OPINION

Le të thyhet heshtja! Historia ka nevojë për ju

11:22 - 07.03.22 Përparim KABO
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

( Pjesa e fundit)




Punëtorët e mendimit shkencor janë të vetësakrifikuar për ideale të larta mendimore dhe shoqërore, sepse ata dhe vetëm ata mbajnë të gjallë dritën e arsyes, pa të cilën nuk mund të zbulohen të vërtetat. Të kalosh nga studimet përshkruese në gjurmimin në terren dhe deri në krijimin e hartave dhe kulturës hartografike, nuk është gjë e lehtë. Autori, studimin e të cilit e kemi tashmë në dorë si një botim integral, e ka bërë këtë punë me përkushtim, në një kohë tejet të shkurtër dhe në një kohë praglufte botërore dhe gjatë saj. Mendja e tij punonte për shkencën, për paqen, për dijen dhe për kulturën. Në fushën e hartografisë ai përmend mëse një herë hartat e Dr. Herbert Louis-it , si edhe hartat e Patsch-it  dhe Veith-it.  Herbert Louis (lindur më 12 mars 1900 në Berlin, vdes më 11 korrik 1985 në Mynih) ishte një gjeograf gjerman. Herbert Louis studioi gjeografi, gjeologji dhe fizikë në Berlin. Në vitin 1923 ai shoqëroi Ernst Nowack-un për kërkime në Shqipëri. Në vitin 1925 ai mori doktoraturën me Albrecht Penck-un në Berlin me një tezë mbi studimet rajonale mbi Shqipërinë. Nga viti 1926 deri në vitin 1928 ai ndërmori në Bullgari kërkime gjeomorfologjike, të cilat u bënë baza për qëndrimin e tij në Berlin deri në vitin 1930. Nga viti 1935 Louis ishte profesor i rregullt në Ankara, ku ndërtoi Institutin e Gjeografisë. Në vitin 1943 ai u transferua në Universitetin e Këlnit (si pasardhës i Franz Thorbecke-s). Në vitin 1952 ai u bë profesor dhe drejtor i Institutit Gjeografik në Universitetin e Mynihut. Në vitet 1965, 1966 ai punoi përsëri si profesor i jashtëm në Ankara. Në vitin 1968 doli në pension. Përveç gjeomorfologjisë (për shembull, shkallët e trungut ose shkallët e piemonit), ai u mor me gjeografinë e Turqisë dhe Europës juglindore (Bullgari, Shqipëri), veçanërisht me historinë Kuaternare të Turqisë. Ai shkroi një libër mësimor mbi gjeomorfologjinë. Punimet e tij janë: “Shqipëria. Njohja e vendit kryesisht për shkak të udhëtimeve të mia.”, botuar nga pasardhësit e J. Engelhorn-it në Shtutgart, Berlin 1927. Studime Morfologjike në Bullgarinë jugperëndimore. Engelhorn, Shtutgart, 1930. Bimësia natyrore e Anadollit, e parë gjeografikisht, “Geographische Abhandlungen,” rreshti i tretë, broshura 12, Stuttgart, Engelhorn, 1939. Gjeomorfologjia e përgjithshme (me bashkëpunimin e Klaus Fischer, foto dhe pjesë teksti), botimi i 3 -të, de Gruyter 1968 (tekst mësimor mbi gjeografinë e përgjithshme, themeluar nga Erich Obst, vëllimi. Carl Ludwig Patsch (lindi në 14 shtator 1865 në Kowatsch – çekisht: Kovač – bei Jitschin, vdiq në 21 shkurt 1945 në Vjenë) ishte sllavist, albanolog, arkeolog dhe historian austriak. Ndërsa G. VEITH: Der Feldzug von Dyrrachion zwieschen Caesar und Pompejus, Wien 1920.Hartat e hershme dhe Hartografia janë pasuri shkencore botërore. Disa nga hartat më të hershme të njohura datojnë në vitin 16.500 para erës së re dhe tregojnë qiellin e natës në vend të Tokës. Pikturat e lashta të shpellave dhe gdhendjet në shkëmb gjithashtu përshkruajnë tipare të peizazhit, si kodra dhe male. Arkeologët besojnë se këto piktura u përdorën si për të lundruar në zonat që ata treguan, ashtu edhe për të portretizuar zonat që njerëzit vizituan. Hartat u krijuan në Babiloninë e lashtë (kryesisht në pllaka argjilore) dhe besohet se ato u vizatuan me teknika të sakta të anketimit. Këto harta treguan karakteristika topografike si kodra dhe lugina, por gjithashtu kishin veçori të etiketuara. Harta Botërore Babilonase, e krijuar në vitin 600 para erës së re, konsiderohet si harta më e hershme e botës. Ajo është unike, sepse është një përfaqësim simbolik i Tokës. Grekët e lashtë krijuan hartat më të hershme të letrës, të cilat u përdorën për lundrim dhe për të përshkruar zona të caktuara të Tokës. Anaksimandri ishte i pari nga grekët e lashtë që vizatoi një hartë të botës së njohur dhe, si i tillë, ai konsiderohet si njëri nga hartografët e parë. Hecateus, Herodotus, Eratosthenes dhe Ptolemeu ishin hartues të tjerë të mirënjohur grekë. Hartat që ata vizatuan u bazuan në vëzhgimet e eksploruesit dhe llogaritjet matematikore. Hartat e lashta greke janë të rëndësishme për historinë e hartografisë, sepse ato shpesh e tregonin Greqinë si në qendër të botës dhe të rrethuar nga një oqean. Hartat e tjera të hershme greke tregojnë botën të ndarë në dy kontinente:  Azi dhe Europë. Këto ide dolën kryesisht nga veprat e Homerit, si edhe nga letërsia tjetër e hershme greke.

Në këtë kuptim ky studiues Tahsin Jonus, mund të njihet edhe si një nga themeluesit e hartografisë shkencore shqiptare, e cila e ka nisur rrugëtimin e saj duke u referuar në burime dhe kritere shkencore të topografisë dhe toponimisë si edhe fal referimit ndaj elementeve të tjerë të kësaj kulture kaq të rëndësishme. Pse duhen hartat dhe kultura hartografike? Mund të jepet më shumë se një përgjigje, sidomos kur bëhet fjalë për hartat e vjetra.” Hartografia përcaktohet si shkenca dhe arti i bërjes së hartave ose i paraqitjeve grafike që tregojnë koncepte hapësinore në shkallë të ndryshme. Hartat përcjellin informacione gjeografike për një vend dhe mund të jenë të dobishme për të kuptuar topografinë, motin dhe kulturën, në varësi të llojit të hartës. Format e hershme të hartografisë u praktikuan në pllaka balte dhe mure shpellash. Sot hartat mund të tregojnë një bollëk informacioni. Teknologjia (si Sistemet e Informacionit Gjeografik, GIS)) bën të mundur që hartat të realizohen relativisht lehtë me kompjuter.”

Kërkimi për aventura dhe eksplorim është brenda shumë prej nesh dhe ka qenë pjesë e historisë njerëzore për mijëra vjet. Njerëzit e lashtë përdornin varka, kuaj ose këmbët e tyre për të eksploruar. Sot ne përdorim pajisje të teknologjisë së lartë si aeroplanët, nëndetëset, raketat, satelitët dhe qëndrat vëzhguese hapësinore për të eksploruar botën dhe më gjerë. E vetmja gjë që ne njerëzit modernë të sotëm kemi të përbashkët me njerëzit e lashtë është se ne regjistrojmë dhe gjurmojmë eksplorimin tonë në formën e hartave. Ai që krijon një hartë apo e intepreton atë dhe bën korrigjimet e nevojshme, të ndihmon të kuptosh se në cilat udhë kanë ecur ngjarjet historike dhe personazhet e saj cilatdo qofshin ato. Historia e atdheut tonë lëviz në këto rrugë dhe harta ndihmon falë këtij punimi krejt të veçantë. Kofi Annan dikur ka thënë: “Njohuria është fuqi. Informacioni është çlirues. Ndoshta mund të ketë qenë duke iu referuar hartave, sepse për mijëra vjet hartat u kanë dhënë njerëzve njohuritë e nevojshme për të marrë vendime.”…Ka dhjetë arsye pse hartat janë të rëndësishme: 1- Hartat thjeshtojnë Informacionin e komplikuar. 2- Hartat janë mjete funksionale. 3- Hartat ndihmojnë fëmijët të fitojnë aftësi jete. 4- Hartat mund t’ju shpëtojnë jetën. 5- Hartat sigurojnë siguri në një botë me njerëz të shkëputur nga njeri tjetri. 6- Hartat janë një plan i historisë sonë. 7- Hartat ju lidhin me kujtimet tuaja. 8- Hartat ju bëjnë të lumtur. 9- Hartat japin kontekstin e historive. 10- Hartat japin frymëzim.” Kështu shkruan më 25 korrik 2019 MARIANA DORBECKER. Nga këto dhjetë arsye le të ndalemi tek tre prej tyre. Hartat janë një plan i historisë sonë. Hartat ju lidhin me kujtimet tuaja. Hartat japin kontekstin e ngjarjeve. Pra, hartat nuk lënë të humbë kujtesa, ndihmojnë të kuptohet historia dhe ngjarjet që kanë ndodhur dhe ndihmojnë që historia të mos jetë një gjë e parregullt. Nëse dikush do të thoshte me shpoti sot se punimi që po na vjen si botim sjell gjëra të njohura (mendim ky nisur nga motive të sinqerta apo tinzare), unë do t’i thoja me plot gojën: Ky punim është shumë më i thellë dhe më i vlertë se sa mendon ti apo ju. Të vendosësh lidhjen me kujtesën historike do të thotë që ta njohësh atë, ta emërtosh me korrektesë, ta vësh në raport me zhvillimet globale dhe t’i gjesh vendin dhe kontributin brenda tyre. Një popull me histori është një popull me kontribute. Një popull pa histori është më shumë se fatkeq, ai është i rrezikuar të humbasë. Hebrenjtë e vjetër kishin një thënie nga e cila udhëhiqeshin në vendimmarrje: “Kujtesa ka gjithnjë të drejtë.” Këtë ka bërë në punimin e tij shkencor dijetari ynë Tahsin Jonusi. Ai ka ringjallur kujtesën e atdheut të vet me një punë shkencore dhe me një vepër dinjitoze, të cilën koha nuk e ka zbehur. Së fundmi po e nxjerrim atë nga pluhuri i harresës si një gur themeli në Historinë e Shqipërisë dhe në Albanologji. Duke e sjellur në gjuhën shqipe këtë studim të thellë dhe domethënës, jo vetëm që respektojmë autorin, universitetin e Innsbrukut ku ai e realizoi këtë punim, mendimin shkencor të atij institucioni, por gjithashtu zgjojmë kujtesën e fjetur, sepse zgjime të tilla nuk lejojnë që të biem në harresë në ditët tona dhe të jemi të paorientuar në të ardhmen. Profesor Dr. Marc Antrop në universitetin e Ghentit njihet për studime të thella dhe shumëplanëshe në fushën e peizazhit natyror, të zhvillimit urban dhe në konservimin e trashëgimisë ambientale. Në një nga botimet e tij me titull: “Why landscapes of the past are important for the future”  (“Pse peizazhet e së shkuarës janë të rëndësishme për të ardhmen”), ai tërheq vëmendjen kur shkruan: “Peizazhet ndryshojnë, sepse ato janë shprehja e ndërveprimit dinamik midis forcave natyrore dhe kulturore të mjedisit. Peizazhet kulturore janë rezultat i riorganizimit të njëpasnjëshëm të tokës, në mënyrë që të përshtatet përdorimi i saj dhe si strukturë hapësinore më e mirë ndaj kërkesave shoqërore në ndryshim. Veçanërisht në Europë, historia ka regjistruar shumë ndryshime të njëpasnjëshme dhe madje shkatërruese të peizazhit, të cilat mezi kanë lënë ndonjë relikë sot. Sot ndryshimet shihen si një kërcënim, si një evolucion negativ, sepse ato shkaktojnë një humbje të diversitetit, koherencës dhe identitetit, të cilat ishin karakteristike për kulturën tradicionale peizazhiste që po zhduket me shpejtësi. Ky shqetësim në rritje shprehet edhe në “Konventën Europiane të Peizazhit.” Konventa Europiane e Peizazhit e Këshillit të Europës, e njohur edhe si Konventa e Firences, është traktati i parë ndërkombëtar që i kushtohet ekskluzivisht të gjitha aspekteve të peizazhit europian. Zbatohet në të gjithë territorin e Palëve dhe mbulon zonat natyrore, rurale, urbane dhe periferik-urbane. Ky document parësor ka të bëjë me peizazhet që mund të konsiderohen të jashtëzakonshëm, si dhe peizazhe të përditshme ose të degraduara. Konventa ka për qëllim: mbrojtjen, menaxhimin dhe planifikimin e të gjitha peizazheve dhe ngritjen e vetëdijes për vlerën e një peizazhi të gjallë. U nënshkrua më 20 Tetor 2000 në Strassburg ku aderojnë 40 vende, është e formuluar në dy gjuhë frëngjisht dhe anglisht.

“Konsiderohen të studjuara dhe të argumentuara tre periudha të dinamikës së peizazhit: Peizazhet tradicionale para ndryshimeve të rëndësishme që filluan në shekullin e 18 -të, peizazhet e revolucioneve të epokës së shekujve të 19-të dhe 20-të dhe peizazhet e reja post-moderne. Efekti i kombinuar i forcave shtytëse si aksesueshmëria, urbanizimi, globalizimi dhe ndikimi i fatkeqësive ka qenë i ndryshëm në secilën prej periudhave dhe ka ndikuar në natyrën dhe ritmin ëe ndryshimit, si edhe në perceptimin që njerëzit kanë pasur për peizazhin…Larmishmëria dhe identiteti i peizazheve kulturore janë thelbësorë në këtë diskutim…Koherenca midis elementeve të vegjël kompozuese në një kontekst më të gjerë hapësinor është e rëndësishme për lexueshmërinë e peizazhit dhe aftësia për të treguar historinë (e tij) të një vendi rrit fuqishëm identitetin dhe vlerën e përgjithshme. Kjo ofron kritere për inventarizimin dhe vlerësimin e peizazheve, gjë që është e nevojshme për të përcaktuar menaxhimin dhe zhvillimin e ardhshëm.”

Kur e lexoj këtë shumërreshtësh të studimit të profesor Antrop-it në lidhje me peizazhin, më shumëfishohet konsiderata për punimin shkencor të Tahsin Jonusit tonë të ndritur, këtij meteori të shkencës, sepse punimi i tij sjell studime shumëplanësore duke na lënë të shkruar vlerësime për peizazhin historik, topografik dhe toponomistik, gjeografik, kulturor, antropologjik dhe natyror të popullit dhe atdheut tonë që nga kohët më të lashta. Drita e arsyes është mëkuar dhe do të ushqehet në vijimësi me këtë punim serioz. Mirënjohje për Ju Tahsin Jonusi! Unë e quaj me fat veten time që m’u besua nga familja juaj e nderuar Jonuzi, të shkruaja këtë oponencë shkencore për veprën tuaj. Mjaftuan vetëm ato tre faqe të para që lexova nga punimi juaj doktoral dhe thash, kjo është një vepër madhore që duhet të sillet në dritën e botimit. I nderuar profesor Tahsin Jonusi, atje ku jeni në eter ju them:

Historia vazhdon për ata që nuk kanë frikë nga drita e arsyes…, të tjerët mbeten pengje të harresës në histori…!

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.