OPINION

A mund të zbuten efektet e krizës ekonomike?

09:49 - 14.03.22 ZEF PREÇI
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në vijim po rendis një sërë masash, që sipas mendimit tim mund të kontribuojnë për korrigjimin e mënyrës së qeverisjes dhe të administrimit të fondeve dhe të pasurive publike me synim kryesor frenimin e thellimit të saj dhe lehtësimin e ndikimit të krizës aktuale ekonomike.




Kuptohet që këtu nuk bëhet fjalë për “shpikje dhe racionalizime” dhe aq me pak për “komisione” administrative të përkohshme si ai që shpalli dy ditë më parë KM Rama.

Nëse synohet të qetësohen protestat, d.m.th., “të lëvizë gjithçka pa lëvizur asgjë”, qeveria do të vazhdojë me Komisionin, ndërsa qytetarët jo vetëm do të vuajnë pasojat e krizës në zhvillim e sipër, por edhe mund të marrin me shume përgjegjësi për rrugëdaljet prej saj. Nëse synohet të ndërmerren politika, masa, reforma që nxjerrin vendin nga keqqeverisja, korrupsioni, kapja e shtetit dhe ndikimet oligarkike ku e ka futur zt. Rama dhe qeverisja e tij, lista e mëposhtme mund të ndihmojë në debatin për probleme ekonomike të ditës dhe jo vetëm…

Mirëpres reagimet e kolegëve ekonomistë, juristë etj., apo të individëve me përvojë administrative dhe qeverisëse për të diskutuar rreth çështjeve të listuara në vijim.

1. Aspekte makro-ekonomike dhe ndërinstitucionale:

1.1. Rishikim i buxhetit të vitit 2022 për të shkurtuar me të paktën 30% të gjitha shpenzimet operative të panevojshme të qeverisë qendrore dhe vendore, si dhe me 20% administratën publike me synim rritjen e fondeve në dispozicion për ndihmën ekonomike, fondin e pensioneve dhe sektorin e bujqësisë.

1.2. Rishikim i të gjitha kontratave koncesionare/PPP me synim me synim rinegocimin nisur nga:

a) Situata e krizës/emergjencës (përcaktimi se në ç’masë janë të domosdoshme dhe shërbim të zbutjes së efekteve të krizës).

b) Mundësia e anulimit të plotë (për ato që nuk kanë filluar ende) duke aplikuar klauzolën e “forcë major” në kontratën përkatëse dhe në mbrojtje të interesave publikë.

c) Mundësia e shtrirjes në kohë (për ato që nuk përbëjnë interes publik thelbësor, p.sh., “check-up”, nëse çmohet që duhet, mund të bëhet edhe një herë në pesë vjet dhe jo çdo vit për të siguruar disa të dhëna studimore që nuk i merr parasysh asnjë lloj vendimmarrjeje me interes publik).

1.3. Anulim i indeksimit të akcizës për të gjitha produktet.

1.4. Mbikëqyrje dhe raportim periodik nga Autoriteti i Konkurrencës se të gjithë përqendrimeve në treg si dhe transparencë e plotë e zinxhirit të vlerës për të gjithë operatorët ekonomikë sektorialë që vitin e mëparshëm kanë zotëruar mbi 25% të vlerës në sektorin përkatës.

1.5. Rishikim i të gjitha përjashtimeve fiskale që nuk kanë lidhje me prodhimin vendas dhe mbrojtjen e konsumatorit siç janë naftë pa akcize për jahtet e luksit, lehtësitë në taksën e infrastrukturës (ndërtimeve) të turizmit, lojërave të fatit, investimet strategjike, etj.

1.6. Rritje e kontrollit mbi inflacionin nga Banka e Shqipërisë dhe marrja e masave antiinflacioniste.

1.7. Amendimi i kuadrit ligjor për përcaktimin dhe përditësimin e përvitshëm të minimumit jetik dhe mbi bazën e këtij treguesi rishikimi qysh këtë vit i skemës së ndihmës ekonomike për personat me aftësi të kufizuar, të papunët përfitues nga skema e papunësisë së përkohshme, pensionistët etj.

1.8. Rikrijimi i Ministrisë së Minierave dhe Energjetikës si një dikaster udhëheqës i shtetit në administrimin e burimeve natyrore (minierat, burimet energjetike, naftën, etj.,) dhe në mbikëqyrjen dhe rregullimin e industrive nxjerrëse.

2. Aspekte Sektoriale

2.1. Energjetika

a) Shkrirja e menjëhershme e Këshillave Mbikëqyrës të shoqërive publike të sektorit energjetik, plotësimi i tyre me ekspertët më të mirë të vendit dhe zëvendësimi i drejtuesve të tyre.

b) Përfshirja e ERE në reformimin e shërbimit të furnizimit të popullsisë, duke rivendosur fashën mbrojtëse për të gjithë konsumatorët familjarë, si dhe diferencimin e çmimit përtej kësaj fashë. Kjo, me qëllim që të nxitet kursimi në këtë kategori (familjarët).

c) Shtyrja në kohë të paktën me dy vjet e zbatimit të Udhërrëfyesit për hapjen e Tregut dhe Rregullimin e Çmimit të Energjisë Elektrike.

d) Në sektorin e karburanteve:

– Përmes një ligji të posaçëm, marrje e menjëhershme nën administrimin e shtetit te rezervës së sigurisë së naftës dhe të gazit.

-Amendimi i menjëhershëm i kuadrit ligjor për të zgjatur nga 3 në 4 muaj të gjendjes fizike të naftës dhe gazit të lëngshëm si rezervë sigurie nën administrimin e shtetit.

– Krijimi i Fondit të Posaçëm të Energjetikës për t’u përdorur në blerjen e përqendruara të të gjitha llojeve të energjisë, duke përfshirë edhe karburantet dhe gazin e lëngshëm si mjet për të ruajtur/krijuar konkurrencën në tregjet përkatëse.

– Analizë dhe mbikëqyrje e rreptë e konkurrencës ndërmjet ofruesve me shumicë dhe me pakicë/importuesve të karburanteve dhe rritje e penaliteteve për çfarëdo sjellje antikonkurrencë siç është fiksimi i çmimeve dhe ndarja e tregjeve.

– Rivendosje e mbikëqyrjes së gjithë zinxhirit të vlerës për të gjithë operatorët ekonomikë sektoriale që vitin e mëparshëm kanë zotëruar mbi 25% të vlerës.

2.2. Bujqësia

a) Rritje e menjëhershme të paktën me dyfishin e shumës së parashikuar në buxhetin e 2022 të mbështetjes direkte ndaj fermerëve duke marrë si njësi reference prodhimin (bujqësor dhe atë blegtoral) si dhe sipërfaqen e mbjellë dhe numrin e kafshëve të prodhimit.

a. Rritjen e penaliteteve ndaj fermerëve për tokën e pambjellë (djerrë) si dhe vendosjen e kontrollit shtetëror (limitimin) mbi procedurën, respektimin e kritereve për qarkullimin e kulturave bujqësore, afatet, çmimin për njësi të qiradhënies së tokës bujqësore.

b. Ndërmarrja qysh këtë vit e programit të posaçëm “MBILL” për drithërat e bukës me synim rritjen me të paktën 30% të sipërfaqes së mbjellë brenda dy viteve. Ky program duhet të mbështetet me farëra të zgjedhura të siguruara nga shteti dhe të kushtëzohet me rritjen e sipërfaqes së mbjellë me to në fermat, bashkimet e fermerëve, kooperativave etj., pjesëmarrëse në program.

c. Riorganizim dhe fuqizim i shërbimit këshillimor të fermerëve dhe rrjetit të institucioneve të farave dhe fidanëve te zgjedhur, kafshëve të racës, mbrojtjes fitosanitare, inspektorateve përkatëse, etj.

d. Ndërmarrja e programeve të posaçme të mbështetjes për grumbullimin dhe përpunimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale dhe furnizimin e tregut mbi këtë bazë.

e. Fuqizim i shërbimit këshillimor të fermerëve, përdorimi gjerësisht i masmedias për promovimin e prodhimit vendas dhe edukimin e fermerëve dhe të konsumatorëve.

f. Analizë dhe mbikëqyrje e rreptë e konkurrencës ndërmjet ofruesve/importuesve të inputeve bujqësore dhe rritje e penaliteteve për çfarëdo sjellje antikonkurrence, siç është fiksimi i çmimeve dhe ndarja e tregjeve.

g. Rivendosje e mbikëqyrjes së gjithë zinxhirit të vlerës për të gjithë operatorët ekonomikë sektorialë që vitin e kaluar kanë zotëruar mbi 25% të vlerës.

2.3. Infrastruktura

a) Rishikimi i programit të investimeve me synim përshtatjen e këtij me nevojat imediate dhe prioritare të prodhimit bujqësor dhe agro-përpunimit vendas dhe infrastrukturën në mbështetje të këtij prodhimi.

b) Shtyrja në kohë e disa veprave publike të llojit PPP në infrastrukturën e turizmit (që janë në proces negocimi ose nuk kanë filluar ende), por edhe rinegocimi dhe anulim për çdo vepër tjetër cilën nuk kanë filluar punimet, ndërtimi i së cilës kërkon më shumë se tre vjet.

c) Rishikimi i planit të investimeve të shërbimeve publike në sektorin energjetik me synim fuqizimin e këtij sektori, zvogëlimin e humbjeve dhe rritjen e eficiencës së tij.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.