DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Ekskluzive/ Autori vazhdon komentin e “Pashallarëve të kuq”: Përmendja e Enverit, taksa që duhej paguar

07:00 - 16.03.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

16 Mars 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare” dy dekada më parë




Intervista /Shkrimtari komenton “Pashallarët e kuq”.  Kadare: Unë nuk kam qenë disident

Kadare: “E vetmja gjë që kam thënë për vetveten, është: “Jam përpjekur të bëj letërsi normale në një vend anormal. Mua më mjafton letërsia, madje më tepron, siç i thonë fjalës”

Ekskluzive/ Autori vazhdon komentin e “Pashallarëve të kuq”: Përmendja e Enverit, taksa që duhej paguar

Kadare: Nuk kam qenë disident

“Unë jam shkrimtar, nuk kam kërkuar titull tjetër”

 “Në asnjë rresht nuk do gjeni ta kem quajtur veten disident”, thotë Kadare në pjesën e dytë të intervistës ekskluzive që dha për Gazetën menjëherë pas zbulimit të poezisë “Pashallarët e kuq”. Unë jam shkrimtar dhe nuk kam kërkuar asnjë cilësim tjetër, pohon ai. Kadare i përgjigjet në këtë mënyrë akuzës që bëjnë kontestuesit e tij në Tiranë se “kërkon të shfaqet si disident për të arritur kështu çmimin Nobel”.

Por Kadare kundërshton qartë se ky është spekulim. “Karakteristika e spekulimit klasik fillon atje ku ngrihet një tezë e paqënë me qëllimin për ta rrëzuar më pas”, shpjegon ai. Imazhet glorifikuese për Enver Hoxhën te “Pashallarët e kuq”, Kadare i shpjegon me rrethanat në të cilat ishte Shqipëria 27 vjet më parë. Dihet tashmë se në regjime të tilla si ai i komunizmit shkrimtari paguan një tribut, një taksë për të shkruar të vërtetën, sidomos kur ajo është tejet delikate si në këtë rast”, thotë ai.

 

 

Polemika për “Pashallarët…” riktheu edhe një herë debatin e vjetër nëse zgjedhja më e mirë për një shkrimtar nën diktaturë është të shkruajë dhe të mos botojë. Ata që mbështesin këtë ide thonë se regjimeve nuk u duhen bërë koncensione. Cili është mendimi juaj?

Edhe në kohërat më të vështira çdo populli i lind dëshira për të pasur një ushqim shpirtëror. Historia e botës është më tepër histori e diktaturave, e artit që ka lindur në to, sesa historia e heshtjes”.

Pra, ju ndanim mendimin se diktaturat provokojnë një art të madh?

Jo. Por asnjë diktaturë në botë, kurrë nuk e ka shuar dot artin. Madje e quaj mendimin kolonialist që t’u kërkohet popujve të vegjël që gjatë regjimeve të rënda të heqin dorë nga arti, ndërkohë që popujve të mëdhenj nuk u kërkohet një gjë e tillë”.

A mendoni se botimi i kësaj poezie mund të nxjerrë defektet e një letërsie të shkruar jo në liri?

Çdo letërsi e shkruar jo në liri ka vetvetiu një vulë. Dhe kjo poemë ka fatin e kësaj letërsie.

Kohët e fundit disa ju kanë akuzuar se me “Pashallarët e kuq” ju u parapritë në kohë goditjeve të atyre klaneve drejtuese të diktaturës, të cilët në historiografinë komuniste njihen si “puçistët” apo “komplotistët”.

Dihet se spastrimet politike ishin pasioni kryesor i diktatorëve. Pra nuk besoj se ata kishin nevojë të nxiteshin nga ndonjë vjershë apo roman që të fillonin eliminimet politike.

Kjo akuzë më kujton thënien qesharake të dikujt, e botuar në një gazetë të huaj se “Shqipëria kishte dy diktatorë: Enver Hoxhën dhe Ismail Kadarenë, madje ky i fundit ishte më i keqi”.

Unë nuk e di që të ketë ndodhur ndonjëherë që një vepër letrare t’i ketë paraprirë një spastrimi politik. Kjo akuzë është qesharake dhe, siç e keni vënë re, në këtë poemë nuk përmenden fare fjalët “puçistë” apo “komplotistë”.

Eshtë kurioze se u kërkuan komplotistët në një poemë të palexuar dhe nuk kërkohen në një vepër të botuar dhe të njohur gjerësisht si “Koncert në fund të dimrit”. Në këtë roman ka disa dhjetëra faqe për të ashtuquajturin komplot në ushtri. Pasi mbaron së lexuari romanin, e kupton se kurrëfarë komploti nuk ka pasur”.

Çfarë donit të nënkuptonit me atë sulm që i bëtë burokracisë me këtë vepër?

“Burokracia është gjithnjë ngrehin e një sistemi shoqëror dhe politik. Në këtë poemë janë sulmuar zyrtarët komunistë shqiptarë që nga më të vegjlit deri në majat e pushtetit”.

Tonet lavdëruese që keni përdorur për Enver Hoxhën në këtë poemë a mendoni se përbëjnë një shkak që të sulmoheni sot?

Çdo kush që e ka njohur pak a shumë atë kohë, e ka të qartë se shkrimtari, për të botuar një vepër të tillë, do ta shoqëronte me njëfarë justifikimi.

Dihet botërisht se në regjime të tilla si ai i komunizmit shkrimtari paguan një tribut, një taksë, për të shkruar të vërtetën, sidomos për veprat që ishin tejet delikate, të rrezikshme. Taksa që paguhet te kjo poemë, është e vogël krahasuar me mesazhin e saj kryesor. Që të jem i qartë. Disa strofa për Enver Hoxhën dhe klasën punëtore kanë qenë farë të zakonshme për veshin e lexuesit shqiptar. Ndërkaq mesazhi kryesor i vjershës, thelbi i saj: që ky regjim i ka duart me gjak, ka qenë i pazakonshëm dhe jashtëzakonisht tronditës. Krimi dhe gjaku përbëjnë thelbin e një diktature. Nëse një letërsi arrin t’i thotë diktaturës: “Ti i ke duart me gjak”, ky është një nder për atë”.

Disa ju sulmojnë se debati mbi “Pashallarët e kuq” është nxitur nga vetë ju “me synimin për të krijuar figurën e disidentit çka do ju sillte çmimin Nobel…”

Këtë unë kurrë nuk e kam thënë në jetën time. Në asnjë rresht nuk do gjeni ta kem quajtur veten shkrimtar disident. Mua nuk më duhet ky titull. Në radhë të parë unë jam shkrimtar. Nuk kam kërkuar dhe as nuk pranoj në jetë tjetër cilësim.

E vetmja gjë që kam thënë për vetveten, është: “Jam përpjekur të bëj letërsi normale në një vend anormal”. Mua më mjafton letërsia, madje më tepron, siç i thonë fjalës.

Karakteristika e spekulimit klasik fillon atje ku ngrihet një tezë e paqenë, me qëllim për ta rrëzuar. Kjo ka ndodhur me mua në lidhje me fjalët “disident”, “internim”, etj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.