SPORT

INTERVISTA/ “Europën e kapim përmes kampionatit”, Latifi: Tifozët të më kuptojnë, Vllaznia e mbyll me trofe

17:51 - 15.04.22 K.K
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Liridon Latifi vulosi kualifikimin dramatik të Vllaznisë në ndeshjen gjysmëfinale të Kupës ndaj Partizanit në stadiumin “Loro Boriçi”. Sulmuesi i krahut vinte pas një periudhe jo të mirë, ashtu si skuadra, që kishte futur në një ngërç rezultatet që prej muajit mars.




Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, 28-vjeçari ka rrëfyer dje emocionet e sfidës me të kuqtë, ndërsa ka folur edhe për synimet e klubit, duke theksuar se Vllaznia e kap Europën edhe përmes kampionatit.

Liridon, një kualifikim i mundimshëm ndaj Partizanit, ku u deshën 11-metërshat për të përcaktuar fituesin. E prisnit kaq të vuajtur ndeshjen e kthimit?

E nisëm jo mirë ndeshjen, por më pas me kalimin e minutave ishim ne që zotëruam gjithçka në fushë. Besoj se arritëm që t’i menaxhojmë më mirë emocionet sesa kundërshtari. Ishin emocione të bukura, sidomos pas 120 minutave dhe gjuajtjeve të penalltive. Të tilla emocione janë gjithmonë në përballje të tilla.

Penalltia e fundit ishte një përgjegjësi më e madhe, çfarë menduat në ato momente?

Të them të drejtën nuk u mendova gjatë përpara se të godisja topin, por shkova me besim në vetvete dhe doja ta përmirësoja atë penallti të humbur me Tiranën në kampionat. Ai 11-metërsh i humbur në kampionat, jo vetëm për mua, por për të gjithë ekipin ishte një zhgënjim.

Keni deklaruar se me Skënderbeun se keni arritur asnjëherë Kupën, besoni se tani është momenti ta fitoni këtë trofe me Vllazninë?

Çdo trofe është i rëndësishëm për klubin dhe lojtarët në mënyrë individuale. Ne duhet ta mbyllim këtë sezon me trofe. Me parë nuk kam pasur fat ta fitoj këtë trofe me Skënderbeun, por tani është koha e duhur që ta bëj realitet me Vllazninë.

Përballë keni një ekip si Laçi në finale, çfarë ndeshjeje parashikoni?

Laçi ka treguar ndër vite se është ekip ekspert i Kupës, por unë besoj shumë që edhe këtë edicion do të jetë Vllaznia fituese e trofeut.

Në javët e fundit nuk kanë munguar kritikat e tifozërisë shkodrane ndaj jush për performancën që keni bërë. Ky kualifikim që u vulos nga ju, sa do të ndikojë për vazhdimësinë?

Tifozëria shkodrane kërkon shumë prej meje dhe unë i kuptoj plotësisht ata. Megjithatë, edhe ata nuk duhet të harrojnë që çdo lojtar i ka krizat e veta dhe duhet të më kuptojnë edhe mua.

Sa e ndryshon atmosferën në skuadër kapja e finales, kur duhen edhe tetë ndeshje për t’u mbyllur kampionati?

Po normalisht që do të ketë ndikim për mirë kjo ndeshje. Arritja e finales ishte shumë motivim i mirë për të vazhduar edhe në kampionat luftën, sepse jemi shumë afër me tri ekipet konkurrente për një vend në Europë.

Besoni se Europa do të kapet përmes kampionatit nga Vllaznia?

Po, ne do të kërkojmë edhe përmes kampionatit që të kapim minimalisht vendin e katërt, gjë që do të thotë për ne, një sigurim i Kupave të Europës edhe përmes kampionatit, çfarë do të ndodhë në finale.

Të dielën luani ndaj Teutës në Durrës, ndërkohë që u bë një muaj që nuk fitoni në kampionat dhe keni zbritur në vendin e pestë. A mund të jetë kjo ndeshje një pikë kthese?

Ne do të shkojmë në Durrës vetëm për fitore dhe shpresojmë ta arrijmë atë. Kemi shumë ndeshje që kemi bërë gabime dhe duhet të reflektojmë. Ky reflektim në kampionat duhet të vijë nga ndeshja me Teutën./ Panorama Sport


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.