OPINION

Paketa sociale dhe protesta sociale

09:01 - 14.03.22 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Qeveria pardje veproi fort për të përballuar “pandeminë” e çmimeve, rritjen e tyre të jashtëzakonshme nga data 24 shkurt 2022 e deri tani, për shkak të agresionit të Putin në Ukrainë. Po jep 240 milionë euro, afro një çerek miliardë euro në mbështetje të shtresave më në nevojë dhe të familjeve me të ardhura modeste. Janë 434 mijë përfitues. Shumë mirë. Por a mjafton? Jo. Duhet të bëjë shumë më tepër. A i ka mundësitë për këtë? Po! Se për këtë nuk duhen para! Së pari, mund të disiplinojë kompanitë e shumicës në tregun e karburanteve. Pardje, më 12 mars, qeveria vendosi një çmim të rregulluar në treg me 223 lekë litrin e naftës. Pardje e furnizova makinën me çmimin 246 lekë për litër. Qeveria kërcënoi se pikave të karburantit dhe kompanive që e shesin naftën më shtrenjtë se çmimi i vendosur nga qeveria do t’u hiqej leja e aktivitetit. Me sa duket, ky kërcënim nuk ka bërë efekt, pasi edhe shumë shokë e të njohur më thanë të njëjtën gjë: e kishin blerë naftën më shtrenjtë se sa 233 lekë për litër. E njëjta gjë u përsërit dhe dje, kur çmimi qeveritar u caktua 219 lekë për litër.  Të shohim në ditët e ardhshme. Inspektorët e Inspektoratit Shtetëror të Mbikqyrjes së Tregut(ISHMT) duhet të jenë ditë dhe natë në punë në këtë gjendje të jashtezakonshme. Njëlloj si zjarrfikësit aty ku ka rënë zjarri. Nuk kemi parë qoftë dhe një deklaratë të vetme publike nga ISHMT për të treguar kontrollet që ka kryer këto ditë, rastet e kundravajtjeve që ka vërejtur dhe sanksionet(gjobat) që ka vënë. Madje mediat nuk ia dinë as edhe selinë këtij institucioni, që ndodhet fshehur në një rrugicë pranë Tregut Çam në kryeqytet. Ky institucion jetik për të vënë rregull në treg dhe për të kufizuar abuzimet e jashtëzakonshme me çmimet e mallrave kryesore për jetën e qytetarit, deri tani duket se ka bërë gjumin e ariut në dimër. Qytetarët janë të bindur se çmimin e naftës në treg gjatë ditëve të fundit e uli nga 260 lekë litri i naftës që arriti në 230 lekë jo mbrojtja e qeverisë për qytetarët nëpërmjet kontrolleve të inspektorëve të saj, por protesta sociale e vetë qytetarëve. Kjo protestë në tre ditët e para kishte kuptim dhe ishte e shëndetshme, pse qeveria vonoi të vinte me një strukturë të veçantë për të përballuar këtë gjendje të jashtëzakonshme me veprime të jashtëzakonshme. Protesta e shkundi qeverinë. Në dy ditët e fundit, protesta ka marrë formën e shëmtuar të depërtimit të interesave partiake e politike, përmes njerëzve që i qëndrojnë pranë dhe mesazheve të përcjella prej saj. Protesta e ditëve të para e përshpejtoi kunderveprimin qeveritar. I cili duhej të vinte që në ditët e para pas invazionit të Putin në Ukrainë. Të paktën në datat 27-28 shkurt 2022, kur çmimet nisën “rrugën për në Everest”. Qeveria u vonua më shumë se një javë. Nejse, më mirë vonë, se kurrë, thotë populli. Së dyti, qeveria mund dhe duhet urgjentisht të shpallë një Plan Kombëtar Disiplinimi Energjitik dhe Kursimi të energjisë elektrike. Ne kemi nevojë si shtet për 2.3 miliardë euro(me çmimet e sotme) energji elektrike në vit. Dhjetë përqind e kësaj energjie ose 230 milionë euro keqpërdoren! Duke filluar nga humbjet jo-teknike(vjedhjet), nga gabimet e keqmenaxhimit të kaskadës së Drinit, të KESH, OSHEE e me rradhë. Duke përfunduar tek llamba e harruar ndezur gjithë natën në zyrat e Shtetit. Këto keqperdorime duhet të marrin fund! Për këtë duhet krijuar një grup ndërministror i veçantë dhe duhen caktuar gjoba dhe masa administrative shembullore për shkelësit e disiplinës energjitike. Kryeministri dhe Ministrja e Energjitikës bënë shumë mirë katër ditë më parë kur përmendën masat për kursimin e energjisë elektrike. “Pandemia” e plotë e çmimeve ende nuk ka ardhur. Kërcimi abuziv i çmimit të naftës tek ne në datat 9-11 mars ishte vetëm prova e parë e rrëmetit. E keqja më e madhe ka ende për të ardhur dhe duhet të na gjejë të përgatitur. Dhe jo si situata e përjetuar me naftën. Plani Kombëtar i Disiplinimit dhe Kursimit Energjitik duhet të miratohet me Vendim të Këshillit të Ministrave, me nje listë të gjatë sanksionesh, gjobash dhe masash administrative deri tek edhe penale në rastet e keqpërdorimeve të rënda. Nuk ka më kohë! Pandemia ose “cunami” i çmimeve të çmendura të energjisë elektrike po na afrohet kërcënueshëm dhe skudi, mburoja prej 185 milionë euro që qeveria ka përgatitur në Paketën e saj Sociale të dy ditëve më parë, nuk është e mjaftueshme.




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.