DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Policia e OKB, Arrestohen dy punonjës të Kompanisë. “Gërvisht dhe Fito” bllokohet në Kosovë

07:00 - 27.03.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

27 Mars 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare” dy dekada më parë




 

Policia e OKB,  Arrestohen dy punonjës të Kompanisë

“Gërvisht dhe Fito” bllokohet në Kosovë

Policia e UNMIK ka kyçur zyrën qendrore të “Alsit”. Zëdhënësi Capell: Nuk kishte bileta fituese

Kosovë, arrestohen dy punonjës të kompanisë

Bllokohet “Gërvisht dhe Fito” në Kosovë. Që prej disa ditësh selia në Kosovë e kompanisë “Alsit”, e cila është edhe organizatore e lojës së fatit, edhe në Shqipëri, është kyçur nga forcat e policisë ndërkombëtare. Ndërsa dy punonjës të kësaj kompanie, gjenden të arrestuar si të dyshuar se kanë keqpërdorur “fatin” e disa prej fituesve të llotarisë. Megjithatë, qytetarët e Kosovës vazhdojnë të “gërvishtin” biletat e llotarisë dhe nëse ndonjë fatlum fiton ndonjë diçka, nuk ka se ku të drejtohet për të tërhequr fatin e konvertuar në euro.

 

Duket se problemet e llotarisë “Gërvisht dhe fito” kanë nisur disa ditë më parë. Më 21 mars, rreth orës 14.30 minuta, autoritetet e policisë ndërkombëtare, kanë arrestuar një të ri nga Shkupi, Nexhmedin Sejdiovski, si fitues falso. Sipas burimeve hetimore, Nexhmedini në këmbim të një shume të hollash para kamerave televizive është paraqitur fituesi i 250 mijë DM (Dojçmarkave). Tomë Gashi, avokati i të arrestuarit, që akuzohet për veprën penale të mashtrimit thotë, se “sipas njoftimeve të policisë klienti im është dyshuar se ka marrë para nga organizatorët e një loje fati, në këtë rast “Gërvisht dhe fito” për të dalë para kamerave televizive dhe të deklarohet se ka fituar 250 mijë DM, pra kemi të bëjmë me veprën penale të mashtrimit”, thotë Gashi i cituar nga “Zëri”.

Loja

“Qytetarët kanë paguar të holla duke blerë bileta llotarie, me të cilat nuk mund të fitohet, ndërsa biletat që kanë çmime brenda janë ndaluar nga organet e kompanisë “Alsit” – kjo është deklarata e zëdhënësit të policisë së UNMIK-ut Derek Çapell. I dyshuari i parë që është prangosur është Arge Gjergji, punonjës i kompanisë, shtetas e banues në Shqipëri. Gjergji është grindur me kolegun e tij, Nezir Hajdari, dhe shkak për grindjen është bërë një biletë fituese. Sipas gazetës “Zëri” sherri mes dy punonjësve të llotarisë ka nisur për shkak të pagesës që duhet t’i bënin një bilete fituese. Njëri prej tyre ka nguruar që të paguajë fituesin me dyshimin se  bileta mund të ishte e falsifikuar. Mesa duket “fituesi i humbur” ka denoncuar në polici dhe që në atë moment ka ndërhyrë policia duke arrestuar dy punonjësit dhe duke bllokuar selinë e kompanisë. “Autoritetet hetimore duket se kanë gjetur mangësi edhe në dokumentacionin e kompanisë. Megjithëse administratori i firmës, Engjëll Burimi, demonstron dokumentacionin për të thënë se ka të gjitha lejet, e në askund prej tyre nuk përmend lojërat e fatit” shkruhet në gazetën “Zëri”.

Konkurrenca

Drejtori i llotarisë së Kosovës, Bashkim Sllamniku, thotë se liçensën për lojërat e fatit e ka vetëm “Llotaria e Kosovës”. “Këtë të drejtë e kemi në bazë të ligjit të vitit 1989, mbi lojërat e fatit. Por në bazë të rregullores së UNMIK-ut ai ligj vlen edhe tani, ndërsa të gjitha lojërat e fatit të organizuara nga individët e ndryshëm janë ilegale dhe të dyshimta” thotë Sllamniku, duke shtuar se vetëm shteti (por në këtë rast Kosova nuk është ende shtet) ka të drejtë për organizim të lojërave të fatit. Një komision i Bashkimit Europian që merret me çështjet e lojërave të fatit, në një takim të mbajtur në Bruksel më 6 dhe 7 mars të këtij viti u ka bërë apel shteteve të ndryshme sidomos atyre ballkanike që të kenë kujdes në organizimin e lojërave të fatit. Në një dokument të lëshuar nga ky komision i nënshkruar nga Benerdet Lobjois thuhet, se monopolin mbi lojërat e fatit duhet ta kenë shtetet e jo iniciativat private.

“Gërvisht dhe Fito” nga Shqipëria kaloi në Kosovë

“Gërvisht dhe Fito” ka lindur në Shqipëri në vitin 1998, si kompani e licensuar nga Ministria Shqiptare e Financave. Dhe që prej asaj kohe vazhdon të funksionojë ende. Ka shpallur herë pas here fitues. Afro dy vjet më parë me hyrjen në Kosovë të autoriteteve ndërkombëtare “Gërvisht dhe Fito” hapi filialin, u zgjerua edhe në Kosovë. Sipas drejtuesve të filialit të Kosovës vetëm gjatë vitit 2001, kompania ka shitur 7 milion bileta ndërsa për këtë vit ka parashikuar që numri i tyre të rritet në më shumë se dyfish, duke shkuar në 15 milion. Sipas presidentit të kompanisë Engjëll Burimi, rreth 50 për qind e shitjeve shkon për fitime, ndërsa vetëm në Kosovë ka punësuar 40 punonjës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.