DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Seriali vazhdon, gjithë detajet e vrasjes së Erald Hashorvës. Ekzekutim në emër të Rrugës së Kavajës

07:00 - 02.04.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

2 Prill  2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare” dy dekada më parë




Seriali vazhdon, gjithë detajet e vrasjes së Erald Hashorvës

Ekzekutim në emër të Rrugës së Kavajës

Nëntë plumba të një automatiku “Scorpion” me silenciator i kanë marrë jetën 26-vjeçarit në qendër të Tiranës. Hetuesit e lidhin ngjarjen me larjen e hesapeve mes djemve të “Rrugës së Kavajës”.

Policia: Kishte precedentë penal, vjet e arrestuam disa herë.

Rrëfimi i dëshmitarëve në vendngjarje dhe fqinjëve të viktimës

 

 

Rrëfimi i rojës së parkingut

“Eraldin e takova një ditë më parë”

Në fillim të rrugicës, ku banon familja Hashorva, pasditen e djeshme është vetëm një furgon i ndaluar që pret të mbushet me pasagjerët e fundit, disa djem të rinj që i shmangen çdo pyetjeje dhe pak dyqane që kanë mbetur akoma hapur. Kalimtarët janë shumë të rrallë. Me sytë që i drejton për nga fundi i rrugicës një djalë i ri na thotë se shtëpia është poshtë tabelës së “basteve”. Kaq. Askush nuk di të thotë, apo nuk do që të thotë më shumë. Mbyllin me shpejtësi dyert e lokaleve, apo thjeshtë shpejtojnë hapat për në “punën” e tyre…

“Dje e takova eraldin, sot u bë për rahmet”. Këto kanë qenë fjalët e para të të vetmit njeri që pranoi se e njihte dhe se komunikonte me 26-vjeçarin. Roja i një parkingu pranë shtëpisë së familjes Hashorva, ka treguar pasditen e djeshme për Gazetën, se e kishte takuar një ditë më parë Eraldin, për të cilin thoshte se ishte një djalë i sjellshëm. Një ditë më parë, njeriu të cilin dje e ekzekutuan në një mënyrë që është pak për të thënë profesionale, disa netë më parë i kishin vjedhur kasetofonin e makinës së tij brenda oborrit të shtëpisë. Nuk e dinte saktë se kush kishte dalë nga burgu. Nga dera gjysmë e hapur e oborrit të shtëpisë së familjes Hashorva, duket se shtëpia është e shkretë. Në derën prej hekuri është e vënë një copë e vogël letre ku me një shkrim të kujdesshëm dore lajmërohen njerëzit, të afërmit se “Besniku dhe Shkëndija (prindërit) presin te Bardhi”. E çuditshme, por siç na shpjegoi roja e parkingut, megjithëse kjo familje kishte si pronë gjithë vilën dykatëshe, ajo banonte vetëm në një dhomë, pjesa tjetër banohej nga qirazhinj, që nuk dilnin nga shtëpia. “Janë të dy mjekë” – na shpjegon roja. “Besniku, i cili është me origjinë nga Gjirokastra është mjek, ndërsa Shkëndija është dentiste. Eraldi më duket se kishte mbaruar edhe ai një shkollë të lartë”. Të kontaktosh me të afërmit e Eraldit dje ishte e pamundur…

 

Policia e kishte informuar Prokurorinë: Djali është në rrezik

Ishte liruar një muaj më parë nga burgu

Bilbil Mema: Një pjesë të fajit e ka Drejtësia                                                                                                                                                                                                                    

Gjenerali Bilbil Mema, drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, thotë për “Gazetën Shqiptare”, se për vrasjen e bujshme të ndodhur dje në Tiranë, “ka faj edhe Drejtësia”. Sipas Njëshit të Policisë Shqiptare, Erald Hashorva është kapur nga policia në tetor të vitit të kaluar dhe vetëm 1 muaj më parë është liruar. Gjeneral Mema shpreh shqetësimin për mënyrën sesi “katandisen” dosjet e policisë në prokurori e gjykatë për ngjarje të rënda që bëjnë pjesë në serialë të krimit të organizuar. Eshtë e vërtetë që Eraldi është akuzuar për armëmbajtje pa leje dhe është dënuar për të njëjtën gjë, por ai në dosjet hetimore rezulton në zinxhirin e vrasjeve 5-vjeçare të historisë më tragjike të luftës së klaneve të drogës në Shqipëri. Ndoshta është rastësor në këtë “zinxhir” që ka marrë jetën e më shumë se 40 njerëzve të lidhur direkt apo si “viktima” të këtij “seriali kiler”. Bëhet fjalë për dosjen e djemve të Rrugës së Kavajës. Të gjithë ish-shokë dhe kushërinj, ishin rritur bashkë, nisën “të bëjnë pare bashkë”, por, pas prishjes së pazareve 5 vjet më parë, gjatë këtyre viteve ekzekutuan njëri-tjetrin në mënyra të sofistikuara dhe të bujshme… gjithsesi, në vrasjen e djaloshit 25 vjeçar, Erald Hashorva, ka një enigmë… Përse u lirua një muaj më parë?! Përderisa policia me dosjet e saj kishte “informuar” prokurorinë dhe kjo e fundit gjykatën për faktet se Hashorva ishte person i rrezikuar në çështjen “Djemtë e Rrugës së Kavajës”, duket se 25-vjeçari është nxjerrë nga burgu për t’u vrarë. Këtë hipotezë nuk e pohon asnjë nga krerët e policisë së Tiranës, por duke “akuzuar” drejtësinë, policia këtë herë i kërkon fajtorët “ e një vrasjeje të paralajmëruar” (ashtu si ka ndodhur edhe herë të tjera) te Gjykata.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.