Kryesore

Video e Librazhdit/ Çfarë mbeti dhe çfarë kuptuam pas 1 jave “skandali” pa skandal

11:03 - 01.06.22 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kanë kaluar 7 ditë që nga 26 maji, kur në media dhe rrjete sociale “shpërtheu” i ashtuquajturi “skandal” i Librazhdit.




“Skandali” u cilësua i tillë thjesht për të përshkruar bujën e ngjarjes, por njerëzit dukshëm u ndanë në atë se çfarë përbënte në të vërtetë skandal.

Në fillim, i tillë u quajt fakti që një nuse tradhtonte të shoqin dhe kjo u referua si “e kapur mat”, ose në flagrancë.

Por, dalëngadalë nisën të dilnin në pah “skandale” të tjera. Njerëzit nisën të ndërgjegjësohen se skandal ishte edhe fakti që kjo nuse u filmua lakuriq nga i gjithë fisi i burrit.

Skandal ishte publikimi në disa raste pa filtra i kësaj videoje.

E më tej, skandal fakti që kjo vajzë e re ishte fejuar me gjasë pa dëshirën e saj, në moshë fare të re nga prindërit në një “familje të mirë”.

Skandal, fakti që s’takonte burrin se ai jetonte prej vitesh jashtë dhe vajza ndihej më shumë si shërbëtore se si bashkëshorte.

“Librazhdi” vetëm sa gërvishti një plagë të rëndë psikosociale në Shqipëri. Atë të përplasjes së mentaliteteve, të brezave, kulturës dhe pse jo, qytetërimeve.

Si një vend i mbyllur për afro 50 vite në izolim, Shqipëria mbrujti një mentalitet moralist, shpeshherë të rremë. Të rremë, sepse ndërkohë që shumëkush u indinjua nga tradhtia e një vajze ndaj bashkëshortit – aq sa derdhi urrejte dhe mallkime në rrjet – pakkush reagon kur ndihet i vjedhur, i dhunuar, i shtypur, etj.

Shqiptari tipik po aq sa e ka të vështirë të vlerësojë, të mbrojë e të zhvillojë të mirën publike, por aq e paska të vështirë të refuzojë të keqen publike.

Mentaliteti se “filani është hajdut, por i lë të vjedhin të gjithë” është burimi dhe fillesa e çdo sjelljeje atipike tonën. Miratimi në heshtje i këtij mentaliteti tregon se “moraliteti” në rrjet në fakt është fals, kallp.

Mbi këtë mentaliteti bazohet fakti se nuk ka asnjë reagim kur cënohet e mira publike, por vetëm kur preket “e mira private”, fjala vjen, kur një vajzë kapet në flagrancë duke tradhtuar të shoqin.

Rasti i Librazhdit është një problem i komplikuar social dhe nuk mbart vetëm 1 skandal.

Varfëria ekonomike e kombinuar me problemet social-kulturore dhe mungesën e emancimit shoqëror është një bombë atomike për shqiptarët. Librazhdi është vetëm një ciflë e kësaj bombe.

Sa më herët të ndërgjegjësohemi, aq më mirë është për të gjithë. Dhe do vijë dita që do të kuptojmë që Librazhdi nuk ishte një “skandal”, por një fatkeqësi ku jemi të gjithë bashkëfajtorë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.