DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Në mortin e familjes Lala. Misteret e tragjedisë që shkaktoi çmenduria e Alfred Shanes

07:00 - 07.05.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 7 maj 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare” dy dekada më parë




 6 viktima

Gjakderdhje për Angjelinën

Masakra e Divjakës

Reportazh/ Në mortin e familjes Lala. Misteret e tragjedisë që shkaktoi çmenduria e Alfred Shanes

“Angjelina s’donte të martohej”

Rrëfimi i familjarëve: Prindërit ia lanë të vendoste

 Nga e dërguara jonë Ardita Bala

DIVJAKE

Divjaka dje ishte veshur e gjitha me të zeza. Policia e Lushnjës gjatë gjithë natës në të zbardhur të së hënës kishte mbledhur viktimat e çmendurisë së 21-vjeçarit Shane. Banorët e fshatit sipas zakonit venë të ndahen me katër të vdekurit. Dy prej tyre janë në familjen Lala, viktima e tretë është Artan Metani dhe morti i fundit është ajo e bashkëpunëtorit në vrasje Klajdi Prifti. Në familjen Lala e ka fillimin masakra.

 Gra të veshura me të zeza kokë e këmbë, e burra të heshtur e sy vrarë janë mbledhur në oborrin e kësaj shtëpie. Pjesa më e madhe e tyre presin njerëzit jashtë. Janë të çoroditur, të tmerruar. Njerëzit më të afërm të familjes Lala janë në dhomat e shtëpisë, pranë dy të zotëve të shtëpisë, Nikollës dhe Kristinës, të cilëve ia kanë vënë trupat ngjitur me njëri-tjetrin. Nga oborri i shtëpisë ku ka ndodhur gjëma duken dhe perdet e bardha të dritareve të vilës të familjes Shane, ku dje nuk lëvizte “as miza”. “Dashuria” e Alfred Shanes dje në Divjakë hapi katër varreza të reja…

 

Në mort

Janë të mbushur me dhimbje dhe mes lotësh të afërm të familjes së Nikollë lalës kanë pranuar të tregojnë dje për Gazetën se çfarë kishte ndodhur në atë shtëpi. Sipas tyre fillimi i tragjedisë qëndron pikërisht në momentin kur Alfred Shane, dukej se i ishte mbushur mendja që të fejohej patjetër me Angjelinënë, vajzën 19-vjeçare të çiftit Lala. Gjatë këtyre muajve që kur ai ishte “shfaqur” si kandidat për dhëndër, Alfredi kishte trokitur disa herë në derën e shtëpisë së Angjelinës me shpresën se do të merrte një përgjigje pozitive. Por në të gjitha rastet ai është kthyer mbrapsht. Sipas familjarëve, prindërit e Angjelinës, thuhej se mund të kishin qenë dakord nëse do të ishte e bindur dhe vajza e tyre se do të donte të kalonte jetën me Alfredin. Por 19-vjeçarja, tregojnë kushërinjtë, nuk ka qenë kurrë e gatshme që të vendoste të jetonte me Alfredin. Sipas tyre, tek Shane, kishte diçka që nuk e bindte vajzën. Orët e fundit të kryefamiljarëve Lala kanë qenë të mbushura me stres, por gjithsesi pa shenjën më të vogël të frikës për jetën.

Të afërmit

Sipas të afërmve, pasditen e së dielës Alfredi është takuar edhe një herë me të atin e Angjelinës, Nikollën përpara shtëpisë së familjes Lala. Replikat mes tyre mësohen të kenë qenë të ashpra dhe deri kërcënuese, por gjithsesi Alfredi është larguar për t’u kthyer disa orë më vonë së bashku me shokun e tij Klajdi Prifti si masakrues të familjes Lala, megjithëse i zoti i shtëpisë i kishte rithënë kandidatit se çdo gjë ishte në dorë të vajzës. Pak para mesnatës me një automatik në dorë Alfredi i është afruar shtëpisë dhe pasi ka thyer xhamin e derës së jashtme, ka filluar të qëllojë. Plumbat kanë përshkuar menjëherë trupat e Nikollës dhe Kristinës, duke i lënë të vdekur dhe duke plagosur rëndë Angjelinën. Pas krismës së thyerjes së xhamit të derës e gjithë familja kishte dalë nga dhoma ku po rrintë në korridorin përballë derës. Pasi ka bërë masakrën e parë  21-vjeçari Shane së bashku me shokun e tij Klajdi Prifti janë larguar në drejtim të fshatit Mizë. Gjatë rrugës ata kanë parë 35-vjeçarin Artan Metani, të cilit i kanë kërkuar makinën që të largoheshin, refuzimit të këtij të fundit, pasi kanë bërë disa minuta rrugë bashkë djemtë i janë përgjigjur me një plumb në kokë. Pasi e kanë ekzekutuar ata e kanë hedhur në mes të rrugës. Pas ekzekutimit të Artanit, siç duket pas një debati dhe me bashkëpunëtorin e tij, Alfredi nuk ka ngurruar që të ekzekutojë dhe Klajdin 18 vjeç.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.