LAJMI I FUNDIT

Lidhi kontratë për shërbime konsulence me një kompani për 941.985 euro/ Zyrtari i lartë shqiptar lihet në paraburgim!

10:49 - 09.04.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Sekretari i deritanishëm i qeverisë së Maqedonisë së Veriut , Muhamed Zeqiri, të enjten rreth mesnate është dërguar në burgun e Shkupit, pasi Gjykata Themelore i shqiptoi masën e paraburgimit prej 30 ditëve. Zeqiri dyshohet se ka keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar dhe ka të bëjë me dyshimet për abuzim lidhur me një kontratë për shërbime konsulence.




Gjyqtari i procedurës paraprake vendosi masën e paraburgimit pasi sipas komunikatës së Gjykatës, “ekziston rreziku i arratisjes, zhdukjes të gjurmëve apo ndikimit të dëshmitarëve, si dhe rrezikut që ai të përsërisë veprën”.

Prokuroria dyshon se Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë në periudhën nga prilli 2021 deri në janar 2022, pa procedurë të prokurim publik, ka lidhur kontratë për shërbime konsulence me një kompani që kap vlerën e përgjithshme prej rreth 941, 985 euro, që është rreth 147,000 më shumë se shuma e paraparë.

Vepra dyshohet të jetë kryer së bashku me dy shtetas kroatë, të cilëve gjithashtu iu shqiptua masa e paraburgimit, por meqë ata nuk ndodhen në Maqedoninë e Veriut, paraburgimi do të hyjë në fuqi pas ndalimit të tyre.

Pas njoftimit të prokurorisë për hapjen e hetimeve, Zeqiri dha dorëheqje të parevokueshme nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm. Në njoftimin e publikuar, ai tha se ka besim se do të vërtetojë pafajësinë e tij.

“Unë besoj në institucionet e sistemit, besoj në drejtësi dhe besoj se e vërteta do të dalë në shesh. Unë jam në dispozicion të të gjitha institucioneve në çdo kohë, për të provuar pafajësinë time”, ka deklaruar Zeqiri.

Dorëheqja e tij është pranuar nga kryeministri, Dimitar Kovaçevski i cili tha se e respekton vendimin si akt të përgjegjësisë politike dhe tha se pret një hetim plotësisht transparent dhe të pavarur nga prokuroria dhe drejtësia.

Muhamed Zeqiri ishte zgjedhur sekretar i përgjithshëm në nëntor të vitit 2020. Ai ka punuar si gazetar para se të zgjidhej deputet në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2016 në listën e Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, që në atë kohë drejtohej nga Zoran Zaev. (REL)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.