DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Reagimi/ Prokuroria komenton për herë të parë mocionin Arben Rakipi: Ja pse duan të më heqin

07:00 - 14.03.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 14 Mars 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare” dy dekada më parë




 Reagimi/ Prokuroria komenton për herë të parë mocionin

Arben Rakipi: Ja pse duan të më heqin

 Zëdhënësi i kryeprokurorit: Shkaku i goditjes së prokurorit të Përgjithshëm është reagim drejt cënimit të interesave të paligjshme të një pjese të politikanëve. Nano nga Elbasani:  Ka kulisa për shkarkimin e Rakipit

Sipas zëdhënëist të organit hetimor, goditja ndaj kryeprokurorit në thelb përbën një nul absolut

Visha: Prokuroria nuk përfshihet në nenin 104 dhe 105. Nuk kemi nevojë për maxhorancën parlamentare

Rakipi: Pse duan të më heqin

“Kemi prekur interesat e një pjese të politikanëve”

Neni ku mbështetet Partia Demokratike për mocionin e mosbesimit ndaj kryeprokurorit Arben Rakipi, nuk e përfshin organin e prokurorisë.

Ky është thelbi i deklaratës së djeshme të zëdhënësit të Prokurorisë së Përgjithshme, Ardian Visha, i cili, duke iu referuar Kushtetutës Shqiptare, komentoi se kërkesa e politikanëve për mocion nuk ka bazë ligjore (është një nonsens juridiko-kushtetues). Ndërkohë përfaqësuesi i institucionit hetimor ka reaguar ashpër, duke cituar se “shkaku i goditjes së prokurorit të përgjithshëm është reagim ndaj cënimit të interesave të paligjshme të pjesës së pjesës”. Edhe një herë prokuroria hedh në publik argumentet e veta në lidhje me kërkesën për mocion adresuar kreut të akuzës, nga emra të njohur të lobit të djathtë dhe të majtë të politikës shqiptare. Përmes zhurmës së madhe të debatit, përmes emocioneve e anktheve partiake e parlamentare që tentojnë të zbresin deri te njerëzit e thjeshtë, përmes kureshtjes jo të vogël të të huajve dhe përfaqësive të tyre në Shqipëri, institucioni i akuzës provon të hedhë dritë deri në detaje mbi “pengun” e fundit shqiptar – mocionin “Rakipi”. A ka bazë ligjore kërkesa për mocion mosbesimi ndaj kryeprokurorit Rakipi? Cila është e drejta parlamentare dhe kush e inicion goditjen kundër prokurorit të përgjithshëm? Pikërisht këtyre enigmave i është përgjigjur dje zëdhënësi Visha.

 

 

DEKLARATA

Prokuroria mban në dorë një “AS” të fuqishëm, i cili zhvleftëson dhe nxjerr juridikisht jashtë “loje” mocionin e mosbesimit ndaj titullarit të saj, Arben Rakipi. Ky interpretim i “fshehur” në Kushtetutën Shqiptare publikohet nga zëdhënësi Ardian Visha, i cili thotë: Mocioni referuar nenit 104 – 105 të Kushtetutës është një veprim juridiko-kushtetues i Parlamentit për të goditur ose jo institucionet që, për funksionimin e tyre, kanë si domosdoshmëri maxhorancën parlamentare, kjo për ta bërë atë të pandjeshme nga simpatia e tyre”. Sipas Vishës, mocioni ndaj kryeprokurorit Rakipi është një veprim pa bazë ligjore. Gjithsesi, ky i fundit komenton se parlamentarët kanë të drejtë të propozojnë shkarkimin e prokurorit të përgjithshëm, duke u mbështetur në kriteret që parashikon Kushtetuta dhe kërkesën t’ia adresojnë presidentit Rexhep Meidani. Por një procedurë e tillë është “harruar” nga grupi i politikanëve shqiptarë që kërkojnë largimin e Rakipit nga posti që ai mban aktualisht, vetëm nëpërmjet kërkesës për mocion mosbesimi. Ndërkohë zëdhënësi i akuzës zbardh dhe “pse” në e kësaj kërkese. “Gjithçka që është thënë për mocionin ndaj Rakipit, është perceptim i tyre (i protagonistëve deputetë) për punën e prokurorisë e të prokurorit të përgjithshëm; amalgamë ndjenjash dhe emocionesh; reagime ndaj cënimit të interesave të paligjshme të pjesës së pjesës. Në të tre këto kuptime shkaku për të goditur kryeprokurorin në thelb përbën një nul absolut”. Pavarësisht deklarimit të akuzës, akoma mbetet i hapur dueli tejet i fortë, i nisur midis një grupi përfaqësuesish të politikës dhe kreut të akuzës, Rakipi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.