AKTUALITET

Këngë, festë dhe ‘lumë’ me birra/ Të gjithë të dehur në Tiranë, sa alkool për holandezët e Fejnordit!

12:52 - 25.05.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Këngë, festë dhe birra. Kjo është panorama që prej dy ditësh tashmë ka ‘pushtuar’ disa nga rrugët kryesore të kryeqytetit shqiptar, Tirana, e krijuar nga ata që dinë ta bëjnë më së miri një gjë të tillë, holandezët.




Bëhet fjalë për tifozët e skuadrës së Fejnordit të Roterdamit në Holandë, të cilët kanë zaptuar çdo rrugë e lokal të Tiranës, ndërsa kanë ardhur këtu për të parë nga afër ekipin e tyre të zemrës, i cili përballet mbrëmjen e sotme me ekipin e Romës, në kuadër të finales së Konferencës së Ligës.

Me të vënë këmbën në Shqipëri, ata janë përballur jo vetëm me bukuritë që të ofron ky vend, shumë prej të cilëve e kanë për herë të parë vizitën në vendin tonë, por edhe me temperatura tepër të larta, ndaj edhe zgjidhja më e mirë për ta ka qenë jo vetëm zhveshja, por edhe birrat.

Teksa ecën nëpër Tiranë, shikon kudo, diku të hedhura në tokë, e diku tjetër të vendosura mbi njëra – tjetrën, shishe dhe kanoçe birre, të cilët janë konsumuar me tepricë nga holandezët në këto ditë të nxehta që kanë përfshirë vendin tonë, temperatura që duhet thënë që s’janë aspak normale për ta.

Janë me mijëra tifozët që po presin me padurim të ndjekin finalen e madhe të sotme kundër Romës, ndërsa kanë ‘pushtuar’ çdo bar e kafe të mundshme, kryesisht aty ku i është caktuar nga institucionet shqiptare për të qëndruar, ndërsa këndojnë e festojnë pa pushim.

Atmosfera festive nis që te sheshi kryesor i kryeqytetit, në qendër te Sheshi ‘Skënderbej’, ku të ulur nëpër karrige, lakuriq e me shishe qelqi dhe kanoçe me birra në duar, këndojnë e brohorasin këngë për ekipin e zemrës, duke krijuar një atmosferë elektrizuese në rrugët e Tiranës.

 

Por, epiqendra e festimeve është vetëm disa metra më poshtë, te ‘Pedonalja’, ku jo vetëm që nuk ka asnjë vend të lirë prej dy ditësh tashmë, por e gjithë zona është pushtuar nga tifozët, aq sa edhe në këmbë është e vështirë të gjesh një ‘vrimë’ për tu futur.

Këngë, kore, përplasje tavolinash dhe sigurisht birrat në duar është pasqyra elektrizuese e asaj që shohim në këtë pjesë të kryeqytetit.

Njëri prej tyre është Marku, i cili shprehet se i pëlqen shumë vendi ynë, ndërsa shton se ka dy ditë që është në Shqipëri, gjë që e ka shfrytëzuar që së bashku me miqtë e tij të shkojë dhe të vizitojë edhe disa qytete të tjera të Shqipërisë, si Kruja, Durrësi apo edhe Elbasani.

Sipas tij, atmosfera është shumë e bukur, Shqipëria dhe Tirana janë shumë të bukura dhe se nuk e kishte pritur kurrsesi një gjë të tillë, pasi për vendin tonë kishte dëgjuar vetëm në televizor, dhe sigurisht shumica e fjalëve aspak të mira.

“Jam Marku, vij nga Holanda, pjesë e tifozëve të Fejnord. Kam dy ditë që kam mbërritur në Shqipëri. Është e mrekullueshme. Edhe Tirana qenka shumë qytet i bukur, atmosfera e paparë. Ne po ndihemi shumë mirë. Njerëzit janë shumë mikpritës. Kam ardhur këtu me disa miq të mitë, kemi dy ditë që kemi mbërritur dhe kemi shfrytëzuar mundësinë që të vizitojmë edhe disa qytete të tjera si Kruja, Durrësi dhe Elbasani. Shumë qytete të bukura dhe me histori. Kemi dëgjuar për Shqipërinë, me thënë të drejtën, jo shumë fjalë të mira, por bëmë mirë që erdhëm, pasi qenka realisht e kundërta. Çdo gjë këtu është perfektë. Ushqimi, çmimet, njerëzit dhe birra më e mirë që kam provuar ndonjëherë. E mbi të gjitha shumë e lirë. Po qëndrojmë në një hotel këtu në Tiranë. Çmimet janë të pranueshme për ne, kemi paguar 350 euro nata.”, është shprehur Marku teksa tregon përshtypjet e tij për vendin tonë.

Një tjetër tavolinë në të cilën u ndalëm ishte ajo e Lukas, Liam dhe Sam, tre të rinj holandezë, të cilët mbrëmë pas dreke kishin shijuar atmosferën në pedonalen e Tiranës, ndërsa në duart e tyre sigurisht që nuk mund të mungonin birrat.

Të lumtur, të ekzaltuar dhe shpresëplotë se do t’ia dalin ta marrin këtë trofe, ata shprehen se njerëzit këtu janë shumë të mirë, madje tregojnë se si shumë shqiptarë iu janë bashkuar atyre në festime, ku nuk kanë munguar as muzika dhe vallet tradicionale shqiptare me daulle e tupanë, që kanë ngritur peshë tifozët holandezë.

“Kemi ardhur në Tiranë në datë 24 në drekë, në rrugë tokësore. Jemi tre shokë dhe kemi ardhur të shohim ndeshjen me Romën, dhe shpresojmë shumë që të fitojmë këtë ndeshje, edhe pse shqiptarët mesa kemi parë, janë shumë tifozë me Romën, me italianët në përgjithësi, por mendoj se ne do fitojmë. Shqiptarët janë shumë njerëz mikpritës, të qeshur, elektrizues, entuziastë dhe na kanë shoqëruar në këngë, por janë edhe shumë kuriozë, pasi na filmojnë gjatë gjithë kohës me celularët e tyre. Ndihemi mjaft mirë këtu dhe do kthehemi ta vizitojmë prapë Shqipërinë, pasi na thanë që ka edhe shumë qytete të tjera të bukura që nuk duhen lënë pa u parë. Por, këtë herë jo, kemi ardhur për ndeshjen dhe vetëm për ndeshjen. Forca Fejnord!”, u shprehën njëzëri tre djemtë.

E njëjta situatë paraqitet edhe në rrugën “Mustafa Matohiti”, ose sikurse e njohim ndryshe “Rrugica e Salës”, një nick-name i vendosur pasi aty e ka shtëpinë ish-Kryeministri Sali Berisha.

Atmosfera elektrizuese në atë zonë nuk ka kaluar pa pasojë, pasi kujtojmë se dy ditë më parë tifozët ishin aq zhurmues e të dehur, saqë nuk donin t’ia dinin se sipas kokave të tyre jetonin njerëz, aq sa acaruan së tepërmi këta të fundit, të cilët nuk ngurruan të hidhnin shishe, bidonë dhe kova me ujë në drejtim të holandezëve.

Megjithatë, incidentet e dy ditë më parë, nuk i kanë stepur kurrsesi holandezët, të cilët edhe gjatë gjithë ditës së djeshme, deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, e kanë gdhirë duke pirë, duke kënduar e festuar, ashtu sikurse ata dinë ta bëjnë më së miri.

Ata kanë frekuentuar aq shumë pije alkoolike, kryesisht birra, saqë disa nga pronarët e lokaleve aty na bënë me dije se u kishte mbaruar furnizimi. Festa, këngët kanë vijuar edhe gjatë ditës së sotme, që në orët e para të ditës, kjo pasi është rritur ndjeshëm numri i tifozëve që kanë mbërritur dhe po vijnë pa pushim në vendin tonë.

Duke parë situatën e krijuar, kujtojmë këtu edhe disa incidente të rënda gjatë mbrëmjes së djeshme, urojmë që në këtë kompeticion kaq të rëndësishëm sportiv, të fitojë në fund ‘FUTBOLLI’.

PËRGATITI: E.H / GAZETA SHQIPTARE


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.