Ëndrra e Ukrainës për kualifikimin në Botëror ka marrë fund në play-off të luajtur sot në Kardif, ku është mundur me shifrat 1-0 nga Uellsi vendas i cili ka prerë biletën për në Katar 2022 edhe pse në këtë ndeshje nuk ishte ndoshta skuadra më e mirë në fushën e lojës.
Ekipi uellsian, edhe pse luante si vendas, i la shumë hapësira ukrainasve të cilët sulmuan me furi dhe kërkuan me çdo kusht golin, të ndalur disa herë nga portieri Henesi. Në momentin më të mirë të Ukrainës, erdhi edhe një gol që u preu këmbët. Një gjuajtje e Bejl në goditje dënimi u devijua nga Jarmolenko në rrjetën e portës së tij.
Më pas, Uellsi u tregua shumë më i kujdesshëm dhe rrezikoi vetëm me kundërsulme, ndërsa Ukraina vazhdoi të shpërdoronte raste të njëpasnjëshme. Ndaj vërshëllima përfundimtare ktheu për herë të dytë Uellsin në një Botëror, duke plotësuar numrin e skuadrave europiane në aktivitet.