AKTUALITET

Urgjenca e infektivit, Çomo: Kemi forma të rënda të hepatitit B, por shumë raste të reja me HIV tek 18-vjeçarët

17:24 - 12.07.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në urgjencën e spitalit infektiv në QSUT, është rritur numri i rasteve të reja  me HIV/AIDS.




Shefja e spitalit infektiv në QSUT, Najada Çomo në një intervistë të saj të parë për Gazetasi.al thotë se rastet e reja i përkasin moshës mbi 18 vjeç, kryesisht meshkuj, ku pjesa dërrmuese janë homoseksualë apo përdorues të drogave.

Sipas saj, shqetësuese paraqiten dhe rastet me forma të rënda të hepatit B, infeksion viral që transmetohet përmes rrugës seksuale, por fatmirësisht s’ka pasur humbje jete.

Shefja e spitalit infektiv, Najada Çomo thotë se, në spital përveç rasteve me Covid-19, po trajtohen dhe pacientët e prekur nga sëmundjet infektive. Të cilat janë me natyrë virale dhe bakteriale si leshmanjoza, bruceloza, apo sëmundjet që kanë si shkak infektimi brejtësit dhe vektorët apo dhe sëmundjet gastrointestinale.

Por sipas saj, numri i shtrimeve nuk ka ndryshuar në raport me vitet para pandemisë.

Doktoreshë Najada, si paraqitet situata në spitalin infektiv në këto ditë vere?

Në urgjencën multivalente në QSUT, kemi raste shtrimesh të të gjitha natyrave të sëmundjeve infektive, si bruceloza,  (sëmundja ngjitëse e shkaktuar nga gëlltitje e qumështit të pasterilizuar ose mishit të papjekur nga kafshët e infektuara),  leshmanjoza (një infeksion parazitar që ka si burim infeksioni qenin), Leptospirosis ( një sëmundje infektive që transmetohet nga brejtësit), meningjitet, hepatitet B dhe C ku dominante ka qenë B. Pra të gjitha sëmundjet infektive që qarkullojnë, jo vetëm në verë por gjatë gjithë vitit.

A ka pasur rritje të shtrimeve në raport me vitet para pandemisë?

Nuk ka ndryshuar numri i shtrimeve, madje mund të them se është më i ulët, por në pavion janë shtuar format e rënda me hepatit B. Rasti më i fundit është një 45-vjeçare e cila erdhi në gjendje të rëndë, por fatmirësisht nuk kemi pasur humbje jete.

Hepatitet B njihen si sëmundje që transmetohen përmes rrugëve seksuale por jo vetëm. Rrisku i infektimit janë dhe tatutë, apo përdorimi i shiringave nga një person te tjetri, tek përdoruesit e drogave me injeksion.

A ka pasur shtrime të rasteve me HIV në këtë periudhë?

Kjo është më shqetësuese, rritja e rasteve të reja me HIV dhe ulja e moshës së pacientëve.

Kemi 80 raste të reja deri më tani ku HIV është konstatuar dhe tek 18-vjeçarët. Pjesa dërrmuese e rasteve të reja i përket kategorisë së homoseksualëve, por ka dhe shumë të prekur tek kategoria heteroseksualë. Mund të them se mbizotëruese të rasteve janë meshkuj.

Në çfarë stadi të sëmundjes paraqiten?

Duhet të them se sidomos mosha e re vijnë në stadin e hershëm. Fatmirësisht kanë reaguar mirë ndaj terapisë. Kryesisht mosha 18-30 vjeç janë të informuar se mjekimi është efikas dhe pranojnë menjëherë të futen në skemë, por ka dhe raste kryesisht 45-70 vjeç që e kapin sëmundjen në stade të avancuara.

Si janë identifikuar këto raste, në spital apo me testime vullnetare?

Një pjesë janë identifikuar nga testet e gjakut të kryera këtu në spital, pasi janë paraqitur me probleme infeksionesh në mushkëri apo lëkurë. Pjesa tjetër referojnë se kanë kryer teste vullnetare. Por duhet theksuar se të gjithë pacientët nuk kanë përdorur masa mbrojtëse gjatë kryerjes së aktit seksual.

Si është shpërndarja e rasteve, ku janë të përqendruara?

Dominojnë rastet e moshave mbi 18-vjeç që jetojnë në zonat urbane, kryesisht Tirana dhe emigrantët e kthyer për pushime në atdhe. Por duhet thënë se virusi HIV prej vitesh po qarkullon brenda vendit. Gazeta Si


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.