LAJMI I FUNDIT

Ceremonia për hapjen e negociatave/ Luçiano Boçi: Rama nxori orkestrën për të festuar një datë që ka 10-vjet që e mban peng!

13:15 - 20.07.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boçi ka reaguar në lidhje me vendimin për hapjen e negociatave dhe ceremoninë e mbajtur prej kryeministrit Rama këtë të mërkurë, ku në ambientet e Kryeministrisë u ngrit krahas flamurit të Shqipërisë edhe ai i Bashkimit Evropian.




Përmes një deklarate për media nga selia blu, Boçi nënvizoi me ironi faktin se Rama festoi sot një datë që e kishte festuar tashmë 4 vite më parë, kur gënjeu sy më sy shqiptarët se negociatat ishin hapur.

Deputeti i PD thekson gjithashtu se shefi i qeverisë, i cili mban për 10 vite peng integrimin festoi sot me flamurin e BE-së, ndërkohë që vlerat e tij i shkel çdo ditë.

Deklaratë e Nënkryetarit të PD, Luçiano Boçi:

Edi Rama u kthye nga Brukseli dhe nxori orkestrën në rrugë për të festuar një datë që ka 10 vjet që e mban peng. Festoi siç e ka zakon, edhe para katër vjetësh, me dekorata, shampanjë dhe fishekzjarrë hapjen e negociatave duke i gënjyer shqiptarët sy për sy, se negociatat ishin hapur. Ngriti flamurin e BE ndërkohë që vlerat e saj i nëpërkëmb çdo ditë. Mjaft të kujtoni fyerjet në adresë të përfaqësuesve të vendeve europiane kur i kritikuan amnistinë fiskale. Foli si monist për opozitën dhe e konsideroi të ndarë, duke i mbyllur sytë para bashkimit të madh popullor dhe opozitar më 7 korrik. Partia Demokratike e ka përshëndetur dhe do ta mbështesë pa asnjë hezitim procesin e çeljes së negociatave, duke theksuar se ato i hapen Shqipërisë dhe prirjes europiane të vendit, jo qeverisë. Ne jemi partia e integrimit, e idesë së parë të tij, e nënshkrimit të MSA, paraqitjes së kërkesës për pranimin e Shqipërisë si vend anëtar ne BE, liberalizimit të vizave dhe marrjes së statusit të vendit kandidat nga Komisioni, të cilin e bllokoi Edi Rama. Jemi partia e anëtarësimit të plotë të vendit në NATO. Si të tillë dhe si shqiptarë, duam të ju bëjmë me dije disa teza të ekspertëve të marrëdhënieve ndërkombëtare në lidhje me atë që cilësohet si ‘çelje negociatash’ dhe procesin në vijim: Për të filluar negociatat, vendi kandidat duhet të plotësojë vetëm kriteret politike, të tjerat duhet të përmbushen gjatë fazës së negociatave; Nëse vendi nuk bën progres negociata ngecin në vend; Çdo vend anëtar mund të kundërshtojë mbyllje ose hapjen e kapitujve të anëtarësimit; Secili vend anëtar mund të pengojë avancimin e negociatave, nëse nuk përmbushen kriteret e kërkuara. Reagimi i Bundestagut gjerman dje ishte i qartë në këtë pikë. BE nuk do të jetë thjesht vëzhguese dhe këshilluese në proceset e brendshme nga sot e tutje. Kjo do të rrisë presionin mbi qeverinë dhe do t’ia bëjë të vështirë që të mbulojë të metat dhe hilet me propagandë. Të gjitha këto dëshmojnë se, për Edi Ramën procesi i negociatave është mision i pamundur. Partia Demokratike garanton shqiptarët se do jetë ajo lokomotivë e këtij procesi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.