AKTUALITET

Shqipëria gjobitet sërish në Strasburg, ja shuma që duhet t’iu paguajë 3 fierakëve (DOKUMENTI)

19:48 - 14.06.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në vitin 2014, Gjykata e Fierit shpalli fajtorë dhe dënoi me 4 muaj burg me kusht tre gjenerata të një familjeje nga fshati Roms i Fierit si dhe një kushëri të tyre, nën akuzën se këta persona kishin dhunuar disa punonjës së policisë së shtetit gjatë një operacioni policor.




Policia, prokuroria dhe gjykatat mbyllën sytë përballë protestave këmbëngulëse të të akuzuarve, të cilët pretendonin se në fakt, jo vetëm që ata nuk kishin dhunuar policët, por përkundrazi, policët me veshje civile u kishin hyrë në banesë në orët e vona të natës dhe i kishin dhunuar.

Vendimi i Gjykatës së Fierit u la më pas në fuqi nga Gjykata e Apelit të Vlorës dhe Gjykata e Lartë.

Dështimi i policisë shqiptare për të hetuar siç duhet pretendimet e të akuzuarve për dhunë policore ishte shkaku që tetë vjet më vonë, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut gjeti Shqipërinë fajtore për shkelje të nenit 3 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe i akordoi tre prej pesë ankuesve një dëmshpërblim monetar në masën e 4500 eurove secilit.

Panajot Alushi, një nga ankimuesit, i tha BIRN se ishte i gëzuar me fitoren në një çështje që i shkaktoi atij dhe familjes së tij shqetësime të mëdha në kohën kur ndodhi.

Anisa Metalla, avokatja që përfaqësoi çështjen në gjykatat shqiptare dhe në Gjykatën e Strasburgut, i tha BIRN se vendimi hedh dritë mbi mënyrën thellësisht difektoze se si autoritetet shqiptare të drejtësisë penale trajtojnë përballjet mes policisë dhe grupeve vulnerabël, ku deklaratat e policisë kanë formën e të vërtetave të padiskutueshme, ndërsa ankesat e qytetarëve thjesht injorohen.

Aktivisti ndjek rrugën ligjore

Panajot Alushi, një aktivist i të drejtave të njeriut në Fier, qëlloi që ishte një nga personat që pretendoi se ishte dhunuar. Të nesërmen e incidentit, ai nxiti familjen që t’i drejtohen autoriteteve për të raportuar ngjarjen. Ai merr në telefon policinë, ndërsa operatori i rekomandon të flasë me “të plotfuqishmin e zonës”. Ky i fundit, rekomandon që të flasin me zyrën e Avokatit të Popullit. Të nesërmen, anëtarët e familjes shkojnë në Komisariatin e Policisë për të dorëzuar kallëzim, por kërkesa e tyre refuzohet. Përpjekja e tyre për të marrë dëshmi mjekësore për dhunën e pësuar refuzohet gjithashtu nga mjekët, të cilët nga ana e tyre lëshojnë një ekzaminim për njërin prej policëve, i cili kishte një të gërvishtur në dorë.

Dy ditë më vonë, komisionerët e Avokatit të Popullit mblodhën me shkrim dëshmitë e familjes. Avokati i Popullit i kërkoi informacion policisë për hetimin e çështjes, si dhe hetimin e faktit se pse familjes Alushi nuk i ishte marrë kallëzimi ndaj policisë.

Por ndërsa policia nuk u mor me këtë çështje, për familjen Alushi telashet sapo kishin filluar. Në prill 2014, Prokuroria e Fierit ngriti akuzë ndaj pesë personave se kishin penguar policinë. Gjyqtari Taulant Banushi i dënoi që të pestë në bazë të deklaratës së njërit prej policëve, pavarësisht se dy nga të akuzuarit deklaruan se nuk kishin qenë në vendngjarje dhe për rrjedhojë, nuk mund t’i kishin dhunuar policët.

Gjykata e Apelit në Vlorë la në fuqi vendimin e Gjykatës së Fierit ndërsa përcaktoi dënim me shërbim prove. Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë nuk gjetën asnjë problem me mënyrën se si dy shkallët e gjyqësorit e kishin trajtuar çështjen, ndërsa u desh të investohej Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut për të thënë se një shtet ka për detyrë të verifikojë pretendimet e qytetarëve për dhunë policore.

“Në lidhje me investigimin që u krye në kontekstin e hetimeve që sollën dënimin e aplikantëve, nuk ka shenja që këto hetime kanë ndjekur ndonjë linjë tjetër hetimore me përjashtim të akuzës se aplikantët kanë penguar oficerët e policisë,” vëren Gjykata e Strasburgut. “Për shembull, nuk pati përpjekje për të gjetur nëse aplikantët kanë pësuar dëmtime, dhe nëse po, nëse këto dëmtime janë shkaktuar nga dhuna e tepërt policore. Në mënyrë të ngjashme, nuk ka pasur hetime mbi ankesat e aplikantëve se ata janë përpjekur të marrin ekzaminime mjekësore për lëndimet e pësuara dhe të bëjnë kallëzim penal,” shkruhet më tej në vendim.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut thekson gjithashtu se “gjykatat vendëse dështuan të ndërmarrin ndonjë hap për të trajtuar pretendimet e aplikantëve për keqtrajtim apo për të hedhur dritë mbi rrethanat e lëndimeve të aplikantëve”.

Case of Balkasi and Others v. Albania by Eri Dervishi on Scribd

Përgatiti: E.D 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.