djali dhe i katër vajzave, një prej të cilave ka kundërshtuar dhunshëm shoqërimin e tij në komisariat si i dyshuar për vjedhje.

Pritet dëshmia e vajzës, efektivit të Policisë dhe e kryefamiljarit për të qartësuar shkaqet që quan në plagosjen me thikë të efektivit.

Po ashtu, do të verifikohen edhe praktikat e ndjekura nga ana e bluve për të kryer shoqërimin e të moshuarit në komisariat, bën me dije Policia, për të parë nëse ka pasur ndonjë shkelje. (Panorama)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.