DOSSIER

“Pse urdhërova burgosjen e djalit të Ballukut dhe Kiço Ngjelës”- rrëfimi i Kadri Hazbiut para hetuesve

14:36 - 25.03.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

AFRIM IMAJ/ I akuzuar se ka sabotuar vijën e partisë për parandalimin e veprimtarisë armiqësore, Kadri Hazbiu shpjegon para hetuesve në prill të ‘83 se në asnjë rast nuk i ka lejuar vetes të kryejë veprime në kundërshtim me kërkesat e detyrës.




Më shumë se kaq, njeriu me një karrierë të suksesshme në organet e shërbimit të fshehtë sjell kundërargumentet e tij përballë akuzave se ka shtrembëruar porositë e Enver Hoxhës lidhur me përmirësimin e praktikave të kontingjenteve të Policisë Sekrete. “Nëse më adresohet si përgjegjësi, shprehet Hazbiu, fakti i rritjes së numrit të kontingjenteve nga 17.767 që ishin në vitin 1973, në 68.814 në vitin 1975, këtë e pranoj si një mangësi që ka të bëjë me moskuptimin e drejtë të kritereve të dhëna nga partia dhe udhëheqësi”.

Për ish-ministrin e kryqëzuar, reduktimi i ndjeshëm i kontingjenteve me prirje armiqësore në vitin ‘73 ka ardhur si pasojë e shkurtimit të punëtorëve operativë të zonave, që sipas tij është bërë me orientim të udhëheqjes politike. Ka qenë kjo ndërhyrje, sqaron Hazbiu në seancën gjyqësore, që ka lënë zbuluar një numër të madh të dyshuarish, të cilët kanë vazhduar veprimtarinë e tyre armiqësore, madje deri në arratisje jashtë shtetit.

Pesëfishimin e numrit të kontingjenteve në vitin ‘75, ku çdonjëri prej tyre mbulohej nga një bashkëpunëtor i fshehtë, ish-ministri e demonstron si reflektim të drejtpërdrejtë të vërejtjeve të udhëheqësit për vendosjen e kontrollit të rreptë ndaj elementit dyshues.

Pjesa në vijim që “Panorama.al” boton sot nga libri i Kastriot Dervishit, “Kadri Hazbiu, krimet dhe vrasja e tij”, shpërfaq pikëpamjet e ish-ministrit të Brendshëm për frymën e Kongresit të 20-të të PK të BS dhe përgjigjet e tij në adresë të akuzave për interpretime të gabuara të disa prej çështjeve të shqyrtuara nga partia pas konferencës famëkeqe të Tiranës së vitit ‘56…

DOKUMENTI

23.4.1983 Pyetje: Na shpjego, i pandehur, cilat kanë qenë pikëpamjet që ke pasur në lidhje me materialet e Kongresit të 20-të të Partisë Komuniste të BS dhe a i ke biseduar tezat revizioniste të këtij kongresi me ndonjë person?

Përgjigje: Pikëpamjet e mia për Kongresin e 20-të të PK të BS kanë qenë që në fillim pikëpamje në përputhje me vijën e PPSH. Në vijë partia jonë nuk ka ndryshuar sipas tezave të Kongresit të 20-të, kurse qëndrime taktike ajo ka mbajtur në periudhën deri në Kongresin e 3-të të saj, në kushtet e krijuara pas Kongresit të 20-të të Partisë Komuniste të BS. Qëndrimi im për problemet e Kongresit të 20-të është mbështetur në vijën e partisë, që nuk ka ndryshuar në qëndrimet zyrtare që ka mbajtur në shtyp, në orientimet, zbërthimet dhe udhëzimet e KQ të Partisë, që në atë kohë ishin të vazhdueshme për probleme të ndryshme.

Pyetje: A je pajtuar me pikëpamjet e Kongresit të 20-të të PK të BS në lidhje me problemin e qëndrimit ndaj Jugosllavisë, për qëndrimin ndaj imperializmit dhe për kultin e individit? A ke bërë komente armiqësore me ndonjë person për këto probleme?

Përgjigje: Unë kam mbajtur qëndrimin që ka mbajtur Partia për këto probleme. Në këtë frymë kam biseduar dhe kam bërë zbërthime për këto çështje. Unë kam biseduar me persona të ndryshëm sipas udhëzimeve të partisë. Nuk jam në gjendje të kujtoj nëse kam pasur paqartësira në lidhje me problemet dhe tezat e Kongresit të 20-të. Udhëzimet e zbërthimit, detyrat që kam vënë, puna që kam bërë, janë bërë nën kujdesin dhe kontrollin e partisë që nga udhëheqja më e lartë, K.Qr dhe komitetet e partisë në rreth.

25.4.1983 Pyetje: Na shpjego, i pandehur, si është vepruar për zbatimin e porosive të partisë pas vitit 1974 dhe ç’ka dalë nga kontrollet për problemin e kontingjenteve?

Përgjigje: Me sa më kujtohet, duhet të jenë marrë masa në drejtim të rishikimit të udhëzimit “Mbi kontingjentet”. Vërejtjet e udhëheqësit të partisë për problemin e kontingjenteve unë ua kam bërë të njohura edhe vartësve të mi, si Feçorr Shehu etj. Nuk më kujtohet mirë nëse është pas relacionit që i dërguam udhëheqësit të partisë për kontingjentet dhe vërejtjeve që bëri ai për këtë problem. Kur kam shkuar në një rast në Sarandë, kam gjetur një kuptim të ngushtë të problemit të kontingjenteve që ishte rrjedhim i një udhëzimi, zbërthimi apo leksioni të gabuar të dhënë nga Feçor Shehu që ishte drejtor i Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit. Këtë shtrembërim unë e kam bërë problem dhe e kemi parë edhe në rrethe të tjerë dhe u morrin masa për ta venë në vend. Më kujtohet se Feçor Shehun në atë kohë e kam kritikuar për këtë paqartësi që kishte lejuar dhe për mungesën e kontrollit të unifikimit të gjykimit mbi udhëzimin për kontingjentet.

Pyetje: Na shpjego i pandehur, kush dhe në ç’rrethana e ka dhënë orientimin që të mbahen aq kontingjente e përpunime sa mund të mbahen nga punëtorët operativë?

Përgjigje: Me sa më kujtohet, këtë çështje e kam trajtuar unë pas vitit 1955 kur u bënë shkurtime organike në kuadrin e luftës kundër burokratizmit. Ideja se si e kam trajtuar unë këtë ka qenë që, nëse kushtet kur u zgjeruan zonat e punëtorëve operative, nuk u përmbaheshin lokaliteteve, lindte problemi që disa punëtorë operative ngarkoheshin tej çdo mase me përpunime, kontingjente dhe agjenturë, kurse disa të tjerë nuk kishin ngarkesë të plotë. Gjithnjë duke iu përmbajtur detyrës themelore që organi duhet të mbulojë me forcat e tij kontrollin mbi veprimtarinë armiqësore, kam vënë detyrën që shefat e organeve duhet të përdorin në mënyrë efektive të gjithë forcën e agjenturistëve, që do të thotë që të gjithë të kenë ngarkesë të mbajtshme.

Në këto rrethana u është lënë e drejta që të manovrojnë ngarkesën midis punëtorëve operativë të zonave e midis tyre dhe oficerëve të drejtimit për të siguruar një ngarkesë normale të të gjithëve dhe në rast se edhe duke e bërë këtë nuk mjaftonin forcat, atëherë duhet të kërkonin shtesë organike. Unë di që ky udhëzim është kuptuar drejt në atë kohë dhe nuk di nëse është degjeneruar më vonë nga Feçor Shehu ose të tjerë. Si rrjedhim i orientimit që kam dhënë unë, të cilin e konsideroj të drejtë, në qoftë se nuk ka degjeneruar nga të tjerët, nuk ka pse të kishte pasoja luhatje në dinamikën e përpunimeve të kontingjenteve dhe të agjenturës. Për këtë duhet të përgjigjet Feçor Shehu etj., që i kanë dhënë tjetër kuptim këtij orientimi së bashku me shtrembërimet liberale në tërësi, ky veprim çon në dobësimin e kontrollit mbi veprimtarinë armiqësore.

5.5.1983 Pyetje: Na shpjego, i pandehur, si i ke marrë parasysh vërejtjet e bëra nga udhëheqësi i partisë për problemin e kontingjenteve, kur numri i tyre një vit pas relacionit që keni bërë, për të cilin keni dhënë shpjegime më parë, është rritur në raport me vitin e mëparshëm?

Përgjigje: Nga shifrat e statistikave për kontingjentet e organeve të Sigurimit të Shtetit për vitet 1973- 1980 që m’u paraqitën, nuk nxjerr dot konkluzione se nuk janë kuptuar e zbatuar drejt porositë dhe vërejtjet e udhëheqësit të partisë. Ai mund të dalë nga analiza që mund t’u bëhet kontingjenteve konkrete e çdo punëtori operativ dhe në çdo organ, si dhe dinamikës që pësojnë ato. Nga të dhënat statistikore unë nuk shikojë ndonjë anomali në problemin e kontingjenteve. Të meta e gjykime subjektive në punëtorë operativë ose organeve të veçanta mund të ketë. Për këtë problem unë nuk shikoj që të ketë ndonjë shtrembërim të vijës së partisë, por të meta të zakonshme. Për sa i përket rritjes së numrit të kontingjenteve nga 17.767 që ishin në vitin 1973, në 68.814 në vitin 1975, ndiej përgjegjësi për moskuptimin dhe moszbatimin drejt të kritereve të dhëna dhe për liberalizimin e lejuar që kanë sjellë këto luhatje, siç e kam pranuar edhe në proceset e mëparshme….


Rregullat e regjimit

“Sigurimi bënte çdo vit 260 arrestime dhe 10 pushkatime për tradhti”

“Të ulim kontingjentet, të shtojmë arrestimet! Me këtë orientim të krerëve të Sigurimit arritëm në 260 prangosje dhe 10 pushkatime në vit vetëm për “tradhti ndaj atdheut”. Llambi Peçini, ish-funksionari i lartë i Shërbimit të Fshehtë, duke argumentuar pozicionin e tij në devijimin e politikës së goditjes, zbulon në gjyqin e Kadri Hazbiut shifrat tronditëse të viktimave të Policisë Sekrete.

Mjaft syresh do të viheshin përballë skuadrave të pushkatimit e do të syrgjynoseshin në ferrin e burgjeve komuniste si të dyshuar për krimin e arratisjes e të organizimit të përmbysjes së pushtetit popullor. Një armatë e tërë ndërkaq me familjarët dhe të afërmit e tyre do të degdiseshin në kampet e internimit. “Arritëm deri aty, shprehet Llambi Peçini, sa vumë kriter për punëtorët operativë sasinë e arrestimeve.
Ai që kishte shifrat më të larta, dekorohej e rritej në përgjegjësi”. Gjithë këtë fushatë spastrimi ishkryetari i Policisë së Vlorës e vlerëson si zbatim të mbrapsht të direktivës së partisë nga Kadri Hazbiu dhe krerët e tjerë të Ministrisë së Brendshme. Madje, siç dëshmon Peçini, kjo goditje masive vijoi edhe kur tërhoqi vëmendjen Sekretari i Parë i KQ, me porosinë që arrestimet të ishin fisheku i fundit i luftës kundër veprimtarisë armiqësore.

Ai sjell fakte se pas kritikave për uljen e kontingjenteve u kalua në ekstremin tjetër dhe në listat e tyre u futën njerëz më radhë. Më tej, ish-funksionari i lartë i Sigurimit mundohet të rrëzojë akuzat që i janë bërë në proces, sipas së cilave ai ka marrë në mbrojtje familjarët e bllokmenëve të dënuar si komplotistë e tradhtarë. Në kundërpërgjigje të kësaj, pohon se me urdhrin e tij ka futur në burg për “veprimtari antiparti” e “agjitacion e propagandë” djalin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Vladimir Ballukun, dhe atë të Kiço Ngjelës, Spartak Ngjelën, të cilët janë ndëshkuar me dënime të rënda.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.