DOSSIER

Zbulohen shënimet e Ernest Koliqit: “Tre persona roje në zonë, kan pa aeroplanin, por jo parashutat, pasi vështirësitë atmosferike…”/ Kur ‘Blloku Indipendent’ synonte rrëzimin e Enver Hoxhës

14:43 - 06.05.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Memorie.al / Ndoshta si shumë të tjerë, edhe unë, shpeshherë shfletoj letrat me miqtë dhe bashkëpunëtorët e mi, që nuk janë më në këtë jetë. Duke i shfletuar ato, për një çast shpalosen kujtime që më duket se disa prej tyre mund t’i shërbejnë historisë tonë. Pastaj, kthehem te vetëdija për gjendjen e e sotme të rëndë në atdheun etnik, shkaktuar nga çatrafilimi i politikës shqiptare, e them me vete: “Vallë, çfarë mund të shërbejnë në këtë kohë të zymtë kujtimet e mia për të tjerët ose letrat e njerëzve të vdekur?”




Pa qenë ndjellës ogurzi i pesimizmit, duke menduar si gjithmonë për një të ardhme më të mirë, kthehem tek detyrimet e mia ndaj miqve të mi dhe si një vëzhgues i akullt i kohës, pa asnjë pretendim shërbimi historik, kur më jepet mundësia e botimit, shkruaj atë që kam në mend, gjithnjë të mbështetur në shkrimet dhe në letrat e tyre. Ky parim ndiqet edhe në këtë libër për Xhafer Devën. Xhafer Devën e njoha në person, kemi këmbyer vizita dhe kemi pasë letërkëmbim të dendur.

Kam kaluar ditë pushimi në shtëpinë e tij dhe kam trashëguar të gjithë korrespondencën e Xhafer Devës me Rexhep Krasniqin, shokun e tij më të ngushtë, për mëse 40 vjet. Mbas shumë vjetësh, bisedova në telefon me të bijën dhe dhëndrin e zonjës Deva. Në bisedë e sipër, duke përfituar nga miqësia e vjetër, pyeta për letrat e tij dhe më njoftuan se të gjitha i kishte Qefali Hamdia, mik i familjes së tyre.

Në qershor të vitit të kaluar (2001) shkova në Kenosha, Wisconsin, mysafir i Qefali Hamdisë, për të shikuar korrespondencën e Xhafer Devës, të cilën ia kishte dërguar zonja Deva vite më parë, kur ajo, për shkak të moshës së thyer, po mbyllte shtëpinë e vet për të vajtur në shtëpinë e 5 së bijës dhe të dhëndrit, zonjës Burgl Dagmar dhe Rev. Dennis Logie.

Mbasi lexova pjesën kryesore të letrave, në ato gjuhë që i merrja vesh, mora me vete më shumë se një mijë faqe të korrespondencës së tij, ku përfshihet një periudhë mbi 30 vjet, 1945 – 1978. Xhafer Deva foli dhe shkroi shtatë – tetë gjuhë. Korrespondenca e tij është: shqip, anglisht, gjermanisht, italisht, frëngjisht, turqisht dhe serbisht. Letrat dhe shkrimet e Xhafer Devës, me përjashtim të atyre me shkronja të turqishtes së vjetër dhe të serbishtes me shkronja cirilike, kryesisht janë të shkruara me makinë, të mbajtura mirë dhe të renditura simbas alfabetit, me personat që ai kishte të bëjë.

Aty përfshihen edhe letrat e tij familjare. Ai ruajti me kujdes kopjen e çdo letre që dërgoi dhe çdo letre që mori. Zonjës Oswalda Deva, të bijës Burgl, dhëndërrit Dennis Logie dhe z. Qefali Hamdia me familje, i’u shprehi falënderimet më të përzemërta për besimin që më dhanë. Me mirënjohje të veçantë kujtoj këtu ndihmesën që më dhanë vëllezërit – Kapidan Nue Gjomarkaj dhe Nikoll Gjomarkaj, në përgatitjen e njërit prej kapitujve më të rëndësishëm të këtij libri.

Kapidan Nou, përveç vënies në dispozicion të lëndës mbi marrëdhëniet e Xhafer Devës me ‘Bllokun Kombëtar Indipendent’ dhe dërgimin e parashutistëve në Shqipëri e në Kosovë, shqyrtoi bashkë me mua secilin dokument të asaj periudhe, dhe formuluam tekstin në formë bisede; ndërsa Nikolla, deshifroi letrat, transkriptoi dhe përktheu nga italishtja, materialet e papublikuara deri më sot, të cilat u botuan në këtë kapitull.

Vijon nga numri kaluar

Jeta dhe veprimtaria e Xhafer Devës në mërgim

– Kosova në kohën e Shqipnisë etnike –

Xhafer Deva në dritën e letrave të veta

Marrëdhëniet e Xhafer Devës me ‘Bllokun Kombëtar Indipendent’ dhe misionet e tyre parashutiste në Shqipëri e Kosovë

Mirash Nikolla e Llesh Karaçi dërgohen në kërkim të Gjonit. Në drejtim tjetër dërgohet Frrok Voci. Gjon Gjinaj, t’ue mendue se nuk mund të bëhej zbarkimi në ato kushte të vështira atmosferike kthehet në bazë dhe fillon shpërnguljen e niset për në Spaç. Mbas shumë orë udhëtimi, arrin në Prrue t’Krrezit në afërsi të katundit Kimëz. Mbasi vendosen e rregullojnë qendrën, shkon në kërkim të ndonjë besniku që mund ta ndihmonte. Takimin e parë e banë me Pjeter Kimzen, i cili zotohet me e furnizue me ushqim. Prej këndej fillojnë komunikimet me radion marrdhënëse. Le të deshifrojmë së bashku disa prej këtyre transmetimeve.

“Nik” asht pseudonimi i Kol Çunit. Si mbas burimeve tua, të mbështetura në korrespondencën e Xhafer Devës, këtë pseudonim mund t’ia këtë propozue Kolës, Roger Hollingshead. Për Roger, të mbetet ty të flasësh. Unë mund të them vetëm këtë: – Ai ka qenë miku i ynë ma besnik amerikan. Ai na ka ndihmue në çdo drejtim. Ndërsa, unë po shikoja një dosje me letra komunikimi radiofonik, të shënuara shqip dhe italisht, Kapidan Nou, hodhi në të pastër, sa për ilustrim, disa shënime me dorë të prof. Ernest Koliqit, i cili i kishte regjistruar në kohën e transmetimit të tyre nga malet veriore të Shqipërisë:

Nik – Mes. 2.2. “Për zbarkim të grupit të qendrës i’u kemi komunikue se mund të shkaktoj zbulimin e prezencës tonë”. Nik – Mes. 15. 2. “Sot asht nisë nji grup prej 15 vetash në drejtim te Fushës Laje për me sigurue zbarkimin. Ndër ta Gjoni, Bardhoku, Zefi e Nou”. Për Nik – 22.2. “Gjendja, atmosferike parasheh vonesën e zbarkimit. Qëndroni në zonë deri me nji mars”. Nik – 24.2. “Vështirësi atmosferike me qindrue njerëzit ma gjatë në zonën e zbarkimit”. Nik – Mes 26.2 “Tre persona roje në zone, kan pa aeroplanin por jo parashutat”. Nik- Mes. 2. 3. “Në Fushë Lajë, në muzg, Çup Paluca, Nikoll Marka Preni e Pren Kola, kan pâ nji zjarm por jo pesë zjarme”. Nik – 28.2. “Gjendja atmosferike tepër e keqe. Asht nis nji grup në kërkim të materialit”. Nik-1.3.

“Bardhoku, Frisku, Zef Voci, Pjeter Gjeta me dy të tjerë, janë vra në Fushë Lajë në përpjekje me policinë”. Nik – 7.3. “Lajmoj arrestimin e korrierëve Zef Ndreca e Kol Marka Gjoka në Kukës. Jam i preokupuem”. Nik-24.2. “Vështirësi të kohës, dimen i fortë, dhetë orë udhëtim prej Prrojit të Krrezit në Fushë Lajë, lëvizjet tona të pandërprerë më shkaktojnë shqetsim të madh, prandaj datën e zbarkimit, due ta caktoj vet”. Për Nik – 22.2. “Parashifet zbarkimi ma vonë”. Me këtë lajm Nik (Kol Çuni) kërkon shtyrjen e datës, por zbarkimi, pa lajmuar atë, ishte bâ një natë më parë. Përgatitja për zbarkimin e njerëzve ishte në dorë të teknikëve të aviacionit, të cilët e studionin kohën dhe gjendjen atmosferike. Zbarkimi i grupit të Elbasanit, në një zonë të pa njohur përveç mirditorëve, ishte destinuar të falimentonte. Zemrimi i Nik kishte arritur kulmin. Vetëm grupi i Mirditës jepte sigurim zbarkimi.

“Me i mohue besnikërinë grupit të Mirditës, asht mohim i çështjes për të cilën jemi tue sakrifikue jetën”, shtonte në radio Kolë Çuni, i zemëruar dhe shënonte prof. Koliqi, tekstin vazhdues: Nik – 8.3. “Kurrkush, as teknikët ma të mire, nuk kishin mujtë me mendue me zbarkue ndër këto kondita atmosferike, e pa na lajmue. Ju siguroj se për dështim të zbarkimit, nuk ka mosmarrëveshje as faj tek neve. Orvatja e jonë me përgatitë zbarkimin, lëvizjet e njerëzve prej Krrezit në Fushë Lajë, me 10 orë udhëtim, kujdesi i madh mos me u zbulue prej policisë e veshtirësit për furnizim ushqimi, kanë shkue kot. Në anë tjetër, humbja e shokëve pa nji qëllim vret koshiencen e atyre që kanë ba zbarkimin para kohe e pa lajmue. Por na do të vazhdojmë punën tonë. Alushi e ka ditë. Pse Alushi nuk ka qindrue 24 orë në vend të zbarkimit si mbas rregullës të kushtëzueme, por asht largue pa u kujdesue me marrë kontakt me grupin Nik? Gjithë materiali që priste Nik, ka humbë”. Dhe njofton: Nik – 20.2. “Dy korrierët, Zef Nreca e Kol Marka Gjoka, janë lirue. Jam i shqetsuem”.

Pesë ditë më vonë, Alush Leshanaku njoftonte se gjendej në zonën e Krujës, në udhëtim për Elbasan. Ndërkaq, Kapidan Nue Gjomarkaj, thotë: “Mirdita ishte shtërngue në qindresë. I madh e i vogël pritnin dhe përcjellin luftërat e lirisë pa u trembë. Gratë, me kosh n’shpinë, plot ushqim, tue u përshkue nëpër shkurre e prroje e vende të thyeshme, vrapojshin me shkue te luftërat e strukun në shpat të malit, me i’u çue bukën. E tjera, gra e cuca, t’ue i furnizue luftarët me lajme të sigurta, ose tue i u arrnue petkat e laskarueme. Këto heroina të vërteta, përcjellshin ndjenjat fisnike e kombtare të luftarëvet me qindrue deri në vdekje, por mos me u dorzue gjallë komunizmit gjakatar. Fjala e atyne ishte: kush ta kap pushkën me dorë, të luej gishtin”. Kolë Çuni, komunikon me qendrën në Romë: Nik – 2/3 “Lajmoj thirrjen nën armë në tanë Mirditën. Populli gadi me kundërshtue. Populli më shtërngon me kërkue armë e municion, për nji kryengritje dhe ep emna kryetarësh të njoftun për të dishmue forcën popullore.

Krahina e Shkodrës asht krejt e perfaqsueme. Edhe ajo e Kukësit (Luma)”. Mbas transkribimit të shenimeve të prof. Koliqit dhe disa analizave rreth komunikimeve të para të parashutistëve me qendrën në Romë, z. Gjomarkaj vazhdoi: “Kërkesa e Nik (Kol Çunit), me dergue armë e municion, u shtonte në çdo mesazh telegrafik. Mosknaqësia e popullit kishte mbrrijtë kulmin. Nuk duronte ma. Me ket pasqyrë të situates, shifet qartë influenca e ‘Bllokut’, por mjerisht ishin rrethanat nderkombëtare që e pengojshin nji tentativë të tillë. Për ket arsye, kryesija e ‘Bllokut’, kundër dëshirës e vullnetit të vet, kërkon prej Nik, vetëm detyrën informative që asht imponue qysh në fillim. Pa perkrahjen prej së jashtmi, e cila na mungon, çdo tentativë kryengritje asht e destinueme me falimentue. Prandaj rekomandojmë kujdes të madh.

Gjon Gjinaj, kishte fillue kontaktet me luftarët e me ta takohej e shqyrtonte gjendjen. Prej Kthellit kishte bâ lidhje me luftarët e Kurbinit, të cilët e kishin lajmue se ishin në dispozicion për nji bashkpunim të ngushtë. Për ket arsye, çeta e Kurbinit, Nue Lala me vlla, Pal Lala e Nue Gjergji, të udhëhequn prej Pashk Sumes e Mark Melyshit, mbrrijnë në Krrabe. Aty asht bisedue për bashkepunim e ndihem grupit te Kurbinit. Influenca e grupit shtohej dita ditës. Prej Jugosllavie, grupe të dërgueme prej UDB-ës hyjshin në Shqipni me qëllim me përhapë influencën e Jugosllavisë dhe me zbulue qendrën e radiotransmetimit në Mirditë. Të gjithë takoheshin me Gjon Gjinin, por asnji prej tyne nuk vehej në kontakt me qendrën tone, vetëm Nue Melyshi, të cilit i besonte ‘Blloku’; ishim të sigurt se Nou nuk do të kalonte në Jugosllavi. ‘Grupi i Mirditës’ me Gjon Gjinaj udhëhjekës, shkojnë në Malin Zep (Fand) me pritë nji zbarkim furnizimi.

Ky grup ishte i përbamë prej: Gjon Gjinaj, Nue Melyshi, Pjeter Gjoci, Gjon Shkurti me vllanë Bardhok Shkurti, Zef Nreca me djemt Marka Zefi e Nue Zefi, Marka Lleshi e të tjerë. Nërsa po përgaditeshin për zbarkim, rrethohen prej forcave të shumta komuniste dhe plasë nji luftë e ashpër. Mbesin të vramë: Gjon Shkurti, Zef Nreca me djalin Nue Zefin, e plagoset randë Gjon Gjinaj. T’ue e pa se po vriteshin të gjithë, vendosën me sulmue me bomba dore dhe me nji sulm të rrufeshëm çajnë rrethimin me Gjon Gjinajn e plagosun. Gjonin e strehojnë në nji shpellë dhe Nue Melyshi, i cili kishte ilaçe me veti, rrin tue e mjekue. Nik (Kol Çuni) me grupin e vet, gjindej në Pukë, por në lidhje të ngushtë me luftarët e Mirditës, prej të cilëve merrte lajme të vazhdueshme. Në korrik të vitit 1951, Kol Çuni komunikon prej Puke: “…nuk i ndrroj shifrat”.

Ky lajm i tij na vuni në dyshim me mendue se dikush mund të jet përpjekë me e frigue, që të ndryshonte orar e shifra të komunikimit. Kjo tentativë jo vetëm që do të damtonte veprimtarinë, por do ta asgjasonte grupin. Kol Çuni ka qindrue besnik i pathyem dhe besnikria e tij ndaj misjonit e ka naltësue dinjitetin e tij si luftar besnik. Grupi Nik (i Kol Çunit) me Gjon Gjinaj udhehjekës, kishte fillue nji veprimtari aq të dendun, sa që populli filloi me e admirue. Dyrtë e sh’pive të popullit të Mirditës, për ta ishin të hapuna. Pritja e përzemërt, ushqimi me çka kishin, ishte i pa kusht. Luftarët që gjindeshin në male filluen me u bashkue e lidhjet me u sigurue. Mirdita, krahina ma e persekutueme në Shqipni, nën presion të mija policëve të specializuem, që vriteshin në katër anët tue kontrollue ditë e natë, e përmblodh veten sa me u konsiderue e rrezikshme për regjimin. Ishte shpirti i sakrificës qi shtynte popullin me qindrue.

Ishte akcioni i vazhdueshëm dhe i egër i regjimit komunist që e shtërngonte popullin me reague. Ishte avulli i gjakut të dëshmorëve dhe luftarëve të lirisë, që e obligonte me qindrue me pushkë në dorë deri në vdekje dhe mos me u dorëzue. Ishin udhëzimet, amaneti, sakrifica dhe vdekja heroike e Mark Gjomarkut, therrorit te traditës, ajo që mbante gjallë flakën e atdhedashunisë nacionaliste. Në këtë rrugë kombëtare, që s’ka mujtë askush ta mposhtë e ta nënshtroj, ka ecë ngadhnjimtar ndër shekuj populli i Mirditës”.

Tekste telegrafike radiomarrëdhënse, dokumentar i dhimbëshem heroic. Simbas të dhënave arkivore te z. Nue Gjomarkaj dhe të teksteve të sjellura këtu, vetëm sa për ilustrim, radioja shpesh u prishej. Megjithëse telegrafisti, Kol Çuni (Nik), ishte mjeshtër i përdorimit të radios, prap se prap aty çalonte diçka nga ana teknike. Në anën tjetër të Adriatikut, në Romë, çdo komunikim nga Shqipëria, pritej me urgjencë. Shumë prej teksteve të deshifruara janë regjistruar nga prof. Ernest Koliqi, i cili duket se, sidomos gjatë vitit 1950, rrinte pranë radios. Tekstet e deshifruara, dorëshkrim në letra me vija, nga prof. Koliqi, janë në shumicë italisht dhe disa në shqip. Megjithëse tekstet e prof. Koliqit sot lexohen me vështirësi, për shkak të një lloj dorëshkrimit të tij të veçantë, tekstet tjera, sidomos ato në shqip, janë edhe më të vështira sepse janë shënuar nga oficerë ushtarak italianë dhe amerikanë.

Në momentin që transmetohej nga Shqipëria në Romë, shifra Shkodër – Shkup, prof. Koliqi, ose ushtarakët që regjistronin komunikimet në fjalë, e njoftonin në mënyrën më urgjente Xhafer Devën në Bari. Kjo shifër, dhe dy të tjera, ishin njoftimet e ‘Grupit Kosovar’ dhe asnjëri nuk bënte më të voglin kontakt me ta, me përjashtim të Xhafer Devës. Nik 5/3/1950 ora 17-të. “Mbrenda pak ditëve, ju njoftojmë për vendimet që do të merren (pikë). Të gjithë parapëlqejnë revolucion e këte e shofim të arsyeshme edhe ne. (pikë) Jemi në kontakt me shumë persona që kanë influencë, të cilët presin vetëm armët (pikë). Lezha, Shengjini e Kuksi, merren në dorë me një batare pushkësh (pikë). Si mos të bëhej kjo, e humbim besimin te populli (pikë). Ju lutem këshillonju dhe studioni edhe nje herë giendjen tonë (pikë). Nr. 808 30/5/50 “Për zbarkimin në Macukull, bahesh fjalë për angleze dhe amerikanë, të cilët kanë dashtë me u bashkue me Bilall Kolen, komandant çete në atë krahinë.

Unë menjiherë mendova se bahet fjalë për zbarkimin që kam kërkue dhe shkova në Macukull me datën katër, për me pa vendin. Për çudi, njofta dhe gjeta pikën ku kam ra me parashutë me pesëmbdhet shkurt dyzetenand. Shkova në vend ku pata mshef parashutën me Blloshmin, të cilat i gjeta të kalbuna nga lagshtina.” – Alushi Nr. 1303 5/6/50. “Me njizetenji hyna në Elbasan dhe i dorëzova gjeneratorin mekanikut Besnik Xhemal Isalia. Me njizetekatër, mekaniku më njoftoj se gjeneratori ishte i pa riparueshem. Ky lajm më dëshproj pa masë. Me njizetepesë, nisem prap për Mirditë. Nuk do të shkoj në Elbasan, pa u takue me misionin e Gjon Gjinajt. Kalova nëpër Prile – Mullet – Farkë – Kamëz – Krujë – Qafë Bjelekut. Gjeta parullën e Gjonit. Qëndroj këtu deri sa të ndërlidhem me Gjonin” – Alushi

Njoftim nr. 404 6/6/50. “Alushi u nis me dy qershor për Elbasan. U shoqnue prej nji patrulle tone, deri përtej rrugës Krujë – Burrel. Kemi edhe tri telegrame të Alushit me ju komunikue” Nr. 408 6/6/50. “Me njizetegjashtë maj, në katundin Delbinisht, asht bâ nji përpjekje e cila vazhdoj për katër orë. Në këtë përpjekje, u plagos Gjon Lok Piroli. Dy të vdekun dhe tre të plagosun nga ana e policisë”. Nr. 1101 9289. “Në katundin Bafa, shkova me Frrok Gjeten, vllau i të ndjerit Bardhok Gjeta, pjestar i misjonit të Veriut. Asnjëri nuk dinte gja se ku ndodhej Gjoni dhe grupi i tij. I dëshpruem në kulm, po kthehem prap për në Elbasan me shpresë se mund t’a ndreqi gjeneratorin. Me trembdhetë, mbrrina te harta Krujë – zero tre – zero – katër – tridhetekatër. Me katërmbdhetë, mbrrina në Fushë Krujë. Sot hyna mbrenda në Tiranë” – Alushi

Nr.1505 7/6/50. “Sot nisem për Elbasan. Gjonit i kam dhanë të gjitha instrukcionet e duhuna për ngritjen e rrjetës informative për zbulimin e Bregut të Detit si dhe për shënimin e fushës së zbarkimit. Kam nevojë urgjente me dërgue me fluturimin e pare, nji radio komplete me generator e alimentator, pesë palë këpucë dhe pesë çanta shpine. Mos harroni me na dërgue pare, këtu jeta dhe shërbimi janë të shtrenjta. Për mbledhje të lajmeve, kërkohen pare. Kur të kthehem këtu, para datës pesë qershor”. – Alushi, Informatë nr. 496 10/6/50. “Në Golem, ndodhet komanda e nji kompanije prej njiqind e pesdhetë ushtarësh, të rojes bregdetare. Detyra e kësaj kompanije, asht me ruejtë me patrulla të shpeshta fushën, knetën dhe pyllin e Bushneshit. Shikoni Karta Mamurrazi – zero tetë e zero nanddhetenji – njizetedy – tridhetenji – tridhetë e katër – tridhetepesë. Qëllimi i këtyne rojeve, asht me ruejtë ndonji zbarkim eventual nga ajri, ose nga deti. Ky shërbim ka fillue nga shtatori i vitit dyzetendandë”

Informatë nr, 409. “Po ashtu nji postë roje gjindet në pikën pesqind metra në veri te kotes tetdhete. Harta Mamurrazi tetëmdhetë – katermbdhetë – tridhetekatër – tridhetepesë. Komanda për zonën Krujë.” Informatë nr. 426 ora 11:54 “Regjimenti i artilerisë për të cilin kemi njoftue disa ditë ma pare, që kaloi në rrugën Rubik – Perlat – Burrel, asht vendos në Klos.” Nr. 1606 7/6/50. “Asht e arsyeshme dhe me vend që grupi Shyqri Biçakut, të zbarkojë në zonën e Elbasanit. Meqenëse nuk e njoh zonën mirë, do ta studioj. Propozoj që zbarkimi të bahet kur të kërkoj unë, mbasi të kem sistemue stacionin tim transmetues në Elbasan.”- Alushi 77 Nr. 415 14/6/50.

“Komunikoj listën e materialit për furnizim. Pesëmbëdhetë copë kuarca. Njëqind metra tel për antenat. Llampa të vogla për mjetin transmetues. Dhetë copë pako me shkresa. Pesë copë blloqe shënimi. Dhetë pako me lapsa. Njëzetepesë pushkë italiane, Mod: dyzetenjë. Dy pushkë mitra si tonat. Dhetë revolver “Bereta” për informatorët. Dyzetë bomba italiane. Gjashtëdhjetë bomba dore amerikane. Tridhjetë karrikatore automatiku – ct – prej dyzetë fishekëve dhe gjashtë prej njëzetë fishekësh. Tre mijë fishekë pushke. Dy mijë fishekë mitralozi. Pesëqind fishekë revolveri “Bereta”. Dyqind fishekë revolveri “Nagant”. Pesëdhjetë fishekë “Golt” nr. tridhjetetetë. Njëzetepesë fletë çadre. Njëzet çanta shpine tip alpinësh. Dy çanta tjera si ajo e Alushit. Memorie.al

Vijon numrin e ardhshëm


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.