AKTUALITET

Akuzohet për një sërë krimesh/ Safet Bajri i bën kërkesë gjykatës për të fituar lirinë me kusht

09:29 - 16.05.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Safet Bajri, i dënuar në bazë të një dosjeje të ardhur nga Belgjika si i përfshirë në një mori aktesh të rënda kriminale, i ka bërë kërkesë gjykatës që të fitojë lirinë me kusht.




Mësohet se në kërkesën e tij ai ka parashtruar edhe një betim se nuk do të përfshihej më në kryerjen e asnjë vepre penale, si garant për të kryer pjesën e mbetur të dënimit prej 10 muajsh në një formë më të butë dënimi se qëndrimi i tij në qelitë e burgut.

Safet Bajri, një nga emrat më të lakuar në vendin tonë viteve të fundit, iu ka drejtuar Gjykatës edhe më herët, po me të njëjtën kërkesë, por atij nuk iu ka pranuar.

Po ashtu, ai u bë pjesë e një tjetër kërkese, kohë më parë, pasi akuzoi Drejtorinë e Burgjeve se nuk ia plotësuan kërkesën për ta çuar në Burgun e Reçit, pasi aty ku ishte i rrezikohej jeta nga të dënuar të tjerë. Bajri prej vitesh është pjesë e një mali akuzash të ardhura kryesisht nga prokuroria belge, e cila i pati kërkuar gjykatës së vet që ta linte në qeli me të paktën 9 vite burg.

Bajri mundi të vinte në Shqipëri duke iu shmangur jo vetëm dënimit, por madje duke evituar edhe ekstradimin për shkak të mungesës së marrëveshjes së ekstradimit mes vendit tonë dhe atij të Belgjikës. Sidoqoftë, dosja voluminoze mbërriti në duart e prokurorisë për krime të Rënda aso kohe, duke iu kërkuar autoriteteve tona që dënimi i dhënë nga autoritetet belge të njihej dhe të zbatohet edhe nga drejtësia jonë. Dhe në fakt ashtu ndodhi.

Edhe pse u tha se ndaj tij edhe Policia dhe prokuroria jonë kishte një sërë dyshimesh për akte të ndryshme kriminale të kryera këtu, Bajri u dënua vetëm për probleme e pambyllura me drejtësinë belge.

Safet Bajri u arrestua në vitin 2018 në kuadër të operacionit “Oazi” dhe kjo është hera e dytë që ai kërkon liri me kusht, pasi i është refuzuar. Bajrit i kanë mbetur edhe 10 muaj dënim, nga gjashtë vite, tre mësohet se i shleu në Bruksel dhe 2 vite e dy muaj vijon t’i kalojë në qelitë e “302”-shit.

Mësohet se veprimet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, deri në goditjen e plotë të gjithë grupit kriminal “Bajri” kanë zgjatur mbi 6 muaj.

Burime zyrtare thanë se hetimet u bazuan te dhjetëra orë përgjime, mijëra informacione të shkëmbyera me partnerët, u analizuan mijëra faqe të dhëna, si edhe u kryen veprime proaktive në terren, përmes kontrollit nga ajri (dron) dhe vëzhgimit intensiv.

Në kohën kur u arrestua Bajri zyrtarisht u tha se: Oficerë të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me oficerë të kontaktit të vendeve të përfshira në operacion, kanë kryer veprime në terren për evidentimin, lokalizimin dhe ndalimin e shtetasve anëtarë të grupit, që vepronin jashtë Shqipërisë, e kryesisht në Holandë. Akuzat ndaj anëtarëve të këtij grupi kriminal janë:

“Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, në bashkëpunim, “Vrasje me dashje”, e kryer në bashkëpunim, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, “Organizim i lotarive të palejuara”, “Pastrim i produkteve të veprës penale” të kryer në bashkëpunim, “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë”, kryer në bashkëpunim, “Përkrahje e autorit të krimit”, ‘Moskallëzim krimi”, “Prodhim e shitje e lëndëve narkotike”, vepra penale këto të kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Po ashtu, Policia tha se ky grup është i dyshuar dhe po hetohet intensivisht për disa nga ngjarjet e ndodhura në Shkodër. Grupi “Bajri”, në bashkëpunim edhe me grupe të tjera kriminale, brenda dhe jashtë Shqipërisë, dyshohet se trafikonin lëndë të forta narkotike në shtete europiane dhe më pas paratë e përfituara nga ky aktivitet investoheshin brenda vendit.

Operacioni policor për arrestimin e pjesëtarëve të grupi Bajri u tha se u zhvilluan njëkohësisht në Tiranë, Shkodër dhe në Roterdam të Holandës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.