DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Ekskluzive, poezia e ndaluar, Pas 27 vjetësh gjetëm vargjet e Kadaresë

07:00 - 15.03.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 15 Mars 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare” dy dekada më parë




Ekskluzive, “Pashallarët e kuq”. Ja poezia e ndaluar

Pas 27 vjetësh gjetëm vargjet e Kadaresë

“Në mesditë Byroja politike u mblodh.

Vallë ç‘ka ndodhur në kufijtë  veriorë…”

 Poezia “Pashallarët e kuq” e çuar për botim në Gazetën “Drita”, 27 vjet më parë, ku u censurua dhe nuk mundi të shihte dritën e botimit. Pasi u censurua u zhduk çdo kopje e mundshme e saj. Kadare kishte deklaruar se nuk kishte mbajtur asnjë kopje për rrethanat e kuptueshme të asaj kohe.

  

 

Në mesditë Byroja Politike u mblodh

1. Në mesditë Byroja politike u mblodh.

Vallë ç‘ka ndodhur në kufijtë veriorë.

Në kufijtë e jugut vallë ç‘ndodh.

Qielli është me re dhe dimri sjell dëborë.

 

Mos lëvizën klasat e përmbysura,

Mos ka katastrofë në prodhim.

Vallë ambasadorët mos kanë nisur

Radiograme plot shqetësim.

 

Jo. Kufijtë e shtetit janë të qetë.

Nga ambasadat lajme me alarm nuk ka.

Dhe nën diktaturë të proletariatit.

Dimërojnë kokëulur ish kastat e mëdha.

 

Dhe prodhimi është normal dhe ditët

Rrjedhin të zakonshëm në dhjetor…

Po ahere pse kështu papritur

Në mesditë Byroja Politike u mblodh?

 

2. Shtetet s’prishen kurrë nga çatitë.

Shumë shumë mund të pikojnë diku.

Nga themelet ata prishen

     Këtij ligji

Shtetit socialit i bindet gjithashtu.

 

Mund që lart çdo gjë të duket bukur,

Gara socialiste, merrja këngës, haj.

Dhe pankartat dhe heronjtë e punës

Në gazetë lokale në Një Maj.

 

Telegrame urimi, diell i ndritur

Në mitingje e vjersha letrarësh të rinj

Kurse poshtë

          Pikërisht në themelitë

Rritet ngadalë tumor i zi.

 

Për armiqtë kemi topat, himnet, vallet.

Ambasadat që rrëfejnë diçka për ta.

Për burokratizmin ç‘kemi valle?

Topat s’pijnë ujë

              Dhe konsuj atje s’ka.

 

3. Midis shkresash, telefonash, letërthithësesh

Ata skenat mbushin gjithnjë

Mjaft me këtë qeshje dashamirëse

Burokratët janë tjetër gjë.

 

Jo me bojë pelikan përjargur,

Si tuafë të këndshëm ho, ho, ho,

Por të kobshëm

          Me duar të përgjakura

Gjer në bryle unë ata i shoh.

 

I shoh atje thellë tek rrënojnë.

Në themelet e revolucionit pikërisht

Ç’bëjnë ashtu

          Pse trupat e dëshmorëve

Kthejnë djathtas, majtas dhe përmbys?

 

Pa shiko,

     Trupat sikur i lajnë.

Nga themelet gjakun duan të fshijnë shpejt.

Dhe pas gjakut amanetet q’ata lanë

Idealet dhe parimet krejt.

 

Dhe vulën e gjakut si ta zhdukin,

Oh, e dijnë se është lehtë pastaj

Të ndryshojnë revolucionin, diktaturën

E punëtorëve

          Thelbin e saj.

 

Ja kështu, atje në gjunjë të ulur

Lajnë e shplajnë gjakun pa pushim

Po ç‘patën papritur

          Pse u ndalën

Tek një yrt i shkretë, tek një djerrinë.

 

Këtu janë varrosur të përmbysurit:

Pashallarë, bejlerë, familjet e mëdha

Ata sulen, trupat kthejnë përmbys e nisin

Që t’i zhveshin me një vrull hata.

 

Rrobe sundimtarësh të përgjakta

Me nishane e grada veshin shpejt.

Dhe me to mbi supe nëpër natë

Ikin drejt mëngjezit si rrebesh.

 

4. Dhe mëngjezi erdh,

          Të zbetë, të ngrirë,

Nën mantelet me nishane e me kurorë

Ata shkojnë në zyra, ministrira,

Madje ngjiten gjer në Komitet Qëndror.

 

Pashallarë të kuq. Bejlerë me tesera partije

Baron-sekretarë. Bosë të naftës. Varg.

Në kortezh të zymtë, nën himne liturgjie

Çojnë tabutin e revolucionit për në varr…

 

5. Kurse pamja e jashtme ishte ndryshe

Buzëqeshje, tundje grushti në miting

Thjeshtësi tek xha Kamberi, tek X gjyshe,

Dhe fjalët “Enver” “parti”, “autokritikë”.

 

Kështu ishte ditën,

              Kurse natën

Zbrisnin në themel ata sërish.

Por revolucioni s’kish kala e Rozafatit

Që duronte ditën ngre e ngre e natën prish.

 

6. Enver Hoxha, syri i tij i mprehtë

Ishte i pari që dyshoi për ta.

Dhe ahere në themele të shtetit

Zbriti si në baladat e mëdha.

 

Një pishtar të kuq mbante në dorë.

Dheu dridhej

          Flaka mbi ta ra.

Dhe i pa tek prishnin gjakun e dëshmorëve

Tek ndanin mantelet seç i pa.

 

“Ja ku qënkeni!”

          Ata u ngrinë.

– Oh, shoku Enver, hm, rroftë, oj!-

Por ai i mvrejtur

          Me dhëmbjen në çdo thinjë

Si një mal në dimër bubulloi.

 

Krisht ai nuk ish që t’i dëbonte

Nga pushteti me kamçik dhe stap.

Ai klasën ngriti të punëtorëve.

Për ta bërë burokratizmin zap.

 

7. Si dikur patrullat partizane

Shtegëtojnë ekipet e kontrollit punëtor.

Që të mos i marrin ministritë me topa

Nesër.

     Sot i marrim me kontroll.

 

Diktaturë e klasës s’është veç në vjersha

Dhe në ditëlindjen e veteranit tornitor.

Je për socializmin?

          Vrapo në rrjeshta

Shpall kudo dhe mbi këdo

          Kontroll punëtor.

 

Bjeri ditë e natë burokratizmit,

Klasën që u përmbys nën këmbë e mbaj.

Në se s’do që nesër skuadër e pushkatimit

Të të vejë në mur

              Tek Bulevardi i Madh.

 

8. Ditën ikin.

     Vorbullat e ngjarjeve

Nëpër stinë e vite shtjellën me furi

Vijnë plenumet e partisë porsi ushtarët

E revolucionit

Në stuhi.

 

Ecën klasa pas partisë në ditë epike,

Populli pas klasës derdhe oqean

Dhe m’u mbledhtë prapë Byroja Politike

Mesditë a mesnatë

Gati të gjithë janë.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.