Kosova

“Rrezikim dhe kërcënim i sigurisë!”/ Kosova skeptike për anëtarësimin në NATO, edhe pas sulmeve ndaj policisë

09:54 - 01.05.22 K.K
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Disa sulme ndaj policisë janë regjistruar në veri të Kosovës dhe institucionet e vendit e kanë marrë seriozisht anëtarësimin në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), sidomos pas luftës në Ukrainë e qëndrimit neutral të Serbisë karshi sulmit rus mbi këtë shtet.




Ndonëse po shihet si veprim i duhur, anëtarësimi në këtë mekanizëm po vlerësohet si shumë kompleks dhe vështirë se mund të përshpejtohet, prandaj edhe po kërkohen veprime konkrete që mos të përsëriten gabimet e më hershme, shkruajnë mediat vendase.

Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi në një intervistë për Ekonomia Online, tha se tërheqja në momentin e fundit për aplikim në organizata ndërkombëtare të sigurisë vazhdon të ketë pasoja për Kosovën në çështjen e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndërkufitar po vlerëson.

Ibishi shtoi se Qeveria duhet të jetë e përqendruar dhe të fillojë sa më parë kërkesën për anëtarësim në NATO, OKB dhe Këshillin e Evropës, në mënyrë që të përgatitet edhe për lobim në fazën e marrjes së vendimit.

Në vijim, ai tha se bashkëpunimi duhet të jetësohet edhe me Shqipërinë, raporton Gazeta Express.

“Është tendencë e vazhdueshme dhe fatkeqësisht dështimi jonë apo tërheqja në momentin e fundit për aplikim në organizata ndërkombëtare të sigurisë vazhdon të ketë pasoja për Kosovën në çështjen e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndërkufitar dhe mendoj që edhe me Shqipërinë duhet të jetësohet kur kemi trend të rritur në aspektin e rrezikimit dhe kërcënimit të sigurisë jo vetëm në rajon, por edhe në kufijtë të Kosovës”.

Qeveria në bashkëpunim me prezencën ndërkombëtare të sigurisë, por edhe vendet përveç Serbisë e cila vazhdon të jetë kërcënuese për Kosovën mendoj që jashtëzakonisht mirë ka ngritur çështjet dhe normal ajo çka po kërkohet edhe anëtarësimi në NATO dhe Këshillin e Evropës që është me rëndësi jetike për Kosovën që të tejkalohen të gjitha këto raste.

Duhet të shfrytëzohet momentum dhe të jetë e përqendruar dhe kërkesat për anëtarësim në OKB t’i fillojë qysh më herët me qëllim që në momentin e mbajtjes së asambleve sikur që është INTERPOL apo edhe organizatave tjera ndërkombëtare të jemi shumë më të përgatitur edhe për lobim edhe në fazën e vetë marrjes së vendimit. Ne kemi partner tonë strategjik që na mbështesin dhe duhet shfrytëzuar momentum”, tha Ibishi.

Njohësi i rrethanave politike në vend, Fatmir Çollaku tha se anëtarësimi në NATO është proces kompleks dhe gjasat për një përshpejtim të këtij procesi janë shumë të vogla.

Mes tjerash, ai tha se bashkëpunimi i fushës së sigurisë me Shqipërinë është i kënaqshëm, por se shteti amë nuk ka ndonjë pozicion përveç që është anëtare e NATO-s, raporton EO.

“Anëtarësimi në NATO është proces kompleks në të vërtetë kush i njeh mirë këto probleme e dinë se nuk mund të realizohet lehtë. Aktualizimi dhe ideja për përshpejtim  të procedurave është e mirë dhe shumë e dobishme dhe natyrisht interesi ynë kombëtar është që sa më shpejt që ka mundësi të anëtarësohet Kosova në NATO. Mirëpo se sa janë gjasat reale për një anëtarësim të përshpejtuar unë mendoj që gjasat janë të vogla.

Bashkëpunimi i fushës së sigurisë me Shqipërinë është i kënaqshëm, por Shqipëria nuk ka ndonjë pozicion përveç që është anëtare e NATO-s e asnjë kapacitet dhe diçka që mund të ofrojë si shtet përveç mbështetjes kombëtare dhe bashkëpunimit të gjithëmbarshëm. Qeveria po bënë punën e vet suksesshëm në fushën e sigurisë duke nënkuptuar performacën cilësore të policisë dhe vigjilencën e shtuar të institucioneve të tjera. Prandaj në këtë aspekt rezultatet në teren po tregojnë se është në rregull sa i përket punës dhe kryerjes së detyrave të sistemit të sigurisë”, shtoi Çollaku.

Sulmi i gjashtë ndaj policisë kosovare që nga 13 prilli

Autoritetet e Kosovës, nuk kanë njoftuar nëse kanë identifikuar ndonjë të dyshuar për sulmet e njëpasnjëshme ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit, shkruante REL pasi e marta e 26 prillit shënoi edhe një sulm ndaj policisë, të gjashtin të tillë që nga 13 prilli.

 

 

Sulmi ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit në Zubin Potok – komunë me shumicë serbe – dhe dyshohet se është kryer me armë zjarri. Sipas policisë, përveç dëmeve materiale në një automjet, nuk ka pasur zyrtarë të lënduar.

Më 15 prill, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka mbajtur një konferencë për media, ku ka njoftuar publikun për katër sulme ndaj Policisë së Kosovës, që kanë filluar nga 13 prilli. Ndërkaq, policia ka njoftuar për sulmin e pestë më 16 prill.

Sveçla ka thënë se policia e shtetit ka qenë “pre e sulmeve të armatosura të grupeve kriminale në veri”. Sipas autoriteteve, në sulmet ndaj policisë janë përdorur iriqë metalikë, gurë, granata dore, armë automatike dhe mjete piroteknike.

Po ashtu, ka pasur dyshime se disa nga të shtënat kanë ardhur nga territori i Serbisë. Forca të shtuara të Policisë së Kosovës janë parë të martën rreth zonës kufitare në Zubin Potok.

Paralajmërime për “mosbindje civile” në veri

Por, reagime ka pasur nga Lista Serbe – partia kryesore e komunitetit serb në Kosovë – dhe nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Drejtori i kësaj të fundit, Petar Petkoviq, ka thënë se “rritja e tensioneve në terren, sidomos në veri, nuk ka të bëjë me serbët”.

Sipas Listës Serbe, tendencat janë që këto sulme t’iu mveshen serbëve.

“Ky incident [sulmi i 26 prillit] ka për qëllim destabilizimin e situatës, por është edhe tentim për t’i paraqitur serbët si banditë – gjë që nuk është e vërtetë”, thuhet në një komunikatë të Listës Serbe.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, në një konferencë për media të mbajtur më 25 prill, ka thënë se ka informata se Prokuroria Speciale e Kosovës ka iniciuar procedura ndaj “qytetarëve serbë, biznesmenëve, kryetarëve të komunave, deputetëve e përfaqësuesve politikë” për atë që Kosova pretendon se “është sulm ndaj rendit kushtetues të Kosovës”.

“Arsyeja është protesta kundër veprimeve të njëanshme të Prishtinës, vitin e kaluar. Persekutimi i motivuar i popullit tonë. Sipas informacioneve që kemi, kjo është një procedurë ndaj më shumë se 70 qytetarëve tanë”, ka thënë Rakiq, duke mos e specifikuar se për cilën protestë e ka fjalën.

Serbët kanë protestuar në tetor të vitit të kaluar, pas një aksioni anti-kontrabandë, të zhvilluar nga Policia e Kosovës në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut.

Policia e Kosovës ka thënë se në atë aksion janë sekuestruar “mallra të kontrabanduara, në vlerë prej qindra mijëra eurosh”, dhe ka mbyllur disa rrugë që janë përdorur për kontrabandë.

Nëse Prishtina zyrtare fillon me “lëvizje të njëanshme, duke arrestuar qytetarët tanë, ne do të detyrohemi të rezistojmë me të gjitha mjetet demokratike dhe jodemokratike, që përfshijnë mosbindje totale civile, për të mbrojtur të drejtat e njeriut të qytetarëve tanë”, ka thënë po ashtu Rakiq.

Ai ka bërë të ditur se Lista Serbe është takuar të hënën me përfaqësuesit e shteteve të Qunt-it – Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia dhe Franca – nga të cilët ka kërkuar, siç ka thënë, “të pengojnë Prishtinën në përpjekjet e saj për një kaos në veri të Kosovës”.

Po në të njëjtën ditë, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe se ne këtë takim është diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë dhe situatën politike në rajon, por nuk janë dhënë më shumë detaje.

Misioni i NATO-s në Kosovë – KFOR, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë dhe Zyra e BE-së i kanë dënuar sulmet kundër Policisë së Kosovës, duke kërkuar që të mos bëhen veprime që mund t’i përshkallëzojnë tensionet në atë zonë.

Katër komunat në veri të Kosovës me shumicë serbe

Katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani, janë të banuara me shumicë serbe.

Ky rajon, ndër vite, ka qenë vatër e trazirave.

Të fundit të mëdha kanë ndodhur në shtator të vitit të kaluar, pas një vendimi të Qeverisë së Kosovës për masa reciprociteti ndaj Serbisë, për çështjen e targave të automjeteve.

Protestat dhe bllokadat në rrugë, të shkaktuara nga disa serbë lokalë, kanë zgjatur disa javë dhe kanë përfunduar pasi Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje të përkohshme për targa.

Ish-kryeministri Berisha akuzon presidentin serb për porositje të sulmeve

Pas sulmit të gjashtë ndaj Policisë në veri të Kosovës, ka reaguar edhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Me anë të një deklaratë në rrjetet sociale, Berisha theksonte se sulmi është porositur nga bandat e Beogradit dhe presidenti serb, pasi sipas tij, Aleksandar Vuçiçi kërkon që të provokojë konfliktin dhe destabilizim.

“Sulmet kriminale te bandave te Beogradit urdhërohen nga serbomadhi Vuçiç! Te dashur miq, pas agresionit barbar rus ndaj Ukraines, Beogradi ka organizuar falanga banditesh dhe ka ndermarre me to ne menyre te perseritur sulme kriminale dhe terroriste ndaj patrullave te policise se Kosoves ne veriun e vendit.

Me keto sulme te Vuçiç kerkon te provokoje konflikt dhe destabilizim dhe te vazhdoje keshtu projektin e tij te Serbomadhise.

Denoj me ashpersine me te madhe keto akte te perseritura kriminale ndaj policise se Kosoves dhe kerkoj nderprerjen e tyre te menjehershme. Sb”, shkruante Berisha në atë kohë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.