Kronikë

Atentati nën errësirën e dritave të fikura/ Nga fusha e minierave, te grabitja e Rinasit! 3 pistat për vrasjen e Iliaz Çalit

22:25 - 04.04.22 K.K
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një vrasje me armë zjarri ndodhi mbrëmjen e së dielës në aksin Tiranë-Durrës përballë DHL-së, ku viktimë mbeti Iliaz Çali. Viktima është qëlluar ndërsa lëvizte me një mjet “Land Rover”.




Fikja e dritave që supozohet të ndriçojnë rrugën gjatë orëve të darkës, pretendohet se ka favorizuar autorët për ta kryer atentatin dhe për t’ia mbathur nga vendngjarja pa u pikasur.

Targat e mjetit me të cilat ai lëvizte ishin AB 998 AS, i cili ishte dhënë me qira. Iliaz Çali nuk është një emër i panjohur për policinë.

Më 2 korrik të vitit 2016-të pas grabitjes së parave në aeroportin e Rinasit, forcat policore duke ushtruar kontroll në të gjitha banesat, gjatë kontrollit rastësor në kërkim të pistave që mund t’i çonin tek grabitësit e parave, gjetën në një banesë 682 rrënjë kanabis.

Në atë periudhë policia vuri në pranga Xhemile Çalin si dhe shpalli në kërkim djalin e saj, Iliaz Çali.

Çfarë thotë eksperti i kriminalistikës?

Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço, ka komentuar atentatin e mbrëmjes së të dielës ku mbeti i vrarë Iliaz  Çali. Ai tha se për këtë vrasje janë 3 pista hetimi, e para është konflikti për biznesin e kromit, pista e dytë ajo e lëndëve narkotike dhe pista e tretë grabitja e parave në Rinas.

Profesori i kriminalistikës tha se si vrasja e Çalit ashtu dhe ajo e Dumanit tregojnë se sot në Shqipëri grupet kriminale apo individë të caktuar lëvizin të armatosur nën “hundën” e policisë dhe nuk i ndalon askush.

“Janë 3 pista sepse normalisht është fokusuar tek fusha e minierave, është fusha e narkotikëve, por edhe pista e vjedhjes së Rinasit, sepse siç e dimë ky person dyshohej në vitin 2016-të që të kishte marrë pjesë në grabitjen e Rinasit, dhe gjatë kontrollit të ushtruar ju gjetën dhe bimë kanabisi. Si ka mundësi që ekziston në ekstraktet e QKB-së dhe rezulton i kërkuar në policia e shtetit.

Çfarë e lidh ngjarjen e djeshme me ngjarjen e Dumanit është kjo se këta lëvizin të armatosur, lëvizin të lirë dhe nuk i kap policia. Dumani u gjet vetëm pas një telefonate, u kap i plagosur dhe i armatosur. Këto ngjarje duhet të parandalohen me informacione. Ngjarja e mbrëmshme afër Rinasit,  dy makina duke lëvizur me shpejtësi, plumbat që shkonin në drejtim të bizneseve. Janë 600 raunde në sekondë të Kallashnikovit, 350-400 metra që shkon plumbi, kallashnikovi është armë lufte dhe rrezikon jetën e kalimtarëve, ato breshëri kanë qenë një rrezik shumë i madh për jetën e qytetarëve”, tha Karamuço.

Gjithashtu, ai shtoi se në të gjitha rastet, përfshirë dhe atë të Astirit, personat që kryejnë krime po shfrytëzojnë errësirën. Sipas tij heqja e dritave në akset kryesore gjatë natës, është kthyer në një situatë që favorizon krimin.

“Fikja e dritave në rrugë konsum shumë i vogël, si të hedhim një gotë ujë në Fierzë”

Në fund të marsit, eksperti i energjitikës, Azmer Duleviç foli për situatën e krizës energjitikë në vendin tonë, teksa Liqeni i Fierzës ka arritur pikën kritike dhe është shumë afër tharjes.

Duleviç theksoi se fikja e dritave në rrugë ka konsum shumë të ulët dhe është sikur të hidhet një gotë uë në Fierzë dhe se kjo situatë ka ardhur nga keq menaxhimi që i është bërë hidrocentralit të Fierzës.

“Fikja e dritave në rrugë kanë konsum shumë të vogël. Dhe është si të hedhim një gotë ujë në Fierzë. Vende të ndryshme të rajonit i ke me panele diellore. Ne nuk e bëjmë. Duhet të bëhet edhe tek ne”, tha ai.

“Nuk janë marrë masa për rrjedhjen e të dhënave”

Eksperti ka komentuar edhe skandalin e rrjedhjes së të dhënave, duke iu referuar raportit të “Amnesty International” për Shqipërinë. Në shtete serioze këto raporte cilësohen shumë të rëndësishme, madje studiohen dhe merren plane masash, tha Karamuço.

Ai theksoi edhe se një nga pikat më të nxehta të raportit ishte dalja e të dhënave personale, për të cilën sot ende nuk ka asnjë përgjegjës. Në raportin e “AI” thuhet se për rrjedhjen e të dhënave personale ende nuk janë marrë masa nga ana e institucioneve, ku një nga masat do të ishte ndryshimi i numrave të “ID”, pasi sot të gjithë shqiptarët dinë të dhënat personale të njëri-tjetrit, sipas tij.

“Janë fokusuar në disa ngjarje të ndodhura në vitin 2021. Raporti i Ai është shumë i rëndësishëm, në vendet e BE merret dhe studiohet6 për të nxjerrë plane masash, reflektohet në të gjitha politikat ndërkombëtare. Ata e kanë nisur me vjedhjen e të dhënave personale, kjo çështje vazhdon të hetohet, madje u tha se mund të ketë lidhje me një oligark rus, por dhe kjo çështje po hetohet. Aty flitet për ID, a do të ndryshohet ID se ne dimë të dhënat personale të njëri-tjetrit, po ashtu dhe për targat e makinave. Ata e kanë lënë ende si problematikë.  Ata e shikojnë si shkelje të të drejtës private”, tha Karamuço.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.