BOTA

Pse fitoi përsëri Kryeministri autokratik i Hungarisë, Viktor Orban?

16:18 - 06.04.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Zgjedhjet e përgjithshme në Hungari treguan se votuesit janë të gatshëm të mbështesin një lider që shkel normat evropiane, nëse kjo u shërben interesave të tyre ekonomike. Sfida për kundërshtarët e Viktor Orbanit është të hartojnë politika ekonomike dhe sociale që tërheqin jo vetëm klasën e mesme në rritje, por edhe ata të lënë pas nga agjenda e Orbanit.




Kryeministri autokratik i Hungarisë, Viktor Orban, pritej të fitonte rizgjedhjen për një mandat të katërt radhazi katërvjeçar këtë fundjavë, për shkak të një sistemi zgjedhor të manipuluar dhe një media të kontrolluar kryesisht nga shteti që e bëri të pamundur që opozita e bashkuar të arrinte shumë votues. Por shkalla e fitores së Orbanit tronditi shumicën e vëzhguesve. Kandidati i “Të bashkuar për Hungarinë” Peter Marki-Zay humbi votën popullore me 53% kundrejt 35%, duke i dhënë Partisë Fidesz të Orbanit edhe një supershumicë kushtetuese në parlament. Ishte një humbje dërrmuese edhe për Bashkimin Evropian.

Ndoshta rezultati do ta detyrojë opozitën e Hungarisë të marrë parasysh arsyet kryesisht ekonomike pse kaq shumë hungarez votojnë për Orbanin. Pas fitores gjithëpërfshirëse të Fidesz në zgjedhjet e 2010 dhe viteve të vështirësive ekonomike, shumica e hungarezëve përjetuan një rritje të standardeve të jetesës. Ndërsa një rimëkëmbje ekonomike pas vitit 2014 që krijoi mijëra vende të reja pune e ndihmoi Orbanin, politikat e tij luajtën një rol të madh, duke krijuar një koalicion ndër klasor për Fidesz.

Opozita liberale e Hungarisë është tallur kryesisht me këto politika dhe nuk ka arritur të ofrojë një alternativë të fortë. Por përfituesit druheshin se do t’i humbnin këto përfitime nëse Orban do të mposhtej.

Disa raportime të shtypit janë përqendruar në ngrirjen e çmimeve të gazit nga Orban dhe në shpërndarje të tjera të mëdha ndihmash përpara zgjedhjeve. Duke iu përgjigjur inflacionit galopant në fund të vitit 2021, Orban uli çmimet e mallrave bazë si mielli, sheqeri, vaji dhe mishi i pulës. Këto masa, që të kujtojnë shumë epokën komuniste, rezultuan popullore. Qeveria gjithashtu kërkoi që pikat e karburanteve t’i shesin karburantet e tyre me çmime nën tregun. Pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, qeveria i detyroi shitësit me pakicë të merrnin parasysh kostot ndërsa çmimet u rritën, përndryshe do të humbin bizneset e tyre. Hungaria u bë i vetmi vend evropian ku çmimet e karburantit nuk u rritën, duke përforcuar imazhin e Orbanit si një lider i fortë dhe përkrahës i njerëzve të zakonshëm.

Por politikat afatgjata të Orbanit për të përmirësuar mirëqenien e votuesve me sa duket i kanë shpëtuar vëmendjes së shumicës së analistëve, pavarësisht rolit të tyre themelor në krijimin dhe ruajtjen e bazës së tij besnike. Këto politika u përqendruan në rritjen e punësimit dhe pagës, duke kanalizuar përfitime bujare sociale për familjet me fëmijë që punojnë dhe jo për të varfrit që nuk punojnë.

Pas vitit 1989, politikat neoliberale të tranzicionit i kushtuan Hungarisë, një vend me dhjetë milionë banorë, një milion vende pune, një rënie shkatërruese. Qeveria e Orbanit u përpoq ta korrigjonte këtë duke ndërtuar një “shoqëri të bazuar te puna” duke përdorur instrumente të ndryshme për të nxitur punësimin, duke përfshirë stimuj taksash për punëdhënësit e mëdhenj dhe një program popullor punësh publike për njerëzit e varfër në zonat rurale që krijoi 200,000 vende pune me pagë minimale. Sipas të gjitha raporteve, programi i punësimit fitoi besnikërinë e shumë njerëzve që ndiheshin të lënë pasdore nga tranzicioni ekonomik.

Po aq e rëndësishme, qeveria e Orbanit përdori taksat dhe politika të tjera për të rritur fuqinë blerëse, në mënyrë që shumica e hungarezëve, duke përfshirë ata me të ardhura të ulëta, të mund të mendonin me të drejtë se ishin më mirë që nga mesi i viteve 2010. Orban rriti vazhdimisht pagën minimale statutore çdo vit derisa ajo tejkaloi nivelin minimal të jetesës në 2018, hera e parë që nga viti 1989. Në përgatitje për zgjedhjet e fundit, qeveria e Orbanit rriti përsëri pagën minimale me 20%, e cila ishte në dobi të një milion punonjësve (një e treta e punonjësve të sektorit privat) drejtpërsëdrejti duke krijuar gjithashtu presion për të rritur pagat për punëtorët më të kualifikuar.

Përveç këtij theksi te puna dhe pagat, Orban e ndërtoi popullaritetin e tij në politikat familjare që, megjithëse larg të qenit të drejta, siguruan nivele të paprecedentë burimesh publike për familjet me fëmijë. Duke përjashtuar prindërit e papunë, punonjësit e sektorit publik dhe ata aktivë në ekonominë informale, Orban mundi të përqendronte burimet e qeverisë së tij në shërbim të familjeve që punojnë në sektorin zyrtar privat.

Për shembull, familjet me tre ose më shumë fëmijë janë praktikisht të përjashtuara nga tatimi mbi të ardhurat personale (TAP) që nga viti 2012; që nga viti 2019, familjet kanë marrë grante dhe kredi të mëdha për të blerë makina dhe për të ndërtuar apo blerë shtëpi, si dhe një rimbursim të plotë të TAP-it në fillim të vitit 2022. Me rritjen e punësimit pas vitit 2014, më shumë familje filluan të përfitojnë. Duke reflektuar rëndësinë e këtyre politikave pro-familjes, në mars, gjatë kulmit të fushatës zgjedhore, parlamenti i kontrolluar nga Fidesz zgjodhi ministren përgjegjëse për zbatimin e tyre, Katalin Novak, si presidentja e parë femër e Hungarisë.

Orban i ka përshtatur politikat ekonomike të qeverisë së tij si pjesë e një lufte kundër armiqve të ndryshëm, duke përfshirë emigrantët myslimanë dhe, që nga viti 2020, “propagandën LGBTQ+”. Ai është një mjeshtër për ta tmerruar popullsinë dhe për ta paraqitur veten si shpëtimtar të Hungarisë, për të mposhtur armiqtë imagjinarë, për të forcuar familjen tradicionale dhe për të rritur shkallën e lindjeve. Duke përdorur një foto të një nëne dhe një vajze ruse nëpër bollborde në të gjithë vendin, Fidesz zhvilloi një fushatë për të mbrojtur “fëmijët hungarezë”, duke iu lutur votuesve të refuzonin “propagandën homoseksuale” në një referendum të mbajtur njëkohësisht me zgjedhjet.

Mos u gaboni: politikat ekonomike të Orbanit luajnë një rol po aq të rëndësishëm në suksesin e tij politik sa edhe shtrembërimet e dokumentuara gjerësisht të sistemit elektoral të Hungarisë. Megjithatë opozita nuk ka qenë në gjendje të përgjigjet në mënyrë efikase. Shumë votues e identifikuan Marki-Zay dhe partitë pas tij me politikat ekonomike neoliberale që i kushtuan kaq shtrenjtë Hungarisë dhe vendeve të tjera postkomuniste në vitet 1990 dhe Fidesz shfrytëzoi dyshimin e tyre.

Hungarezët janë të gatshëm të votojnë për një lider të fortë që shkel normat evropiane, nëse kjo u shërben interesave të tyre ekonomike. Sfida për opozitën e Hungarisë është të krijojë një kombinim politikash ekonomike dhe sociale që tërheq një shumicë të madhe të publikut që voton, duke përfshirë klasën e mesme në rritje dhe ata që kanë mbetur pas nga tranzicioni ekonomik dhe politikat e Orbanit./BIRN


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.