DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Flet anëtari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë: KLD përgjegjëse për situatën. KLD nuk ka përmbushur qëllimin, është jo efektive

07:00 - 14.04.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

14 Prill  2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare” dy dekada më parë




 Intervista, flet avokat Sanxhaku: Si u rrënua KLD.  “Ja përse Meidani është i paaftë”

Intervista/ Flet Përparim Sanxhaku anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë: KLD përgjegjëse për situatën

“Meidani i paaftë për gjyqësorin”

“KLD nuk ka përmbushur qëllimin, është jo efektive”

Nëse Presidenti Meidani, ka përmbushur të gjithë detyrimet Kushtetuese si detyrimin që ka për drejtësinë, është për të ardhur keq vlerësimi për raportin e presidentit të Republikës si kryesues i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në të cilin duken qartazi dozat e ilaritetit e shpreh juristi Përparim Sanxhaku, anëtar i KLD-së që nga gjysma e dytë e vitit 1997.

Tashmë që mandati i këtij institucioni po përfundon, Sanxhaku nuk heziton të fshikullojë ashpër kontributin e veçantë të Presidentit Meidani.

Jeni anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë që nga viti 1997. Ndërsa mandati i këtij institucioni po shkon drejt fundit, si e vlerësoni punën 5-vjeçare?

Fillimisht, mendoj se u bë një punë e mirë për krijimin e funksionimin e KLD-së. U përmirësua përbërja, ndryshe nga KLD e mëparshme që kishte në përbërjen e tij edhe punonjës të Ministrisë së Rendit, që s’kishin të bënin fare me gjyqësorin, që kishte dhe prokurorë etj. Pra ky i sotmi përfshirë edhe ndryshimet gjatë pesë viteve përbëhet nga Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë që është presidenti i vendit, kryetar i Gjykatës së Lartë që në rastin tonë e kemi edhe nënkryetar të KLD-së, ministri i Drejtësisë, tre anëtarë të zgjedhur nga Parlamenti dhe nëntë anëtarë të tjerë të zgjedhur nga gjyqësori nëpërmjet Konferencës gjyqësore. Pra, ligjërisht përbërja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, është i ndërtuar në rregull me njerëz që e njohin gjyqësorin. Ndërsa përsa i përket përmbajtjes nga ’97 e deri më sot ka ndryshuar shumë. Fillimisht ishte normë që KLD-ja mblidhej çdo muaj dhe merrte në analizë problemet e rëndësishme që shqetësonin gjyqësorin. Tashmë mund të them se Këshilli i Lartë i Drejtësisë e ka humbur funksionin për të cilin është krijuar. Tashmë mblidhet një herë në katër – pesë muaj. Por edhe atëherë kur mblidhet nuk analizon problemet e rëndësishme të gjyqësorit. Ndodh që edhe diskutimet për procedimet e gjyqtarëve të “akuzuar” për vonesa në gjykim ne i marrim me 6-7 muaj vonesë ose mbase edhe më shumë nga data e procedimit.

Merre me mend se ç’ndodh me një gjyqtar, i cili është propozuar për t’u pushuar nga puna apo për t’u marrë masë disiplinore dhe ai të vazhdojë punën 6 apo 7 muaj deri sa të merret në shqyrtim, duke qenë nën efektin e presionit për vendimin që do të merret ndaj tij.

Për mendimin tim, Këshilli i Lartë i Drejtësisë e ka humbur qëllimin dhe funksionin e tij edhe për shkak të përbërjes së tij. Megjithëse ai është në përputhje me kushtetutën ka një nonsens në këtë përbërje. Nëntë anëtarët e KLD-së janë gjyqtarë ose kryetarë gjykatash të Gjykatave të Shkallës së Parë ose të Apelit të vendit. Pra shumica e anëtarëve të KLD-së janë edhe objekt i kontrollit të këtij institucioni edhe subjekti i tij. Edhe kontrollohen edhe kontrollojnë.

 

Cilat janë pasojat e kësaj përzgjedhjeje?

Kjo ka bërë që në ato gjykata ku kryetarët e tyre janë anëtarë të KLD-së nuk janë kontrolluar farë gjatë këtij mandati 5-vjeçar. Po këto gjykata janë gjykata me peshë. Për shembull nuk është kontrolluar asnjëherë Gjykata e Tiranës. Dikush mund të thotë se janë bërë kontrolle të pjesshme. Po këto kontrolle janë bërë vetëm e vetëm për të gjetur shkeljet që kishte kryetari dhe nënkryetari i kësaj gjykate, të cilët u larguan nga detyra si kryetar dhe nënkryetar. Nuk është bërë kontroll i përgjithshëm i Gjykatës së Tiranës. Mirëpo të mos kontrollosh Gjykatën e Tiranës për një periudhë 5 vjeçare, do të thotë që s’ke bërë asgjë sepse Gjykata e Tiranës ka  më shumë se një të tretën e çështjeve të të gjithë Shqipërisë. Nuk është kontrolluar Gjykata e Apelit të Tiranës, që përsëri duhet të shkojë me të njëjtën lojgikë, sepse kjo gjykatë ka në fokusin e saj jo vetëm gjyqet e Tiranës (që siç e thamë më lart përbëjnë një të tretën e dosjeve të të gjithë Shqipërisë), por edhe ato të Dibrës, Bulqizës, Mirditës, Krujës. Pra duke mos kontrolluar Gjykatën e Apelit të gjitha këto gjykata i lë pa kontroll.

Përse nuk u ka mbledhur presidenti apo nënkryetari i KLD?

Mosvlerësimi, javashllëku dhe paaftësia për të ndjekur këtë lloj problematike. Por kjo është detyrë kushtetuese e Presidentit. Dhe po qe se i ka përmbushur edhe detyrat e tjera kushtetuese siç ka përmbushur këtë detyrë është për të ardhur keq”.

Si mendoni për ligjin mbi KLD që e ktheu mbrapsht Parlamenti, cilat qenë arsyet e vërteta?

Unë për ligjin mbi KLD-në kam mbajtur një qëndrim të ndryshëm edhe nga qëndrimi i parlamentarëve edhe nga ai i KLD-së. Për mendimin tim në qoftë se do të rregullosh gjyqësorin duhet të bëhet një organ permanent me funksionarë. Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë nuk duhet të jenë anëtarë të Gjykatave të Shkallës së Parë dhe të Apelit. Ata që në momentin që zgjidhen anëtarë të KLD-së, duhet të ndërpresin veprimtarinë si gjykatës”.

A është gjyqësori shqiptar në krizë morale?

Unë mendoj se gjyqësori shqiptar nuk është në krizë morale. Unë mendoj se gjyqësori punon, zgjidh lloj lloj konfliktesh, problemesh. Gjykatat zgjidhin mijëra çështje civile e penale, të cilat në shumicën e tyre iu nënshtrohen kontrolleve të shkallëve më të larta, i nënshtrohen kontrollit të opinionit publik Dhe nuk janë aq shqetësuese në opinionin publik padrejtësitë gjyqësore. Por nëqoftëse Gjyqësori është pak mbrapa është faji i KLD-së që nuk i ka ndjekur ata hap pas hapi për të përmirësuar punën e tij për të goditur fenomenet negative, pse jo edhe për të nxjerrë në pah edhe pozitiven.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.