Kosova

“Nuk jemi në NATO e BE por janë ata te ne”- Dialogu Kosovë-Serbi në Berlin, Scholz takon Kurtin dhe Vuçiç

18:19 - 04.05.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

BERLIN- Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz ka zhvilluar ditën e sotme takime të veçanta me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.




Pas takimit, Olaf Scholz dhe Albin Kurti dolën në konferencë për mediat ku treguan çfarë diskutuan.

Në fokus të bisedimeve ishin liberalizimi i vizave, dialogu Kosovë-Serbi dhe lufta në Ukrainë.

Edhe pse bisedimet mes Kosovës e Serbisë nuk janë cilësuar si të lehta nga Vuçiç, kjo marrëdhënie dypalëshe është një ndër çështjet kyçe në Ballkanin Perëndimor. Në kuadër të dialogut mes Kosovës e Serbisë ka patur mjaft ndërhyrje për normalizimin e marrëdhënieve por ende pa sukses.

Vetë kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, ka thënë se nuk do t’i ftojë liderët në një takim të tillë sa për sy e faqe, pa pasur indikacione të qarta se në takim do të arrihet përparim konkret. Ky takim joformal në Berlin, mund të jetë një mundësi për të përmirësuar atmosferën në kuadër të dialogut dhe për ta bërë të mundur edhe ndonjë takim të nivelit të lartë në Bruksel.

Kancelari Gjerman, Olaf Scholz shprehu bindjen për përmirësimin e liberalizmit të vizave ndërmjet dy shteteve. Scholz u shpreh se ishte i lumtur për bashkëpunimin e qeverive të dy vendeve që do të forcojë pavarësinë energjetike dhe do të përmirësojë cilësinë e ajrit.

“Përparimi i mëtejshëm duhet të bëhet tani edhe në liberalizimin e vizave për Kosovën. Qeveria federale e ka fiksuar këtë si objektiv në marrëveshjen e koalicionit. Për këtë unë angazhohem me këmbëngulje në Bashkimin Evropian, në biseda me partnerët; angazhohem me këmbëngulje”, tha Scholz.

Scholz përmendi edhe bashkëpunimin rajonal duke thënë se ka vite që Gjermania angazhohet në këtë rajon me procesin e Berlinit. Ai përmendi katër marrëveshje të rëndësishme që tha se do të nënshkruhen në gjysmën e dytë të këtij viti në kuadër të Procesit të Berlinit.

“Projekti më i rëndësishëm është krijimi i një tregu të përbashkët rajonal”, tha Scholz duke paralajmëruar marrëveshje për lëvizjen e lirë të personave dhe njohjen e diplomave profesionale.

Kurti u shpreh se diskutuan për liberalizimin e vizave duke nënvizuar se Kosova i ka plotësuar kriteret, gjë për të cilën ra dakord edhe kancelari gjerman duke thënë se duhet bërë përparim dhe për këtë do të angazhohet edhe ai vetë.

“Kemi folur për dialogun me Serbinë, dialogu duhet të jetë i përqendruar me njohje reciproke. Pikëpamja e bindja jonë është që njohja reciproke duhet të jetë në qendër, jo në fund. Jemi të përqendruar për të pasur rezultate konkrete”, tha Albin Kurti.

“Edhe dy muaj bëhen katër vite prej se Komisioni Evropian e ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën për herë të dytë. Është koha të thuhet se mjaft është mjaft. Kjo çështje duhet të vendoset në Këshillin e BE-së pasi Kosova i ka kryer detyrat e shtëpisë, dhe është radhe që edhe BE të kryej detyrat e saj”, tha Kurti.

Ndër të tjera, Kurti njoftoi edhe për një takim që do të zhvillohet në Prishtinë. Duke marrë shkasë nga zhvillimet e fundit gjeopolitike në Ukrainë, kryeministri i Kosovës tha se nuk i tremben asgjëje, por gjithsesi janë vigjilent.

Në vijimësi të kësaj deklarate për shtyp, Kurti e shprehu  duke thënë se mos anëtarësimi në NATO apo BE, nuk nënkupton se prania e tyre nuk ndihet në Kosovë, kjo për faktin se këto dy subjekte mbeten alternativa e vetme nëse cenohet siguria e paqja në vend.

“Nuk jemi të frikësuar, por vigjilentë, ndonëse Kosova nuk është në NARTO, NATO është në Kosovë, ne nuk jemi në BE, por BE është te ne, nuk kemi alternativë përveç BE dhe NATO dhe do e mbrojmë progresin tonë ndaj çdo rreziku që na shfaqet “, tha Kurti.

Ndërkohë pritet deklarata e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç lidhur me takimin e Kancelarit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.