AKTUALITET

Në kohë krize, Rama përdor ‘armën’ e fundit ‘Amnistia Fiskale’/ Ndërkombëtarët kundër: Është parajsë për pastrimin e parave

11:09 - 14.04.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pak ditë më parë kryeministri Edi Rama shpalli projektin për të vënë në zbatim planin për amnistinë fiskale. Një plan ‘bombë’ kjo për faktorin ndërkombëtar pasi prej vitess kanë qenë kundër këtij projekti famëkeq, i cili faktorizon pastrimin e parave.




Kryeministri Edi Rama deklaroi se nga amnistia fiskale do të përjashtohen të gjithë ata që kanë pasur pozicione të rëndësishme shtetërore dhe ata që janë të dënuar për vepra që lidhen me drogën, krimin etj.

I ftuar në një studio televizive, Rama tha se “ne jemi një vend me emigrantë që janë heronj dhe kanë shumë para që janë nën dyshek”.

“Amnistinë fiskale do ta bëjmë se është edhe dëshira e një shumice të rëndësishme. Komuniteti ndërkombëtar e para nuk është ai që do të ndërtojë Shqipërinë. Marrëdhëniet tona me komunitetin ndërkombëtar janë të një interesi reciprok dhe partneriteti. Ka ikur koha e Shqipërisë vasale. Këtu ne jemi në vendin tonë dhe kemi të drejtën që paratë e djersës, të punës së gjithë këtyre njerëzve”, tha Kryeministri.

Rama theksoi se “84 vota për miratimin e amnistisë fiskale do t’i gjejmë në parlament. Me botën tjetër ne nuk negociojmë. Në parlament do të kërkojmë votat dhe do të ndajmë një interes kombëtar. Këtë e kemi marrë edhe si përgjegjësi ndaj gjysmë milioni njerëzish që shprehën mendimin e tyre”.

Pse të haujt janë skeptikë për këtë nismë?

Arsyeja krysore është fakti se me anë të kësaj nisme ekziston frika se përmes saj prite të legalizohen paratë e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sinjali kryesor erdhi dje nga drejtori i Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit në Ambasadën Amerikane, Benjamin Rockwell, i cili është shprehur se fakti që Shqipëria mbetet ende në listën gri, është një njollë turpi për vendin tonë.

“Kemi parë goditje të mëdha nga SPAK dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, të cilat po bëhen të përjavshme, por fakti se Shqipëria mbetet në listën gri në luftën kundër pastrimit të parave, është një shenjë turpi për vendin. E cila ngre pikëpyetje kredibiliteti për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shfaq një pozicion parandalues në investimet ndërkombëtare dhe rritjen ekonomike dhe sigurisht, kur ka një impakt kaq të madh në shoqëri, është një problem i madh i shoqërisë”, deklaroi Rockwell.

Ai përmendi edhe dosjen e zezë të inceneratorëve, e cila prej kohësh ka trazuar politikën shqiptare dhe konsiderohet si një prej aferave më të mëdha të të gjitha kohërave.

“Kemi filluar të shohim përmirësime në fushën e pastrimit të parave, sekuestrimit dhe konfiskimit të aseteve. Një akuzë e pastrimit të produkteve të veprës penale ishte pjesë e arrestimeve të SPAK në dosjen e incineratorëve, ndërsa po shohim përdorimin e efektshëm të këtyre akuzave nga prokuroria. Aksionet e fundit janë një nisje e mirë, por ka shumë punë për t’u bërë. Nuk nevojitet shumë ekspertizë për të parë përreth qytetit, në bregdet apo kudo, ku shihet qartë prezenca e pasurive të paligjshme në sistemin shqiptar”, deklaroi zyrtari amerikan në Tiranë.

Në një kohë krize dhe papunësia, në disa raste ato që vlejnë më shumë janë paratë. Pavarësisht se nga vijnë këto. Për këtë arsye, duke përdorur një veprim ‘Makiavelik’, Rama shpiku idenë e Këshillimit Kombëtar dhe mes saj pritet të realizojë planet e vjetra. Mes tyre është edhe legalizimi i kanabisit mjekësor dhe amnistia fiskale.

Komisioni Europian: Amnistia fiskale është e vështirë për tu menaxhuar

Më herët ka qenë Komisioni Europian ai që ka kritikuar nismën e qeverisë për amnistinë fiskale dhe penale. Në dokumentin që është botuar për Shqipërinë thuhet se ky ligj ka një impakt të madh në jetën e vendit duke e quajtur të pakuptueshme urgjencën e qeverisë për miratimin e tij.

Ai këshillon rishikim të këtij ligji,duke theksuar se një amnisti e tillë është shumë e vështirë për t’u menaxhuar duke qenë se përfshin elementë si prona brenda dhe jashtë vendit, të cilat nuk mund të përcaktohen nëse rrjedhin apo jo nga elemente kriminale.

Në raportin e saj Komisioni nënvizon se për Moneyval është tejet e paqartë se si “do të implementohet Ligji Kundër Pastrimit të Parave në kontektstin e një amnistie të tillë”.

FMN, institucioni që i frikësohet më shumë amnistisë fiskale

Prej kohësh institucioni ‘hije’ për ekonominë shqiptare , FMN, ka qenë kundër amnistisë fiskale.

FMN ka qenë shpesh herhë  konseguente në qëndrimet e saj në lidhje me këto politika të qeverisë shqiptare.

FMN rithekson këshillën kundër një amnistie të mundshme fiskale, pasi sipas saj, do të cënonte përmbushjen e detyrimeve tatimore.

Fondi gjatë një misioni në Shqipërië të këtij viti, është shprehur se duhen krijuar së pari sisteme efektive për të zbuluar evazionin fiskal dhe për të parandaluar mundësitë për pastrim parash dhe për korrupsion.

Sa herë ka krizë, politika përdor termin ‘Amnistia Fiskale’

Amnistia fiskale nuk është e panjohur për Shqipërinë. Ideja e një nisme të tillë daton që prej vitit 1999 e propozuar nga presidenti i asaj kohe Rexhep Mejdani, por për shkak të mos arritjes së një konsensusi mes palëve mbeti thjesht një propozim.

Ajo u pasua me një amnisti e pjesshme fiskale të iniciuar nga kryeministri Sali Berisha e cila do t’u mundësonte qytetarëve e biznese të bënin rivlerësimin e pasurive të paluajtshme me tarifë të reduktuar, e cila po zbatohet edhe aktualisht nga qeveria Rama. Po atë kohë, qeveria Berisha fali edhe borxhin tatimor e doganor për bizneset.

Në vitin 2011 ishte Ritvan Bode ai që do të hidhte më pas idenë për një amnisti fiskale, por nisma dështoi pasi nuk mori mbështetjen e të gjitha palëve.

Në 2015 socialistët sjellin një tjetër lloj amnistie. Shkëlqim Cani që drejtonte në atë kohë ministrinë e Financave zbatoi një  falje fiskale për faljen e penaliteteve për mosdeklarimin e mallrave pa faturë nga bizneset.

Ndërsa sot, socialistët me në krye Edi Ramën hedhin idenë e një amnistie fiskale dhe penale, ku fokusi sipas tyre do të jetë legalizimi i parave të padeklaruara të emigrantëve, duke lënë jashtë skemës zyrtarët e funksionarët e lartë të shtetit.

Momenti në të cilën nisma rikthehet për diskutim e gjen ekonominë përballë goditjes së tretë në pak kohë, tërmeti, pandemia e së fundmi kriza e rritjes së çmimeve.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.