Për më shumë se tre orë shumë qytetarë kanë protestuar sot kundër rritjes së çmimit të karburantit, por edhe të produkteve të tjera ushqimore.
Protesta e thirrur nga shoqëria civile nisi në orën 17:00 para kryeministrisë dhe përfundoi rreth orës 20:00 në rrugët e Tiranës, të cilat qëndruan të bllokuara duke paralizuar qarkullimin e automjeteve dhe të transportit urban.
Fillimisht protestuesit u grumbulluan përpara kryeministrisë, ku me pankarta në duar kërkonin uljen e çmimit të naftës. Ata bëjnë fajtor kryeministrin Edi Rama për krizën e çmimeve duke thënë se ajo po e keqqeveris vendin.
Pasi u mbajtën fjalime të shumta para selisë së qeverisë, qytetarët lajmëruan se do të mblidhen sërish nesër në orën 17:00, ndërsa të shtunën njoftuan një protestë kombëtare në orën 11:00.
Kur u mendua se protesta përfundoi, ata dolën në rrugë. Fillimisht bllokuan unazën e kryeqytetit, por më pas edhe disa rrugë të tjerë që lidhen me qendrën e Tiranës.
Për më shumë se 60 minuta, në Tiranë u paralizua qarkullimi i automjeteve, pasi protestuesit bllokuan rrugët. Ata zgjodhën format nga më të ndryshme për të mos lejuar lëvizjen e mjeteve, madje bllokuan rrugën edhe me kazanët e mbeturinave.
Policia edhe pse ishte prezent e ka parë protestën nga larg, por është dashur një konfrontim, që ajo të ndërhynte duke tentuar të shpërndajë protestuesit. Policia vendosi edhe barrikada, por që u hoqën nga qytetarët.
Në lidhje me këtë situatë, reagoi edhe Presidenti Ilir Meta, i cili teksa renditi masat e marra nga qeveritë e vendeve të rajonit, i bëri thirrje qeverisë shqiptarë që të reflektojë dhe të ulë çmimin e naftës. Po ashtu presidenti thotë se duhet të miratohet një paketë për ti ardhur në ndihmë familjeve në nevojë.