DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Pashallarët/ Çfarë shkruhej në letrën e numrit dy të Partisë së Punës. Hysni Kapo e shpëtoi Kadarenë

07:00 - 17.03.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

17 Mars 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare” dy dekada më parë




 Pashallarët/ Çfarë shkruhej në letrën e numrit dy të Partisë së Punës. Hysni Kapo e shpëtoi Kadarenë

Rrëfehet edhe Dritëro Agolli për vitet e rënda të Lidhjes së Shkrimtarëve. U përgjigjet akuzave për të kaluarën, kërkon hapjen e Arkivave dhe flet për dënimet e asaj kohe, por edhe për debatin më të fundit: Vlerat nuk preken nga karkalecat

 Kush e shpëtoi Ismail Kadarenë

Hysni Kapo: Bëri autokritikë bindëse, mos e dënoni

 Dy rreshta letër të shkruara me shkrim dore nga Hysni Kapo kanë shpëtuar Kadarenë 27 vjet më parë. “Autokritika e tij është bindëse dhe tregon se e ka pranuar gabimin. Për këtë arsye të mos merren masa kundër tij”, shkruante numri dy i Partisë së Punës

 Ishte tetori i vitit 1975. Sapo ishte hequr nga botimi dhe ishte censuruar poema “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”. Autori i saj, Ismail Kadare ishte në ditët e tij më të vështira. Në mbledhjet pa fund që zhvilloheshin sa në Lidhjen e shkrimtarëve dhe zyrën e Ramiz Alisë, poema ishte cilësuar si armiqësore. Tani pritej vetëm ndëshkimi i Kadaresë. Pozicioni i tij bëhej më i vështirë nëse kihej parasysh viti kur shkrimtari po kalonte këtë periudhë ankthi. Vetëm një vit më parë ishte ndëshkuar ai që u konsiderua si grup armiqësor në art dhe kulturë. Shkrimtarët gjendeshin nën një presion të jashtëzakonshëm. E vetmja shpresë që i mbetej Kadaresë ishte të kapej pas një autokritike të fortë. Dhe kështu bëri. Teksti i autokritikës që ka mbajtur në Lidhjen e shkrimtarëve tashmë është botuar. “I vetmi qëllim dhe preokupim i jetës sime është kthimi në llogore, në vendin e madh dhe të nderuar të ndihmësit të partisë, pa të cilën as jeta ime, as vepra ime nuk do kishin ndonjë kuptim. Për gjithë këtë falënderoj shokët që ndaluan botimin e vjershës, duke ndaluar kështu rrokullisjen time përgjithmonë në humnerë”, thuhet në autokritikën që bëri Kadare. Gjithsesi fati i shkrimtarit nuk vendosej në atë mbledhje. Vendimi përfundimtar merrej në kupolën e PPSH. Ndërkohë drejtuesit më të lartë të shtetit duhet të kenë vendosur në balancë nëse duhej dënuar apo jo shkrimtari. Kadare kishte botuar tre vjet më parë romanin “Dimri i Vetmisë së Madhe”, ku në shumë faqe të tij shfaqej dhe figura e Enver Hoxhës. Rregullat e lojës në atë periudhë ishin shumë të qarta. Nëse përfundonte në burg një shkrimtar, gjithë krijimtaria e tij ndalohej përfundimisht. Ky argument duhet ta ketë shpëtuar Kadarenë. Nuk dihet nëse ka ndonjë dokument të shkruar nga vetë Enver Hoxha për këtë çështje. Gjithsesi ekziston një shënim i shkruar nga Hysni Kapo ku “sugjerohej” që të mos merren masa. Ekzistencën e këtij dokumenti e pohon një ish-drejtues i Lidhjes së Shkrimtarëve të cilit ajo i është përcjellë.

 

Dritëro Agolli: Vlerat nuk preken nga karkalecë

Mjaft me spekulime, karkalecët nuk mund t’u shtojnë ose t’u pakësojnë vlera figurave të letërsisë, që e kanë krijuar me vepra imazhin e tyre”. Më në fund Dritëro Agolli ka pranuar të flasë, duke iu përgjigjur akuzave për Lidhjen e Shkrimtarëve, të cilat ndonjëherë nuk kanë pasur adresim konkret.

Lidhja

I pyetur për obligimin e Lidhjes së Shkrimtarëve në shpërndarjen e lejeve krijuese, atelieve për piktorët, pianot për kompozitorët dhe lehtësitë e pranimit në shkollat e larta për talentet e reja, Agolli thotë se “kjo ka qenë pjesë e detyrimeve të Lidhjes së Shkrimtarëve”. Pas shumë vitesh ai pohon se ka pasur mjaft “falënderime prej artistëve, por pa dyshim që ka pasur edhe pakënaqësi të ndryshme”. “Në sistemin që kaluam asgjë s’mund të ishte e përsosur, por unë doja që gjithçka të ishte e sinqertë”, shton ai. Ndërsa lidhur me akuzën për “mënjanimin e Lazgush Poradecit nga arti”, Agolli thotë se kjo është “një shpifje që nuk ia vlen të merresh”. Sipas tij “Poradeci ishte dhe mbetet deri në fund monumenti i poezisë shqiptare dhe dalja e tij në pension në moshën e vonë është bërë në bazë të elementeve ligjore.

Polemika

“Gjatë polemikave të fundit në shtyp dhe në libra, kam pasur mjaft telefonata që më këshillonin t’u përgjigjesha akuzave me gjuhën që meritonin, por unë kam preferuar të mos bie në nivelin e analizuesve”, shprehet Agolli. Sipas tij, “polemikat duhet të jenë të arsyeshme, për të nxjerrë konkluzione por individët nuk duhet të bëhen ithtarë për të luftuar figurat e letërsisë me synimin e rrëzimit të njërit dhe ngritjes së tjetrit”. Megjithatë dalja e poezisë “Pashallarët…” në shtyp duket se ka “qetësuar” Agollin, Kadarenë dhe gjithë bashkëkohësit që gjendeshin përballë enigmës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.