KULTURË

Historia e jashtëzakonshme e patriotit çam nga burgjet në kampet greke të fashizmit

11:22 - 26.04.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Hajredin Isufi, historian – Mua Demi, një atdhetar çam nga qyteti i Filatit në Çamëri, me veprimtari të spikatur në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, së bashku me shqiptarë të tjerë të asaj krahine të ndarë padrejtësisht nga vendi amë, ndiqnin me vëmendje ngjarjet që zhvilloheshin aso kohe në Ballkan duke u koordinuar me rrethet patriotike të Shqipërisë së Poshtme. Kështu ndodhi, për shembull, pas vrasjes nga qarqet shoviniste, më 1906, të patriotit shqiptar Papa Kristo Negovani. Ishte Musa Demi që organizoi enkas një takim me një rreth të ngushtë patriotësh të Filatit ku u vendos të mblidheshin ndihma në të holla për fëmijët jetimë të priftit atdhetar1. Gjithashtu, qyteti mblodhi ndihma për ndërtimin e varrit të tij2. Më 1908, kur qeveria turke e shpalli Çerçiz Topullin person shumë të kërkuar dhe për kapjen e tij vuri një shumë të madhe të hollash, Musa Demi e ruajti Çerçizin dhe çetën e tij nga forcat osmane3. Filati në ato vite, dhe në mënyrë të veçantë shtëpia e Musa Demit u bë strehë për luftëtarët e lirisë. Sipas dëshmisë së Mihal Gramenos, patriot i shquar, i cili i referohet rastit kur Abas Nivica “për 6-7 muaj u sëmur rëndë dhe kështu u shtrënguam ta dërgojmë në Çamëri te zoti Musa Demi nga Filati, një nga të flaktit atdhetar, ku u prit fort mirë deri sa u shërua4”.
Më 23 korrik 1908, një ditë pas shpalljes së kushtetutës së Xhonturqve, Musa Demi do i dërgonte një letër Kristo Dakos në Bukuresht, të cilit i kërkonte libra shqip për shkollën shqipe në Filat e bibliotekën pranë saj që pritej të hapej së shpejti5. Qyteti i traditave patriotike, ashtu siç e kishte parashikuar, më 28 Gusht 1908, Musa Demi përjetoi çastin më të gëzuar në historinë e tij: hapjen shkollës së parë në gjuhën shqipe në Çamëri. Këtë lajm të gëzuar M. Demi e publikoi në gazetën “Liria”6. Më tej, Musa Demi dhe anëtarët e Komitetit “Për Lirinë e Shqipërisë”, iu përveshën punës për çeljen e klubit patriotik, që u pagëzua me emrin “Vllazëria”. Për këtë ngjarje të shënuar Musa Demi, më datë 8 të Vjeshtës së parë 1908, njoftoi Fehmi beun, kryetarin e Klubit të Manastirit7. Musa Demi, me të drejtë, nga vëzhguesit vendas dhe të huaj konsiderohej si drejtuesi më i rëndësishëm i lëvizjes kombëtare shqiptare në kazanë e Filatit8. Klubi “Vllazëria” i Filatit u dallua qysh në fillim për organizim të lartë dhe për unitet të fortë të anëtarëve të tij, pavarësisht nga besimi fetar. “Filati, -shkruante gazeta “Zgjimi i Shqipërisë”, -nëpërmjet Musa Demit ishte kthyer në këtë kohë qendra ku përhapej shtypi i Rilindjes9″. Musa Demi mbante kontakte të drejtpërdrejta me Kadri Gjatën në Janinë, me Namik Delvinën në Delvinë, me Bajo Topullin e Çerçiz Topullin në Gjirokastër, me kryesinë e klubit patriotik të Manastirit, Elbasanit, Vlorës, Gjirokastrës etj.
Ndër pionerët e parë të publicistikës shqiptare
Musa Demi e vlerësoi shtypin e Rilindjes si një faktor kyç për t’i shërbyer çështjes kombëtare. Fillimisht ai pranoi të bashkëpunonte në shtator 1908 me gazetën “Liria” që dilte në Selanik10. Aty është botuar edhe shkrimi i parë i Musa Demit. Në prill të vitit 1909, atdhetari nga Filati u thirr nga Kadri Gjata, kryetar i klubit patriotik të Janinës për ngritjen e një gazete shqiptare. Ai shkoi në Janinë dhe më 14 Qershor 1909, siç njofton konsulli austro-hungarez në Janinë, doli numri i parë i gazetës “Zgjimi i Shqipërisë” në gjuhën shqipe. Ai botoi pothuajse në të gjitha organet e kohës, herë me inicialet M.H, D.L (Demo Lasko), herë me emrin M. Hamiti, M. Demi, herë me pseudonime: S. Lasko, M. Ushtari, etj. Botoi shumë në gazetën “Bashkimi i Kombit”, në gazetën “Dielli”, “Shqipëtari”, “Shkumbi”, duke iu dhënë popullaritet nëpërmjet shkrimeve të veta. Musa Demi ka shkruar në një gjuhë të pastër, të thjeshtë dhe me të vërteta tronditëse për ngjarje të jetuara në hapësirën Çame, për përpjekjet e një popullsie të tërë për mbrojtjen e identitetit të vet.
Spastrimi etnik; arrestimi i drejtuesit të Çetës së Çamërisë dhe burgosja nga regjimi profashist
Në vitin 1911, konsulli austro-hungarez (Kraus), në Vlorë, i raportonte Vjenës se në Çamëri vepronte Musa Demi dhe Muharrem Rushiti, me ta edhe Alush Taka nga Konispoli, gjithsej me 70 vetë. Në një letër drejtuar Sotir Kolesë në Misir, letër e shkruar nga malet e Çamërisë më 29 korrik 1911, Musa Demi bënte të qartë misionin historik të Çetës së Çamërisë, synimet që do të arrinte Lëvizja Kombëtare Shqiptare në Çamëri në bashkëpunim me viset e tjera shqiptare në jug e veri të vendit. Ai shkruante: “Neve muarrmë armët në dorë dhe duallmë malit për të fituar të drejtat tona dhe do të jemi te bashkuar me malësorët dhe gjithë shqiptarët”11.




Atdhetari nga Filati protestoi kundër aksionit grek për shpërnguljen e shqiptarëve të Çamërisë për në stepat e Anadollit në kuadrin e shkëmbimit të popullsisë greko-turke. Musa Demi dhe bashkëpuntorët e tij më të ngushtë në Filat, në Margelliç, në Paramithi e Gumenicë, shihnin se kriteret e vendosura në Traktatin e Lozanës (Janar 1923) dhe nga Lidhja e Kombeve nuk respektoheshin. Ata u përfshinë në veprimtari të pandërprerë kundër deportimit të shqiptarëve të Çamërisë duke e shitur fenë si kombësi të shqiptarëve muslimanë çamë. Musa Demi nisi letra dhe peticione drejtuar qeverisë shqiptare dhe asaj greke, Lidhjes së Kombeve, gjë që egërsoi shumë autoritetet greke në Janinë. Në këto rrethana qeveria greke e asaj kohe e shihte mjet të mundshëm për realizimin e planeve të saj arrestimin dhe izolimin e përfaqësuesve të Çamërisë. Në këto rrethana, në fundin e muajit maj 1924, M. Demi, i cili sapo ishte kthyer nga takimet që kishte patur me kryetarin e komisionit mikst, të dërguarin ie Lidhjes së Kombeve për çështjen e shkëmbimit të popullsisë, arrestohet së bashku me një grup atdhetarësh nga Filati, Margëlliçi, Paramithia e Gumenica. Rreth arrestimit të Musa Demit e shokëve të tij pati reagime e protesta në Çamëri. Përfaqësuesi i Shqipërisë në Lidhjen e e Kombeve (OKB) në Gjenevë, denoncoi arrestimin e Musa Demit, më 24 Qershor 192412. Ndërkohë, Karl Bratli, kryetar i nënkomisionit XIV mikst të Epirit ndërhyri vetë pranë guvernatorit të përgjithshëm në Janinë për lirimin e M. Demit. Ndërkaq pas kthimit nga internimi ai vazhdoi të mbahej i arrestuar në burgjet e Janinës. Në vjeshtë të vitit 1924 lirohet, por në pranverën e vitit 1925 rinisën arrestimet në Çamëri, kështu ndodhi edhe me Musa Demin që ishte liruar 6-7 muaj më parë. Më 3 mars 1925 në burimet e kohës njoftohej: “Musa Demi është arrestuar nga policia greke në Korfuz me akuzë se: bënte propagandë shqiptare” 3.

Sa herë që qeveria greke planifikonte të arrestonte parinë e Çamërisë që të mos kishte vështirësi në planet e saj djallëzore, i pari në listë ishte M. Demi nga Filati. Atdhetarit çam të Filatit, qelitë e burgut e kampet e internimit i ishin bërë një shtëpi e dytë. Në verën e vitit 1929, veterani atdhetar i Filatit gjatë kthimit në qytetin e tij, nga Athina, arrestohet në Janinë, nën akuzën “propagandist shqiptar”. Në procesin gjyqësor ndaj M. Demit e bashkëpunëtorëve të tij nuk u dha asnjë provë për t’i fajësuar. Fill pas lirimit të tyre, qeveria greke, për të justifikuar arrestimin, botoi një artikull të gjatë në gazetën qeveritare “Eletheron Vima”, ku thuhej se “çamët u liruan nga burgu se pranuan gabimet që kishin bërë…”

Filati para luftës Musa Demi në malet e Çamërisë, 1911 Hajredin Isufi në brigjet e lumit Kalama,në fshatin Rrëzanj (foto e vitit 2005) musai
<
>

Internimet

Në prag dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, propaganda fashiste që nxiti qeveria e Metaksait në radhët e të krishterëve kundër myslimanëve, e thelloi edhe më shumë situatën konfliktuale në Çamëri. Kësaj fryme përçarëse i shërbeu dhe internimi i parë i krerëve të Çamërisë më 25 tetor 1940, tre ditë para sulmit të Italisë fashiste kundër Greqisë. Mes të internuarve në listën e parisë së Filatit ishte edhe Musa Demi. Internimi i krerëve të Çamërisë bëri që të ndërpritej misioni që kishte marrë përsipër atdhetari çam i Filatit dhe mbështetësit e tij çam kundër propagandës fashiste. Në burimet e kohës thuhet se grekët e mençur nuk u pajtuan me veprimet shoviniste që ndërmerrte qeveria e Metaksait kundër popullsisë çame. Historiani Jani Sarra nga rrethinat e qytetit të Gumenicës në librin e tij shkruante se Kristo Patuli kur pa se komandanti i Korofillaqisë së Gumencës, Kardhullaqi, i mblidhte burrat e parisë së fshatit Grikohor për internim, i tha: “Ju jeni i huaj, sot ju kemi këtu, nesër do të shkoni. Ne do të rrojmë së bashku me këta dhe ne do t’i paguajmë pjatat e thyera”18. Dhe ngjarjet rrodhën ashtu siç i parashikoi i ndjeri Kristo Pituli. Internimi i parë u pasua në mesin e nëntorit 1940, nga një valë tjetër e madhe që përfshinte meshkujt çamë të moshës 17-70 vjeç19. Ndërkohë “pati dhe të krishterë që ishin vërsulur mbi fshatrat myslimane dhe grabisnin ç’u dilte përpara në shtëpitë dhe në pronat e myslimanëve”20. Një vale egërsie e pashembullt dhe mizori çnjerëzore shfrynte mbi gratë, pleqtë dhe fëmijët e pambrojtur. Ishte përmbysur dhe shkelur çdo gjë: besa, buka, miqësia, vëllazëria, kumbaria, rregulli dhe tradita shekullore. Rregullin e ligjin e vendosnin kokat e nxehta, të huaja dhe vendase që, të verbuar nga propaganda, vrisnin njerëz të pafajshëm, deri pleq, të rinj e fëmijë, plaçkitnin në mes të ditës, thërrisnin gra, vajza e nuse të bukura dhe i përdhunonin21. Ishte koha kur shqiptarët myslimanë çamë përjetonin një tragjedi, të denjë për t’u shkruar nga Eskili i lashtë. Çamët e internuar përplaseshin nëpër ishujt e Egjeut. Nisja e tyre bëhej natën vonë dhe udhëtimi gjithmonë me det. Të deportuarit çamë, të mbyllur nëpër hambarë anijesh, ishin nën një mbikëqyrje të rreptë. Cilido që guxonte për të parë pakëz dritë ose për të kërkuar pak ujë, goditej për vdekje nga policia. Ata dërgoheshin në kampet e përqendrimit që ishin caktuar enkas në Mesollongj, Hio, Metilin22 etj. Në ato kampe “robërit e luftës” dhe “armiqtë e Greqisë dhe të popullit grek” vdisnin dalëngadalë prej urisë, torturave e sëmundjeve. Në to kishte mjaft shembuj e fakte që tregonin ku kishte arritur shpirti kriminal i agjentëve të policisë dhe të administratës së kryeministrit grek Jorgos Metakasai. Atje dergjej edhe Musa Demi, në kampin e të internuarve ne Hio, në vitin 1940, që priste nga çasti në çast, siç duket në këtë foto, që shikonte drejt rrugës së vdekjes.
Bashkë me çamët e tjerë që i shpëtuan vdekjes në internim, Musai u kthye në vendlindje rreth majit 1941. Në këtë kohë Greqia e kishte humbur luftën, Greqia ishte i pushtuar nga forcat naziste. Ndërkohë në Çamëri kaosi dhe anarkia tashmë kishte dalë sheshit dhe çdo gjë ishte jashtë kontrollit. Gjendja në Çamëri ishte tensionuar shumë. Qarqe të caktuara, ekstremet tek të dy komunitetet, nxitnin hakmarrjen dhe urrejtjen. Lufta vëllavrasëse ishte në prag të shpërthimit. Fshatarët e krishterë në Çamëri ishin të pambrojtur dhe nën një kërcënim të vazhdueshëm nga elementë të veçantë çamë, që kishin strehë dhe inkurajim nga klika fashiste e Nazar Dinos dhe Nuri Dinos që e quanin veten si drejtuesit e fateve të Çamërisë. Në këto rrethana Musa Demi që nuk njihte urrejtje për të krishterët, organizoi një takim në fshatin Koskë të Filatit. Në takimin e krerëve çamë ishin thirrur dhe të krishterë, që kishin deklaruar që nuk dëshironin armiqësinë e përgjakjen në mes të krishterëve dhe myslimanëve, armiqësi që nxitej nga propaganda fashiste e Italisë dhe Qeveria Greke. Musa Demi u bëri thirrje të pranishmëve që të ndikonin në frenimin e elementit keqbërës, që ishte me pasoja të rënda për të dy palët. Ai gjeti mbështetje të plotë tek të pranishmit për idetë që shtroi. Fill pas mbledhjes së Koskës, ata u shpërndanë në fshatrat dhe qytetet e tyre për të ulur valën e zemërimit, tensionit dhe hakmarrjes.
Musa Demi shkoi vetë në zonën e tensionuar të Margëlliçit për të ulur gjakrat. Ai kishte mësuar se familja e Gjinikasve dhe të afërmit e tij kishin zënë rob djalin e Vasil Ballumit dhe, në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e të birit të tyre, e mbanin atë të izoluar në shtëpinë e tyre, por pa e keqtrajtuar. Prania e Musa Demit në Margëlliç gjeti mirëkuptim të plotë, jo vetëm te paria e Margëlliçit por dhe te familja Gjinika dhe në mënyrë të veçantë te Riza Gjinika dhe e shoqja, që mbanin peng djalin në shenjë hakmarrjeje. Te myslimanët e Margëlliçit ndodhi ajo që nuk e priste as vetë banditi vrasës, Vasil Ballumi: lirimi i djalit të tij. Ky akt i lartë tregoi se çamët në përgjithësi, dhe drejtuesit e tyre në veçanti nuk ishin as vrasës, as grabitës, as hakmarrës, as kriminelë. Në këtë përfundim ka arritur edhe historian grek Zhang, ku nënvizon: “sikur shqiptarët çamë të ishin vrasës e kriminelë do të ishin zhdukur të gjithë fshatrat e krishterë të Çamërisë që ishin rreth fshatrave myslimane”23.

Është me interes të nënvizojmë, se nën ndikimin e mbledhjes së Koskës u aktivizuan dhe individë të krishterë për të frenuar veprimet e dhunshme të bandave kriminale greke që vrisnin çamët myslimanë të pafajshëm. Burimet e kohës përmendin Niko Thanon nga fshati Shemcë e Margëlliçit, i cili, me respektin që gëzonte tek dy komunitetet, bënte thirrje të hiqej dorë nga mosmarrëveshjet dhe i ftonte myslimanët dhe të krishterët të jetonin në paqe dhe vëllazëri dhe t’i kundërviheshin propagandës fashiste24. Pa dashur t’u bëjmë analizën përpjekjeve të Musa Demit e të bashkëpuntorëve të tij, mjafton vlerësimi dhe përfundimi që ka arritur historiani Zhango: “Analiza e fakteve në Çamëri tregon se popullsia myslimane nuk ishte dakord me krimet. Ata kërkonin të zhduknin armiqësitë dhe frymën e përçarjes në popull24.

Dhe së fundmi, nuk dua të lë pa përmendur se nismëtar për krijimin e formacionit të parë luftarak antifashist në Çamëri u bë Musa Demi dhe Prokop Shqevi. Çeta, fillimisht kishte 20-30 luftëtarë. Anëtarë të çetës ishin myslimanë e të krishterë, mes tyre edhe djali e vajza e Musa Demit. Shtëpia e Musa Demit në Filat priste drejtues të EAM-it, Kosta Palamaku nga Petrovica, Prokop Kalin nga Liveri, Pecalin nga Sidheri… Ndërkohë, Musa Demi ishte një nga veteranët më të moshuar të Rilindjes Kombëtare, të luftërave ballkanike, si dhe një nga përfaqësuesit më të spikatur mbrojtës të çetës çame në vitet 1905-1918.
Hija e “njeriut të dyshimtë”, sipas etiketës ideologjike që i vuri regjimi komunist, Musa Demit i qëndroi si saç i nxehtë mbi kokë. Ai kurrë nuk arriti ta kuptonte se nga i vinin pengesat për një dekoratë të lartë, për një pension për kontribut të veçantë, madje, dhe për të plotësuar të vetmen kërkesë: botimin e kujtimeve të tij me rastin e 50-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Në vitin 1962, nëntë vjet para se të ndërronte jetë, në moshën e pleqërisë së thellë, kur kishte kaluar vitet e një shekulli, por kishte humbur durimin dhe shpresën e durimit, ai iu drejtua një funksionari të lartë, me anën e një letre, në të cilën i shprehte dëshpërimin e tij që nuk arriti të botonte kujtimet e veta që kishte hedhur në letër 1905-1948. Në fundin e jetës së tij, me keqardhje, Musa Demi konstatonte se regjimi komunist kishte heshtur ndaj problemit çam pas Luftës së Dytë Botërore, më saktë deri në rënie të këtij regjimi. Me dhimbje Musa Demi vërente se shqiptarët po humbnin jo vetëm Çamërinë por edhe historinë e lavdishme të saj. Musai ynë i madh kishte të drejtë, po të rronte sot, do të ishte edhe me i revoltuar…

Referenca
1. Gazeta “Drita”, Sofje, dt. 1 maj 1906
2. Gazeta “Liria”, Selanik, 15 gusht 1909
3. L. Dilo “Çerçiz Topulli me shokë”, Tiranë 1961, fq.33-34
4. Gazeta “Lidhja ortodokse”, Korçë, dt. 31 gusht 1909
5. “Studime historike”, nr.2, viti 1989, fq. 141
6. Gazeta “Liria”, Selanik, 1 shtator 1908
7. AQSH. F.202 dos. 26, vol. 1908
8. Raporti i konsullit austro-hungarez në Janinë dërguar Vjenës, 22 korrik 1910
9. Gazeta “ Zgjimi i Shqipërisë”, Janinë, 7 Shëndre 1909
10. Gazeta “ Liria”, Selanik, 1 shtator 1908
11. AQSH. F.54, dos 69 v.1911, fq24
12. AQSH. F 224, v.1924, d 82
13. AQSH, F 251, v.1925, D.131, fq.126
14. “Gazeta e Re”, dt 11 gusht 1929
15. Ellinizmas tes Boreiou Eperiou kai…Vasileas Kontes , vell. Iv (1930-1940) Athinë 1997 dok27 fq. 106-107
16. Gazeta “ Demoratia”, Gjirokastër, 25 shtator 1932
17. Po aty.
18. Jani Sarras, “Istoria tis periohis Igumenitsis 1500-1950”, Athinë, 1985
19. N. Zhango, Anglikos ….vell.5
20. po aty
21. Po aty
22. Po aty
23. N. Zhango, Anglikos….vell. I
24. Po aty.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.