DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Afera e AKP, ndërtesa ngjitur me ish-shtëpinë e Enver Hoxhës. Një vilë e Bllokut shitet 2.5 milion lekë

07:00 - 24.03.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 24 Mars 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare” dy dekada më parë




 Afera e AKP /Ndërtesa ngjitur me ish-shtëpinë e Enver Hoxhës. Një vilë e Bllokut shitet 2.5 milion lekë

 Shitja e godinës është firmosur në 28 dhjetor të vitit të kaluar. Gjithë misteri i tenderit të Agjencisë Kombëtare të Privatizimit. Ndërtesa dy katëshe me sipërfaqe 530 metra katrorë është fituar në tender me vlerën fillestare

Ndërtesa dy katëshe me sipërfaqe 530 metra katrorë është fituar në tender me vlerën fillestare

Skandali i AKP, një vilë e Bllokut shitet 2.5 milionë lekë

Hije skandali rrethojnë një tender të zhvilluar nga AKP paraditen e 289 dhjetorit të vitit të kaluar. Në një ditë të tillë mes dy festave, Agjensia Kombëtare e Privatizimit ka firmosur blerjen e një vile dykatëshe në ish-bllokun e udhëheqjes vetëm për 2.571.062 lekë. Para të cilat kanë dalë nga xhepi i një individi dhe kanë shkuar në arkën e shtetit.

 

 

Vila 32/1 ndodhet në krah të ish vilës së Enver Hoxha që aktualisht shërben si rezidencë qeveritare. Me një sipërfaqe prej rreth 530 metra katrorë, në vendin më të kërkuar nga të gjithë firmat e ndërtimit dhe nga të gjithë shqiptarët. Pronë e Drejtorisë së Pritjes, vila është shitur me vlerën fillestare të hapjes së tenderit.

Ankandi

Ankandi ka filluar në orën 9 të mëngjesit. Për vilën kanë qenë 8 kërkesa por në tender ka marrë pjesë vetëm një person, i cili është shpallur fitues. Oferta e dhënë nga fituesi ka qenë vetëm 2.571.062 lekë. E barabartë me vlerën fillestare të ankandit. Për blerjen e vilës janë tërhequr dokumentat nga 8 persona. Të gjithë këta persona kishin dijeni për vendndodhjen e vilës dhe kishin përgatitur ofertat e tyre. Kjo ishte gjendja deri atë ditë. Por më vonë nga 8 personat e interesuar, 3 nga këta tërhiqen. Në orën 11, çuditërisht nga pesë personat e mbetur për të marrë pjesë në ankand, është paraqitur vetëm njëri me ofertën e rreth 2.5 milionë lekëve. Gazeta është në dijeni dhe ka prononcime se ofertat e konkurruesve të tjerë të tërhequr kanë qenë më të mëdha se 100 mijë dollarë. Njëri nga të interesuarit për të blerë vilën, ka arritur të ofrojë deri në 300 mijë dollarë. Por AKP ka shpallur si fitues ofertën e vetme 2.572 milionë lekë. Tenderi është quajtur i përfunduar dhe oferta e pronësia është firmosur nga vetë drejtoresha e AKP.

Vila

Një vilë që do ta kishte zili gjithkush. Si nga përmasat, 2 katëshe rreth 530 metra katrorë, si nga gjendja e mirë ashtu edhe nga vendi ku ndodhet. Duhet theksuar se Vila 32/1 në Rrugën “Pjetër Bogdani”, është ngjitur me rezidencën qeveritare, ish godinën luksoze ku ka banuar Enver Hoxha. Deri para pak kohësh oborri dhe disa nga ambientet e vilës ishin shndërruar në një restorant. Vila është buzë rrugës dhe ka qenë pronë e Drejtorisë së Pritjes. Kjo vilë ka qenë e banuar nga një familje me qera dhe është cilësuar si pronë e shtetit. Kjo ka bërë që vila të dilte në ankand dhe të vlerësohej nga Agjensia kombëtare e Privatizimit. Vila ka dritare nga rruga dhe nga kopshti i vilës së famshme të Enver Hoxhës.

Vlerësimi

Shumica e shqiptarëve do t’i merrnin borxh aq para vetëm për t’u bërë pronarë të një sipërfaqeje të tillë në një vend kaq të lakmuar si ish Blloku. Agjensia Kombëtare e Privatizimit, me specialistët dhe drejtuesit e saj e vlerësoi këtë vilë vetëm me 2.571 milionë lekë. Kjo është pika më e errët e gjithë kësaj historie. Në Tiranë është vështirë të gjesh një apartament me kaq para. Në qendër as nuk bëhet fjalë për çmime të tilla, por edhe në periferitë e qytetit vetëm një garsonierë ose një apartament një dhomë e një kuzhinë kushtojnë minimumi 22 mijë dollarë, rreth 30 milionë lekë të vjetra. Mjaftojnë të përmendim çmimet e zonës së bllokut për një apartament banimi me një sipërfaqe 120 metra katrorë. Përballë vilës në fjalë ka kohë që është ndërtuar një pallat. Çmimet e apartamenteve në këtë pallat i kalojnë 50 mijë dollarët. Bëhet fjalë vetëm për një apartament, ndërkohë që pallatet kanë mbi 30 të tilla. Por AKP nuk e ka vlerësuar si kusht të mjaftueshëm vendndodhjen e vilës për të rritur çmimin e saj. Amortizimi i vilës siç duket ka fituar shumë pikë nga vlerësimi i  AKP, pavarësisht se në vilë deri para pak kohësh ka pasur një restorant dhe se sipas informacioneve dhe të dhënave të Gazetës, ish qeraxhiu ka investuar rreth 30 mijë dollarë në vilë. Fakt tjetër që e bën vlerësimin e AKP të dyshimtë dhe të padrejtë, është vendi. Vendi ku ndodhet vila nuk ka nevojë për koment, përderisa edhe vetë krerët e diktaturës së atëhershme e kanë vlerësuar si zonë për të banuar vetë. Aq më tepër kur dihet se tashmë ish blloku, është vendi më i lakmuar nga e gjithë Tirana. Kjo shihet qartë nga zhvillimet e mëdha të ndërtimit në këtë zonë. Por të gjitha këto kushte favorizuese dhe sipërfaqja e vilës janë vlerësuar vetëm me 2.571 milionë lekë nga AKP. Komenti në këtë rast është i thjeshtë dhe gjithkush është në gjendje ta bëjë vetë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.