Kryesore

“Luajmë si pula pa kokë”, Hafizi kryqëzon Rejën për menaxhimin e kuqezinjve

12:01 - 09.06.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Astrit Hafizi është më kritik se kurrë. Ish-trajneri i Shqipërisë flet pa doreza dhe kryqëzon Edi Rejën për lojën që bëri skuadra kundër Islandës dhe për mënyrën se si po menaxhon të rinj si Asllani, Bajrami dhe Broja. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai bën thirrje që të ndërhyhet menjëherë, sepse Shqipëria nuk mund të vazhdojë në këtë gjendje.




Si ju duk ndeshja e Kombëtares me Islandën?

U bënë disa kohë që unë flas për Kombëtaren, i referohem periudhës që e drejton Reja, por për fat të keq, po biem në përsëritje. Unë edhe disa kolegë të mi.

Pse?

Sepse është po e njëjta skuadër, me të njëjtat mangësi, me të njëjtat tema për të diskutuar. Po flasim për situata dhe vështirësi që i hasim ndeshje pas ndeshjeje. Mirëpo, për fat të keq, trajnerit dhe stafit nga njëri vesh i hyjnë dhe dalin nga veshi tjetër…

Mund të jemi pak më konkretë? Çfarë nuk shkoi, sipas jush, me Islandën?

Ne gëzohemi kur dalim barazim me një skuadër që është nën nivelin tonë. Kështu e kuptova unë të paktën… Pra, mendohet dhe veprohet gjatë lojës, sidomos në pjesën e dytë, se si të mos ta humbim ndeshjen. Nuk mendohet për të fituar, por si të mos humbim. Edhe zëvendësimet që u bënë, ishin për të ruajtur rezultatin. Ndërsa kundërshtari zëvendësimet që i bëri, ishin për ta fituar ndeshjen. Ne nuk jemi kurrkund me organizimin e lojës, sepse ne nuk jemi një skuadër që të luajë ashtu siç duhet, me ide të qarta

Nuk kemi organizim loje sepse mungojnë lojtarët apo se nuk ka një ide të qartë?

Lojtarët besoj se janë në nivelin “intelektual” të skuadrës dhe të pretendimeve që kemi. Ka disa elementë që i janë bashkuar Kombëtares kohët e fundit. Më përpara besoj se i kemi pasur mangët lojtarë me cilësi të tilla. Kemi pasur me shumicë lojtarë që vrapojnë shumë dhe që përplasen. Ndërsa kësaj radhe janë afruar disa “intelektualë” si lojtarë të futbollit modern dhe të avancuar. Më mirëkuptoni: i quaj intelektualë në kuptimin e mirë, sepse kanë ide dhe nivelin e duhur për t’i dhënë tjetër pamje lojës sonë.

Për kë e keni fjalën saktësisht?

E kam fjalën për Asllanin, Bajramin apo Brojën, që hyn te lojtarët e sulmit. Ata janë e ardhmja jonë. Për mendimin tim, afrimi i këtyre lojtarëve dhe aktivizimi i tyre në kampionatin italian apo anglez ia lehtëson punën trajnerit për krijimin e formacionit.

Pse?

Sepse janë këta lojtarë që i japin bukuri lojës, me pasime, udhëheqje të topit, krijimit të rasteve, goditjeve në portë. Me këta tre që kemi, por duke pasur edhe disa të tjerë që i mbështesin, mendoj se do të ishte krijuar një ansambël i bukur i lojës sonë. Rreth këtyre lojtarëve unë do të kisha krijuar formacionin. Sepse, pyetja që bëjnë të gjithë sot është: Kur i ke lojtarë të këtij niveli, pse nuk i aktivizon?

Trajneri përmendi edhe Izraelin, pra për të shpërndarë ndoshta disi energjitë. Ju si mendoni? Vërtet kështu duhet menduar…?

Po pse, kush e tha që kjo ndeshja me Islandën ishte më pak e rëndësishme sesa ajo me Izraelin? Edhe kjo ishte e rëndësishme, sepse duke fituar këtë ndeshje, kemi më shumë garanci për ndeshjen e dytë. Unë nuk e kuptoj se çfarë idesh ekzistojnë në kokën e Rejës, por nuk jam dakord hiç fare.

Pse nuk jeni dakord?

Sepse kur ke disa lojtarë dhe nuk i shfrytëzon, atëherë diçka nuk shkon. Pastaj ky është mentaliteti që ka Reja, mentalitet që nuk të dërgon përpara në asnjë vend. Vetëm regres. Mund të arrish një rezultat në një ndeshje, por nuk mund të vazhdosh kështu për 2-3 vjet.

Profesor, mos po tregoheni pak i ashpër?

Shikoni, do t’i themi gjërat siç janë apo do të vazhdojmë kështu?! Po flas me këtë gjuhë sepse asgjë nuk ka ndryshuar. Në Islandë zhvilluam një ndeshje mediokre, pa ide se si shkohet në sulm. I vetmi lojtar që dha disa shenja ishte Balliu, sepse krijoi disa mundësi në krahun e djathtë, ndërsa krahu i majtë nuk funksiononte fare.

Me këtë skemë që përdor Reja, nuk funksionon dalja e sulmit nga krahët. Atëherë pse vazhdon e përdor? Pse e nxjerr jashtë loje një lojtar si Hysaj apo një si Roshi që nuk futet fare në lojë…? Mendoj që ky është vetëm një nga problemet, sepse pastaj vijnë edhe elementet e tjera.

Çfarë problemesh?

Që skuadra është shumë e hapur, pra jo shumë afër njëritjetrit dhe kjo i bën të zhbalancuar në fushë. Të mos harrojmë një moment se kur gabojmë, mbrojtja jonë kapet gjithmonë në befasi. Mirëpo, sa kohë ka Reja që e drejton Kombëtaren? A duhet që ai t’i kishte zgjidhur me kohë këto probleme? Jam i befasuar, me thënë të drejtën, edhe me drejtuesit e federatës.

Pse, ç’hyjnë drejtuesit e FSHF-së këtu?

Në fakt, e kam kryesisht për presidentin Duka. Nuk e kuptoj se si arrin të ketë këtë lidhje me trajnerët italianë… Deri në çfarë pike do të vazhdojë me këta tipa trajnerësh, sepse ka trajnerë italianë që janë shumë të zotë dhe shumë të mirë, por ata nuk vijnë këtu te ne.

Italian ishte edhe De Biazi me të cilin shkuam në Europian…

Po jua përsëris edhe një herë: ata më të mirët nuk vijnë këtu te ne. Përfshi këtu edhe De Biazin, Panuçin apo edhe Rejën. Kur kanë ardhur te Shqipëria, kanë qenë të papunë. Mirëpo, në gjithë këto vite nuk i kanë dhënë skuadrës sonë një logjikë loje. Edhe De Biazi me Panuçin, për mendimin tim, vetëm ide loje nuk kishin.

Atëherë pse ky zell i madh për marrjen e këtyre kur një trajner yni që punon në Superiore prej vitesh asgjë më pak se këta nuk do të kishte bërë nëse do të kishte mundësi të drejtonte Kombëtaren?! Ne që nga 2016, që e mbajmë si etalon prej Europianit, vetëm regres kemi bërë në ekipin kombëtar dhe nuk e di si nuk e kupton presidenti i federatës, që është dhe ideatori i marrjes së trajnerëve. Kush ia servir këta trajnerë? Kush janë këta specialistë që ia sugjerojnë?

Pse duhet patjetër që dikush t’ia sugjerojë trajnerin?

Patjetër që duhet të merret mendimi i një grupi specialistësh. Për të marrë një trajner duhet të ketë një logjikë, duhet të ketë një arsye.

Cilat janë arsyet?

Së pari, duhet të njohë mirë lojën e futbollit. Duhet të njohë Shqipërinë, mentalitetin tonë, cilësitë tona dhe historikun tonë. Por këtu veprohet me miqësi “ky më ka thënë kështu e ky më ka thënë ashtu”…

Nuk zgjidhet një trajner i tillë. Ishte Shaland i Kosovës me ide shumë të qarta për lojën. Ai krijoi dhe vuri bazat e para të lojës së Kosovës dhe sot ajo, edhe pse me ndonjë gabim, se kuptohet që jo çdo gjë vjen përnjëherë, të paktën ka një sistem loje. Vjen një trajner tjetër po i elitës, i futbollit modern si Alen Zhires, edhe ai me një koncept shumë modern të lojës me sistemin 4-3-3, apo siç ishte dhe Shaland me 4-2-3-1. Plot trajnerë ekzistojnë diku që mund të na kishin shërbyer dhe neve.

Ju përmendët Asllanin, Bajramin dhe Brojën… Pse e kanë të vështirë të integrohen me Rejën ata?

Sepse Reja bën pjesë tek ata trajnerë që mendon vetëm për veten.

Ç’doni të thoni me këtë?

Më fal për shprehjen që përdorin vetëm turqit, “Ne nder hidhe këtu mbrapa që të ruaj karrigen time”. Kanë fat sepse janë edhe shumë të mbrojtur nga drejtuesit e federatës që ta ruajnë këtë vend pune. Këta janë trajnerë që nuk kanë pasur ndonjë impenjim kur kanë ardhur te ne dhe pasi emërohen këtu, bëjnë gjithçka për ta mbajtur sa më gjatë postin. Kështu e mendoj unë, sepse ndryshe nuk kam si e shpjegoj që kanë gjithë këta elementë të rinj dhe nuk i fusin në lojë. Nuk punohet me një plan afatgjatë, që të mendojnë të paktën për Europianin 2024, për Botërorin e 2026-ës dhe me radhë e me radhë. Jo, këtu Brojën kundër Anglisë e çuan në tribunë kur humbën 5-0…

Asllani, që për mendimin tim shkëlqen në Serinë A dhe po e kërkojnë dhe ekipe të mëdha, apo dhe Bajramin, nuk i aktivizojnë. Dhe nuk i afrojnë sepse do të mbajnë vendin me lojtarë që vetëm vrapojnë dhe përplasen. Kështu kemi më pak rrezik për ta humbur një ndeshje dhe heqim dorë nga idetë për të fituar. Kjo është shumë e keqe sepse kemi vite e vite që ne nuk i afrojmë lojtarët me cilësi teknike. Më thoni pak, mos janë çmendur ata në Itali që fusin një si Gnonto 18 vjeç që nuk luan as në Serinë A, por në Zvicër? Po ne, pse nuk i aktivizojmë më të mirët?

A është bonus që Rusia është përjashtuar në grupin tonë?

Patjetër që po. Mirëpo nëse vazhdojmë të luajmë si pula pa kokë, nuk shkojmë larg. Nuk duhet vetëm që të shpresojmë të fitojmë gjyqin me Serbinë pas batërdisë në Beograd e të shkojmë në Europian… Nuk duhet që të presim të përjashtohet Rusia që ne të kapim vendin e parë…

Duhet që të kemi guxim për të fituar dhe ide të qarta se si duhet të luajmë në bazë të cilësive të lojtarëve që kemi. Kam respekt për moshën e Rejës dhe për atë që ka dhënë në Itali, por, me thënë të drejtën, deri tani puna e tij në Shqipëri ka qenë larg pritshmërive.

Nuk mund të pranoj dot që të na mungojnë pasimet elementare. Nuk mund të pranoj që lojtarët të kthejnë topin mbrapa pa pikë përgjegjësie dhe të na shpëtojë Berisha. Jo, duhet ndryshim urgjent. Kemi lojtarë me potencial dhe natyrisht duhet të jemi shumë më mirë se kaq. Nesër mund të fitojnë me Izraelin apo edhe me Islandën duke luajtur kështu, por unë nuk jam dakord me këtë mënyrë loje të Kombëtares.

JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.