BOTA

Turqia bllokon faqet e internetit të Deutsche Welle-s dhe Zërit të Amerikës

07:51 - 02.07.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Autoriteti monitorues i mediave në Turqi ka bllokuar qasjen në shërbimet në gjuhën turke të medias amerikane Zëri i Amerikës dhe asaj gjermane, Deutsche Welle, duke nxitur kështu kritika për censurë të mediave.




Bordi Suprem i Radios dhe Televizionit vuri në zbatim një vendim të muajit shkurt ku u kërkohet mediave ndërkombëtare që transmetojnë përmbajtje televizive në rrjet, që të aplikojnë për licencë transmetimi. Të enjten në mbrëmje, një gjykatë në Ankara vendosi që të kufizojë qasjen ndaj faqeve të internetit të mediave shtetërore Deutsche Welle dhe të Zërit të Amerikës.

Në një deklaratë të publikuar të premten, Deutsche Welle shprehet nuk i kishte zbatuar kërkesat e licencimit, sepse kjo “do të kishte lejuar qeverinë turke të censuronte përmbajtjen editoriale”.

Drejtori i përgjithshëm Peter Limbourg tha se kjo i ishte sqaruar në mënyrë të detajuar bordit turk për televizionet dhe radiot (RTUK).

“Për shembull, mediave të lincesuara në Turqi i është kërkuar të fshijnë përmbajtje në rrjet që RTUK-ja i ka interpretuar si të papërshtatshme. Kjo është thjesht e papranueshme për një media të pavarur. DW do të ndërmarrë veprime ligjore ndaj bllokimit që ka hyrë në fuqi”, deklaroi Limbourg.

Ilhan Tasci, një anëtar i RTUK-së nga partia më e madhe opozitare turke (RPP) deklaroi se kundërshtonte vendimin për të bllokuar dy mediat ndërkombëtare. Bordi i kishte kërkuar gjykatës për të kufizuar eksesin, tha ai.

“Ja ku është liria e medias dhe demokracia e përparuar” shkroi në mënyrë sarkastike në Twitter.

Sindikata e Gazetarëve në Turqi e quajti vendimin si një përpjekje për të censuruar mediat. “Hiqni dorë nga ndalimi i çdo gjëjë që nuk pëlqeni, shoqëria turke kërkon liri”, shkruhet në Twitter.

Në shkurt RTUK-ja tha se kishte identifikuar tre faqe interneti që nuk kishin licence transmetimi, ku përfshihej edhe shërbimi turk i Euronews. Por sipas Euronews-it ata nuk transmetonin drejtpërdrejt në gjuhën turke dhe si rrjedhojë ishte e përjashtuar nga kërkesa për licencim.

Zëri i Amerikës gjithashtu tha në shkurt, se ndërkohë që licencimi për radio dhe televizion ishte një normë, interneti nuk ka një limit për transmetimin e sinjalit.

“E vetmja arsye për të kërkuar licence për shpërndarjen e lajmeve në internet është vendosja e censurës”, tha VOA në një deklaratë.

Turqia u cilësua si një vend “mediatikisht jo i lirë” për vitin 2021 në raportin vjetor të indeksit nga “Freedom House”. Mijëra adresa interneti janë bllokuar nga autoritetet turke.

Reporterët pa Kufij e renditën Turqinë në vend të 149-të nga 180 shtete në indeksin e Lirisë Botërore të Mediave, duke cituar se “po përdoren të gjitha mjetet e mundshme për të censuruar kritikët”, përfshi konfiskimi i kartave të mediave për gazetarët, censura online, padi dhe arrestime./ Evropa e Lirë


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.