EKONOMI

2 problemet e trajtuara në “GSH”/ A e dëgjoi zinxhiri komandues i Energjisë apelin për “shtëpitë e barit” dhe “kriptomonedhat”?

18:39 - 23.03.22 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku çuditi shumëkënd mbrëmjen e 20 marsit kur lajmëroi marrjen e disa masave për kursimin e energjisë elektrike. Ajo shpalli se kishte urdhëruar ndërprerjen e ndriçimit në akset rrugore nacionale dhe brenda bashkive pas mesnatës.




Balluku nuk bëri publik ndonjë kalkulim për sasinë energjisë që do të kursehej nga këto masa, por pati zëra që e quajtën mungesën e ndriçimit publik si masë absurde.

Situata e furnizimit me energji është shumë e vështirë. E para se Fierza është në nivelet minimale të rezervës hidrike dhe e dyta, tregu ndërkombëtar i energjisë është në krizë për shkak të tkurrjes së burimeve dhe luftës në Ukrainë.

Në një artikull-analizë të publikuar dje në “Gazetën Shqiptare”, vendimi për të hequr ndriçimin e rrugëve kritikohet si masë e nxituar. Në këtë shkrim thuhet se qeveria mund të ndërmerrte masa të tjera, siç janë ndalimi i “shtëpive të barit”, pra i serave ku kultivohet kanabis sativa, dhe tjetra, ndalimi i fermave që prodhojnë kriptomonedha.

Të dyja këto “industri” të paligjshme konsumojnë sasi të konsiderueshme të energjisë dhe goditja e tyre do të ishte një masë e mirë jo vetëm në këndvështrimin penal, por edhe atë ekonomik.

Në analizën e “GSH” vihej theksi tek:

  1. Nevoja e uljes së humbjeve teknike të energjisë.
  2. Problematika e aksidenteve të ndodhura në zonat pa ndriçim.
  3. Nevoja e goditjes së “shtëpive të barit”
  4. Nevoja e goditjes së “fermave të kriptomonedhave.

Sot, “shteti” duket se ka reflektuar.

Të katërta çështje e mësipërme janë trajtuar në mbledhjen e Komitetit të Energjisë, të drejtuar nga ministrja Belinda Balluku.

Drejtori i përgjithshëm i OSHEE, Ardian Çela foli për problemin e “shtëpive të barit” dhe “fermave të kriptomonedhave” dhe premtoi marrjen e masave konkrete.

Ai bëri një paraqitje të situatës së humbjeve në rrjet dhe tha se investimet do të vazhdojnë për të ulur këto humbje.

Nuk mbaron këtu. Edhe drejtori i Rrugëve Evis Berberi njohu problematikën e ndriçimit të akseve rrugore si burim aksidenti dhe shtoi se ARRSH po përpiqet të shmangë fikjen e dritave në zonat që janë burim aksidenti.

Ndoshta është thjesht një rastësi, por fakti që Komiteti Kombëtar i Energjisë trajtoi dhe reflektoi mbi të gjitha problematikat e trajtuara jo vetëm nga “GSH”, por nga media në përgjithësi, është një lajm i mirë.

Energjetika shqiptare me siguri është e sëmurë, por si për çdo problem shëndetësor, puna më e vështirë është diagnostifikimi i sëmundjes. Protokolli i “shërimit” të problematikës së energjisë nuk ka nevojë për shpikje. Mjafton të ndiqen rastet e suksesshme të vendeve që e kanë kuruar këtë problem prej dekadash.

Me sa duket është kohë reflektimesh. Ashtu siç kryeministri dëgjoi zërin e protestuesve dhe ndërhyri në treg për ndalimin e rritjes frenetike të çmimeve, ashtu “zinxhiri komandues i energjisë” ka dëgjuar më në fund apelin e medias.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.