DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Çel Pozllomi, PS e akuzoi edhe për vrasjet e Zylfie Haklajt. Arrestohet polici i alibisë së Jahos

06:00 - 13.04.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

13 Prill  2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare” dy dekada më parë




 Çel Pozllomi, PS e akuzoi edhe për vrasjet e Zylfie Haklajt. Arrestohet polici i alibisë së Jahos

Prej më shumë se një viti Gjykata kishte vendosur në mungesë burg pa afat. Përse polici nga Tropoja u prangos mëngjesin e djeshëm. Misteri në 13 muaj i njeriut që mbrëmjen e 12 shtatorit 1998 i solli përgjigje ministrit të Rendit se Jaho Salihi ishte në shtëpi i sëmurë. Çfarë kishte dëshmuar më parë dhe përse krerët e Rendit u kujtuan me kaq vonesë

Pranga policit të alibisë së Jahos

Pse urdhri u ekzekutua pas 13 muajsh

 Çel Pozllomi vendosi të mbyllë “gojët e liga” dhe ndoshta dhe “hesapet” me grupin e prokurorëve të çështjes “Hajdari”. Sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Rendit Publik, polici i grupit të Gatshëm të Komisariatit të Policisë së Tropojës, është vetëdorëzuar qetësisht mbrëmjen e së enjtes në komisariatin e tij. Edhe pse askush nuk është kujtuar se ndaj tij kishte një vendim gjykate për ta arrestuar ai ka vazhduar punë i qetë në policinë e Tropojës.

Sipas burimeve policore, Pozllomi ka “shkuar me këmbët e tij’ rreth orës 21 në Komisariatin e Tropojës dhe ka ‘shtrirë” duart drejt prangave, duke mos i munduar policët. Më pas në Tropojë kanë shkuar forcat speciale të Ministrisë së Rendit dhe nën masa të forta sigurie ai është sjellë në Drejtorinë e Policisë së qarkut Tiranë rreth orës 04 të mëngjesit. Pikërisht atëherë kur u duk se çështja “Hajdari” u mbyll, nis një tjetër kapitull, hapet dosja “Hajdari 2”, në të cilën veç Pozllomit është edhe një tjetër i kërkuar, urdhër – arresti ndaj të cilit ka dalë në të njëjtën datë me atë të Pozllomit.

 

Çel Pozllomi është polici për të cilin Prokuroria e Përgjithshme ka firmosur që prej janarit të vitit të kaluar një urdhërarresti si personi që ngriti alibinë e Jahos. Në fakt Pozllomi ka qenë i thirrur nga gjykata edhe si dëshmitar për çështjen Hajdari (çuditërisht pasi kishte dalë urdhër – arresti), por ai nuk ka pranuar të paraqitet. Mesa duket publikimi i skandalit të “humbjes” së urdhër – arrestit në Ministrinë e Rendit, si dhe deklarata e Ismet Haxhisë kanë “kushtëzuar” arrestimin e policit të Grupit të Gatshëm të Komisaritit të Bajram Currit.

Çel Pozllomi mbrëmë e ka kaluar natën e parë në qeli. Sipas burimeve zyrtare të policisë, pas disa orëve në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ai është transferuar në qelitë e Burgut 313. Emri i Çel Pozllomit “çuditërisht” përmendet nga PD-ja sa herë që në Tropojë ndodhin krime shumë të renda. Për herë të fundit atij i “ka dalë” emri pas ngjarjes së 2 prillit, kur Zylfie Haklaj qëlloi mbi katër per4sona, ku la dy të vdekur dhe dy të plagosur. Menjëherë pas kësaj ngjarje Partia Demokratike “lakoi” emrin e Çelës si personi që i  kishte dhënë armën Zylfie Haklajt. Pas kësaj ngjarje atij iu bllokua menjëherë arma, të cilën ai dhe shefat e tij thonë se e ka pasur në komisariat, pasi ka qenë pushim. Megjithatë, me apo pa rastin e fundit, Çel Pozllomi vazhdonte të paraqitej në Komisariatin e Tropojës i veshur me uniformë, edhe pse për të kishte një fletëarresti që çuditërisht kishte “humbur” sirtarëve. Çel Pozllomi, sipas burimeve të sigurta nga prokuroria, do të hetohet nga i njëjti grup prokurorësh të çështjes “Hajdari-2”, ku në dosje, përveç tij, është i përfshirë në hetim dhe Elez Haklaj. Gjithsesi, sipas nenit 302 të Kodit Penal, polici i grupit të Gatshëm akuzohet për përkrahje, pas kryerjes së krimit. Akuza ka lidhje me natën e 12 shtatorit 1998. Prokurorët e grupit “Hajdari” kanë saktësuar dje se pozicioni juridik i Pozllomit mund të rëndohej nëse Mulosmani do ta përdorte këtë alibi. Por i gjendur edhe përballë fakteve e provave të tjera, Mulosmani nuk është shprehur asnjëherë gjatë procesit se “natën e 12 shtatorit 1998 kam qenë në shtëpi” dhe për këtë si argument të përdorte deklaratën e Pozllomit.

Çfarë tregoi polici për Ministrin e Rendit

“Natën e 12 shtatorit 1998 Jaho ishte i sëmurë në shtëpi”

12 shtator 1998. Çel Pozllomi është i vetmi që hyn në kullën e Jaho Salihit. Kur del që aty ai thotë se “shefi ishte në shtëpi, por nuk duhet ta shqetësonin se ishte i sëmurë me temperaturë”. Ajo është ajo çka ka dëshmuar natën e 12-13 shtatorit Pozllomi, pas urdhrit të dhënë për të verifikuar alibinë e ngritur nga shefi i Rendit Jaho Mulosmani për gjithë mbrëmjen e 12 shtatorit. Urdhri për të verifikuar thënien e Mulosmanit, se atë natë ishte në Tropojë u dha rreth mesnatës së datës 12 nga Ministri i atëhershëm i Rendit Publik, Perikli Teta. Në furgonin e grupit të gatshëm që shkoi nga Komisariati i Tropojës në Bujan për të verifikuar ishte dhe Çela, i cili ishte i vetmi që hyri në kullën Mulosmani. Pothuajse asnjëherë deri tani nuk është konfirmuar kohëzgjatje e qëndrimit të tij në atë kullë, por rreth orës 04 Perikli Teta ka ngritur receptorin e telefonit ku i është konfirmuar se Jaho Salihi ishte në kullën e tij. Ndërsa tre orë më pas Teta ka ngritur edhe një herë receptorin dhe këtë herë ka dëgjuar zërin e prefektit Taulant Dedja që e ka siguruar se Jahoja ishte në Komisariat, pasi aty e kishte takuar. Gjatë fazës hetimore të dosjes “Hajdari” prokurori Haxhi Giu kërkoi ndihmën e shefave të policisë së Ministrisë për të sjellë Pozllomin për të dëshmuar. Ajo çka u regjistrua gjatë dëshmisë së tij është pikërisht i njëjti version që ai kishte dhënë në natën që gdhihej 13 shtator: “Jaho ishte i sëmurë me temperaturë në shtëpinë e tij në Bujan”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.