![GSH APP](https://gazetashqiptare.al/wp-content/uploads/2022/04/gshok.jpg)
![Download on Apple Store](https://balkanweb.com/wp-content/uploads/2019/01/ios.jpg)
![Get it on Google Play](https://gazetashqiptare.al/wp-content/uploads/2022/04/android-app.png)
Ka disa javë që ka nisur një konflikt i ‘ftohtë’ midis Drejtoreshës së Teatrit të Operas dhe Baletit, Zana Çela dhe Ministres së Kulturës, Elva Margariti.
Zana Çela qëndron në krye të TKOBAP për gjashtë vite (dhe kjo ishte hera e dytë që e drejtonte këtë institucion). Por menjëerë pas daljes së njoftimit në faqen e Mministrisë së Kulturës, më datën 26 Mars, së kërkohet një drejtor i ri për TKOBAP, Zana Çela njofton se do të rikandidojë sërish për pozicionin Drejtor i Përgjithshëm në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Dhe kjo do të jetë hera e tretë për të.
“Sigurisht që do të rikandidoj”, u shpreh Çela një ditë më parë, duke theksuar edhe eksperiencën që ka në këtë fushë. Në kërkesat që duhet të plotësojnë kandidatët, Ministria e Kulturës thotë që duhet të zotërojë diplomë të nivelit “Master Shkencor” në shkenca ekonomike ose menaxhim të artit kulturor. Por drejtoresha në detyrë Zana Çela tha se qeveria shqiptare e ka formatuar qartë se çfarë kriteresh duhet të kenë titullarët në administratën e shtetit.
“Këto kritere nuk bien ndesh me CV-në time. Qeveria shqiptare formaton shumë qartë se çfarë kriteresh duhet të kenë drejtorët e përgjithshëm të administratës së shtetit shqiptar dhe si kriter kryesor është masteri shkencor, pa e identifikuar se në cilin degë do të jetë masteri. Dhe sigurisht që unë e kam masterin shkencor!”, tha Çela, duke i “besuar” qeverisë dhe jo Ministres së Kulturës, Margariti, me të cilën ka pasur përplasje pas rikonstruksionit të Teatrit.
![](https://gazetashqiptare.al/wp-content/uploads/2022/04/Untitled-3-481x600.png)
Zana Çela erdhi në detyrë menjëherë pasi artisti Ilir Kerni dha dorëheqjen nga posti i drejtorit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, ndërsa këtë post e kishte mbajtur edhe gjate qeverisjes së parë të socialistëve, kur Edi Rama ishte Ministër Kulture.
Shumë pranë mbarimit të mandatit, për shkak të tërmetit, rikonstruksionit, por edhe pandemisë, Çela u sigurua nga ministrja Elva Margariti se do të ishte në krye të institucionit të rikonstruktuar për shkak të punës së mirë të kryer edhe gjatë periudhës 4 vjeçare. Dhe mandati i saj i dytë shkoi 6 vjet.
Por ministria shpalli të hapur një konkurs për postin e drejtorit të ri dhe kushti i parë ishte një master shkencor në ekonomi e financë. Mendohet se shkak për këtë konkurs të menjëhershëm është fakti se drejtoresha aktuale Çela, nuk po merr në dorëzim investimin miliona eurosh që është bërë në rikonstruksionin e TKOBAP. Por dje Çela tha se projekti ka nisur vite më parë. “Projekti ka nisur shumë kohë përpara të themi 3-4 vite më përpara se unë të filloja mandatin. Ka qenë gjithmonë Ministria e Kulturës ajo që ka bërë ekspertizën e nevojave dhe të projektit”, tha Çela.
Megjithatë, përtej debateve të lindura përmes shkresave me Ministrinë e Kulturës, Çela konfirmoi se do të rikandidojë për këtë post.
Kandidatët për këtë post duhet të dorëzojnë platformat e tyre deri në 19 prill.
Por a do të skualifikohet Çela për shkak të mungesës së masterit shkencor që duket se është “shpikur” pikërisht për të tani, ndërsa 6 vjet më parë kur u zgjodh drejtoreshë nuk i duhej? Kjo do të kuptohet në ditët në vijim, nëse do të ndërhyjë qeveria (kryeministri), mik i saj i vjetër, tek i cili Zana Çela i kishte shpresat si për mandatin e parë kur Rama ishte Ministër Kulture, të dytin edhe tani për të tretin që është kryeministër.