Kryesore

Sulmi ndaj Bashës dhe premtimet elektorale/ Mesazhet kryesore në fjalimin e Berishës në Kuvendin e PD

17:05 - 30.04.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Me kokën dhe dy gishtat lart, duke përshëndetur me dorë të pranishmit në Kuvendin Kombëtar të Rithemelimit, Berisha u rrëzua teksa ngjiste shkallët e podiumit për të marrë fjalën e tij, por u ndihmua nga truprojat e tij dhe u ngrit brenda pak sekondave duke vijuar normalisht me fjalën e tij.




Me këtë skenë nisi fjalimi i ish-Kryeministrit Sali Berisha ditën e sotme në Kuvendin e thirrur prej tij, në të cilin marrin pjesë 1 mijë e 100 delegatë të zgjedhur nga degët e PD në të gjithë Shqipërinë.

Bashkë me ta do të jenë edhe anëtarët aktualë të Këshillit Kombëtar, plus delegatët e rinisë dhe gruas dhe numri shkon në 1800 delegatë. Kuvendi do të zgjedhë sot edhe Këshillin e ri Kombëtar të PD-së.

Por, çfarë tha sot Sali Berisha në fjalën e tij në këtë Kuvend?

Ai e ka nisur fjalën e tij duke i falënderuar të gjithë për pjesëmarrjen ndërsa garantoi se me drejtimin e ri të PD do të shkojnë drejt fitores. E teksa fliste për partinë që nuk vdes kurrë dhe u rithemelua nga ata që duan të shpëtojnë nga Edi Rama, nuk munguan duartrokitjet dhe thirrjet ‘O Sali, o hero, gjithë Shqipëria ty të do’.

“Do filloj fjalën time me një mirënjohje të pakufishme ndaj jush, se qëndruat ju në idealet tuaja më të larta njerëzore, më të fortë se kurrë! Të çojmë para kauzën tonë. Jam për t’ju garantuar se me këta delegatë, me drejtimin e ri të PD do bëjmë gjithçka që të rinjtë, gratë të dalin sa më shumë në krye të kësaj partie si rruga më e sigurt e fitores së saj. Kjo parti nuk vdes kurrë. Ju e rithemeluat atë sepse doni të fshini nga faqja e dheut regjimin e bazuar në krimin, drogë, urrejtjen ndaj shqiptarëve. Së bashku rithemeluam PD sepse ne donim që kjo parti, ashtu siç lindi, të mbetej avokate e pamposhtur e vlerave të arrira tradicionale të shqiptarëve. Donim të shpëtonim nga një albanofob bastard, Edi Rama”, tha Berisha.

Sulmon Bashën: Zëvendësoi vlerat e PD me pazaret me qeverinë!

Berisha nuk mund të linte pa përmendur edhe Lulzim Bashën, për të cilin tha se zëvendësoi vlerat e PD me pazaret me qeverinë dhe kur përfundoi i mbërthyer, u vërsul me vendime e qëndrime.

“Rruga e rithemelimit na u imponua. Kjo rrugë jetike dhe shpëtimtare u imponua sepse ne në 8 vite po kalonim nga disfata në disfatë, nga dështimi në dështim. Lulzim Basha, i cili e konsideroi këtë parti si sipërmarrje, parimet dhe vlerat i zëvendësoi me pazaret dhe bizneset me qeverinë dhe së fundmi përfundoi i mbërthyer nga të gjitha anët dhe u vërsul me vendime, praktika e qëndrime fund e krye anti demokratike. Shkatërroi forumet, statutin”, tha Berisha.

Ish-Kryeministri vijoi më tej në fjalën e tij duke thënë se, apatia e opozitës ka marrë fund dhe se PD do të mbrojë të drejtat e qytetarëve. Megjithëse institucionet evropiane e ato amerikane kanë asistuar në ngritjen e reformës në drejtësi, Berisha tha se ajo është e korruptuar dhe se do ta vendosë shtetin ligjor me institucionet më të mira evropiane dhe amerikane.

“Ne u themeluam si parti e lirive dhe të drejtave njerëzore. Sollëm ato që mungonim në vitin 1990, mungonte dinjiteti njerëzor. Sot nga do e nisim? Do e nisim sërish nga liritë dhe të drejtat njerëzore sepse këto vite ato njohën trysnitë më të mëdha, dhunimet më të thella. Shqiptarët e gjetën veten në mbretërinë e frikës. Ne gjatë asaj kohe nuk i dolëm zot shqiptarëve, por kjo merr fund! Ne do jemi aty ku dhunohet çdo e drejtë e popullit shqiptar. Aty ku dhunohet e drejta, lind protesta. Apatia e opozitës merr fund. Ne zotohemi, nesër në pushtet me institucionet më të mira europiane e amerikane, do bëjmë gjithçka të zhdukim pasojat katastrofale të kësaj reforme të korruptuar, të rikthejmë ligjin, të vendosim shtetin ligjor”, tha ai.

‘Non-grata’ nga SHBA/ Unë jam Sali Berisha, s’ka prova, s’pranoj shpifje!

Ish-kryeministri komentoi gjithashtu edhe shpalljen e tij “non grata” nga DASH. Ai theksoi se akuzat për korrupsion janë shpifje pasi nuk kanë asnjë provë. Teksa nënvizoi është i gatshëm të marrë çdo masë ndaj vetes nëse paraqesin një fakt apo provë kundër tij, Berisha u shpreh se kurrë nuk do ta pranojë gënjeshtrën për të vërtetë.

“DASH më ka sanksionuar për akuza për të cilat nuk ka asnjë fakt provë dhe dokument. Jam sanksionuar nga lobimi i Sorosit të Edi Ramës. Çilido që do të paraqesë një fakt provë apo dokument kundër Sali Berishës ai është i gatshëm të marrë çdo masë ndaj vetes së tij… Unë jam Sali Berisha. Kurrë kurrë kurrë shpifjen, gënjeshtrën nuk e pranoj për të vërtetë. Ju jam mirënjohës ju të cilët ndani me mua këtë qëndrim. Ky Kuvend hap kapitullin e përballjes me qeverinë. Edi Rama është kryeministri më i pashkollë në historinë e Shqipërisë. Po dhe po. Shqipëria në të katër anët e saj lëngon. Edi Rama me burgosje, dhunë vret shpresën në çdo shesh të Shqipërisë. ”, tha Berisha.

Paralajmëron protesta për të drejtat e emigrantëve:

E ndërsa fliste në podium, Berisha ka paralajmëruar protesta për të drejtat e emigrantëve ndërsa me bindje tha se nuk do të ketë më kurrë proces zgjedhjesh pa votat e diasporës.

“Çdo përpjekje për destabilizimin e Kosovës do të përballet me reagimin e kombit shqiptar si komb i vetëm. Unë garantoj diasporën dhe emigracionin se Shqipëria nuk do të votojë kurrë për ju. Do mbushim rrugët dhe sheshet e Tiranës për të drejtat e patjetërsueshme. Shqiptarët kudo që janë do të kenë shtetësi shqiptare, shqiptarët në Kosovë dhe një marrëveshje me qeverinë e Kosovës do të gëzojnë dy shtetësi njësoj si qytetarët shqiptarë këtu apo në Kosovë“, tha Berisha.

Berisha paralajmëron Vuçiç: Kërcënimet mbaji për vete, fatin që do pësojë Putin do kesh!

Sali Berisha komentoi ditën e sotme nismën ‘Open Balkan’. Gjatë Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, Berisha paralajmëroi Vuçiç për pasoja nëse tenton destabilizimin e Kosovës. Po ashtu, Berisha tha se fatin që do të ketë Putin në Ukrainë do ta ketë edhe Vuçiç.

“A e dini ju miqtë e mi se në tryezat diplomatike të nivelit më të lartë, kryeministra, kryetarë shtetesh hapin sytë kur e dëgjojnë Edi Ramën të flasë për Aleksander Vuçiçin me aq pasion, njeriun që nuk njeh gjenocidin e sanksionuar nga dy vendime gjykatash në Bosnjë. Njeriun që nuk njeh gjenocidin në Kosovë, njeriun që punon haptas për Serbinë e Madhe. Ne jemi dhe do jemi për bashkëpunim rajonal. Ne jemi dhe do bëjmë gjithçka për paqen dhe stabilitetin në rajon, por ne kurrë nuk mund ta shndërrojmë Shqipërinë në epiqendër të luftës së ftohtë ndaj Kosovës. Ne s’do pranojmë kurrë Ballkanin e Hapur, një aleancë trilaterale antishqiptare. Një aleancë e cila është fund e krye në shërbim të Serbisë së Madhe. Rama është njeriu që i bën më shumë tualet Vuçiç. Kurrë s’mund ta shndërrojmë Shqipërinë në epiqendër të luftës së ftohtë të Kosovës. Çdo përpjekje për destabilizimin e Kosovës do përballet me Shqipërinë. Atë fat që do pësojë Putini në Ukrainë do ta kesh dhe ti në çdo aventurë tënden në Kosovë dhe kudo tjetër“, tha Berisha.

‘Do kemi taksa të ulëta’/ Berisha: Nesër në pushtet me institucionet më të mira amerikane!

Berisha deklaroi ditën e sotme se me ardhjen e PD-së në pushtet, Shqipëria do të ketë taksat më të ulëta në rajon. Po ashtu, Berisha tha do të jetë në pushtet do të bëjë gjithçka, me institucionet më të mira europiane dhe amerikane.

 ‘Shqipëria do të jetë vendi me taksat më të ulëta në Europë. Jemi vend i bekuar, kemi pasuri natyrore, por ato po plackiten cdo ditë. Pasuritë përrallore do të shndërrohen në burime të fuqishme. Miqtë e mi, në 8 vite komisioni i kontrollit të lartë të shtetit ka faktuar që qeveria e Ramës ka shpërdoruar 8.2 mld euro. Shumë kjo me të cilën mund të rriteshin 3 ose 4 herë rrogat e shqiptarëve. Kjo praktike merr fund. Përsëri, ku do ti gjejmë ne fondet? Si do e nxjerrim vendin nga katastrofa. Regan shkruante se Qeveria është problemi, duke besuar dhe zbatuar parimin, në 2013 lamë një administratë me 93 mijë punonjësish, sot ka 220 mijë rrogëtare. Ne nuk jemi dhe nuk duam të shikojmë njeri të varfëruar por nuk dilet në parazitizëm, duke vendosur në një detyrë 5 vetë që të pengojnë njëri tjetrin. Qeveri e vogël, administratë eficente do të jetë burimi ynë. Ne jemi themeluar si parti e pronës dhe pronarëve, kjo parti shndërroi 220 mijë shqiptarë në pronarë të apartamenteve. Shndërroi 460 mijë fermerë në pronarë të tokave. Nuk themi se ska pasur gabime apo padrejtësi. por respektimi i pronës private ka qenë parimi ynë. 8 vite janë rikthyer ligjet që imitojnë 46-ën. Janë votuar ligje që konfiskojnë apo lejojnë dorën që të konfiskojë ligje nga Velipoja. Të gjitha këto do të anulohen, iu jap fjalën pronarëve shqiptarë që do të bëhet gjithcka për rikthimin e pronave të tyre. Familja shqiptare është në stres të madh. Në shpërbërje, vështirësi që nuk e ka njohur kurrë më parë. Ne si konservatorë zotohemi se do të kemi mbështetjen për familjen. Familja shqiptare është dhe do të mbetet votra e shoqërisë sonë.’- tha Berisha.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.