AKTUALITET

Shtyhet gjyqi për vrasjen e 63-vjeçares në Berat, autori nuk paraqitet në seancë. Familjarët të irrituar: Bëri si i sëmurë për t’i dhënë kohë bashkëpunëtorit

17:56 - 27.07.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Vrasësi i 63-vjeçares Fatime Suli në fshatin Kozare, nuk është paraqitur sot në Gjykatën e Beratit, kur edhe ishte caktuar se do të zhvillohej seanca paraprake ndaj tij. Në momentet e fundit Marra ka bërë si i sëmurë në burg, duke pretenduar se kishte dhimbje, por ende nuk ka një vlerësim mjekësor që ta konfirmojë këtë.




Familjarët e viktimës janë irrituar mjaft pasi ata do të kërkonin sot në këtë seancë paraprake rikthimin e dosjes në Prokurorinë e Beratit për hetime të mëtejshme.

Avokati i familjes Suli, Ramiz Oboni ka deklaruar më herët se familjarët e të ndjerës janë të pakënaqur me hetimet pasi pretendojnë se bashkëpunëtor në vrasje me Fetah Marrën ka qenë edhe komshiu i tyre Izet Marra, për të cilin viktima u kishte thënë se e ngacmonte seksualisht prej muajsh.

I pranishëm në seancën paraprake ishte edhe i dyshuari i familjes Suli, Izet Marra, i cili ka kërkuar shtyrjen e seancës paraprake për mungesë të një avokati që ta përfaqësonte atë. Në këto kushte, seanca paraprake u shty për në datën 8 shtator. Sipas familjarëve, shtirja e Fetah Marrës si i sëmurë dhe mosparaqitja e tij në këtë seancë është bërë pikërisht për të siguruar e dhënë kohë Izet Marrës, të dyshuarit të familjes Suli si bashkëpunëtor në vrasje. Mësohet se nga ana e familjarëve do të kërkohej sot që kjo çështje të mos kalonte për gjykim, por të rihetohej, me pretendimin se hetimet janë të cekëta dhe për rrjedhojë organi i akuzës ka arritur në përfundimin e gabuar në lidhje me shtetasin Izet Marra.

Si ndodhi ngjarja 

63-vjeçarja Fatime Suli u vra mbrëmjen e 20 Janarit 2022 në tokën e saj në fshatin Kozare në Kuçovë. Ajo u gjet e vdekur në një kanal, gjysmë e zhveshur dhe e mbuluar me gjethe e rrozga. Familjarët e saj e kishin kërkuar prej disa orësh dhe pasi nuk e kishin gjetur kishin njoftuar për ndihmë policinë. Vetëm pas rreth 1 orë kërkimesh, gruaja u gjet në një kanal ,rreth 1 km larg banesës saj.

Vrasësi i saj Fetah Marra e ka pranuar tashmë krimin dhe ka deklaruar se viktima i kishte 60 mijë lekë borxh nga mbarështimi i tufës së bagëtive. Në dëshminë e tij, autori Marra ka thënë se kishte shkuar në arën e Fatimes për të kërkuar borxhin dhe se ishte i pirë kur e ka kapur për fyti dhe i ka vdekur ndër duar.

Viktima Fatime Suli kishte probleme të shëndetit mendor dhe trajtimi i saj me ilaçe ka vazhduar çdo ditë, deri në ditën që gjeti vdekjen.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.