BOTA

Suedia firmos aplikimin për në NATO, por Turqia mund ta pengojë anëtarësimin

10:08 - 17.05.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ministrja e Jashtme e Suedisë Ann Linde ka nënshkruar ditën e sotme aplikimin që deklaron se vendi dëshiron të anëtarësohet në NATO. Lëvizja shënon një hap zyrtar nga Stokholmi drejt bashkimit me aleancën ushtarake të udhëhequr nga SHBA, duke i dhënë fund dekadave të neutralitetit ushtarak. Ky vendim erdhi pasi pushtimi rus i Ukrainës ndezi një evolucion dramatik në sigurinë dhe gjeopolitikën evropiane.




“Duket se kemi arritur në një përfundim që është më i miri për Suedinë. Nuk e dimë sa kohë do të zgjasë, por llogarisim se mund të zgjasë deri në një vit.Tani këtë javë, ky aplikim do të dorëzohet, së bashku me Finlandën, brenda një dite apo më shumë dhe më pas do të përpunohet nga NATO”.- tha ajo.

Kryeministrja e Suedisë Magdalena Andersson tha se vendi duhet t’i bashkohet NATO-s së bashku me Finlandën fqinje për “të garantuar sigurinë e popullit suedez”.

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ka thënë se vendi i tij nuk do të jepte dritë jeshile për anëtarësim në NATO për vendet që vendosin sanksione ndaj saj.

“Ne nuk do t’u thoshim ‘po’ atyre që vendosin sanksione ndaj Turqisë për t’iu bashkuar NATO-s,” tha presidenti Erdogan në një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij algjerian Abdelmadjid Tebboune në Ankara.

Erdogan kritikoi gjithashtu Finlandën dhe Suedinë se nuk kanë një qëndrim të qartë kundër grupeve terroriste.

Në Moskë, presidenti rus, Vladimir Putin, tha më 16 maj se përderisa Rusia nuk e sheh si kërcënim vendimin e Finlandës dhe Suedisë për t’u bashkuar në NATO, dislokimi i infrastrukturës ushtarake në këto dy shtete, do të prodhonte përgjigje nga Moska.

Zgjerimi i NATO-s me Suedinë dhe Finlandën nuk “paraqet kërcënim direkt për ne… por, zgjerimi i infrastrukturës ushtarake në këto territore sigurisht se do të provokojë përgjigjen tonë”, tha Putin, gjatë një samiti të Organizatës së Traktatit për Siguri Kolektive (CSTO), aleancë ushtarake që udhëhiqet nga Moska.

Më herët gjatë 16 majit, zëvendësministri i Mbrojtjes së Rusisë, Sergei Ryabkov, tha se anëtarësimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO do të ishte “një gabim i rëndë me pasoja të mëdha”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.