LAJMI I FUNDIT

“Zbardhja e së vërtetës për zyrtarët e lartë, domosdoshmëri”- Ku ndryshojnë propozimet e socialistëve dhe demokratëve për dekomunistizimin

10:00 - 30.07.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

MARIGLEN KUME/ Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kërkoi deklasifikimin si sekrete shtetërore të gjithë dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit nga viti 1944 deri në 1991.




Deputeti Kreshnik Çollaku tha për shtypin se tashmë kanë kaluar 31 vite nga rënia e regjimit komunist dhe qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të mësojnë të vërtetën e diktaturës më të egër dhe më çnjerëzore në historinë e Shqipërisë dhe të Europës. Ai theksoi se pa ndriçimin e veprimtarisë së Sigurimit të Shtetit nuk mund të arrihet zbardhja e plotë e së vërtetës mbi regjimin komunist, sepse Sigurimi ishte struktura kryesore e atij shteti diktatorial.

“Në ato dokumente gjenden të dhëna dhe foto për fatin e mijëra shqiptarëve të pushkatuar, të gjymtuar, të torturuar, të dënuar dhe internuar në burgjet dhe kampet e regjimit komunist. Zbardhja e atyre dokumenteve do t’iu shërbejë këtyre personave, por edhe familjeve të tyre për të mësuar të vërtetën e dhimbshme të asaj që ishte jeta e tyre për 45 vite. Në këtë kuptim, ky projektligj realizon një të drejtë thelbësore për këta individë, që është e drejta për të mësuar të vërtetën e jetës dhe familjes së tyre deri në fund” tha zoti Çollaku. Historia 31- vjeçare postkomuniste, shtoi zoti Çollaku, provuar se shqiptarët nuk janë hakmarrës, nuk kërkojnë shpagim, nuk urrejnë, por kërkojnë të dinë të vërtetën e plotë të jetës së tye nën diktaturën komuniste.

NISMA E PS-SË

Më herët doli në një deklaratë për mediat edhe kryetarja e Komisionit të Ligjeve, deputetja e PS-së Klotilda Bushka. Ajo kërkoi që Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të ketë lirinë e verifikimit të pastërtisë së zyrtarëve dhe kandidatëve për deputetë dhe kryebashkiakë, sa herë që ka zgjedhje, edhe nëse ata kanë marrë më herët certifikata të pastërtisë së figurës. Nismat e Partisë Socialiste bazohen në propozimet e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) drejtuar kryetares së Kuvendit lidhur me pastërtinë e figurës së personave të zgjedhur apo të emëruar.

“Dy nismat tona ligjore konsistojnë në krijimin e shtratit ligjor për verifikimin e subjekteve pavarësisht nëse kanë ose jo një certifikatë të mëparshme pastërtie nën dritën e fakteve dhe së vërtetës si dhe për verifikimin e të gjitha subjekteve që zgjidhen apo emërohen në poste publike mbi pastërtinë e figurës së tyre. Zbardhja e së vërtetës për personat që ushtrojnë detyra shtetërore, mbi të gjitha për ata persona që kanë pasur dhe kanë detyra të larta shtetërore është një domosdoshmëri dhe një simbolikë e fuqishme për të dënuar krimet e të kaluarës por padyshim në funksion të së tashmes për krijimin e një shoqërie të bazuar në parimet dhe vlerat demokratike”, tha deputetja socialiste, Klotilda Bushka.

Ajo shtoi se në letrën e Autoritetit të Dosjeve drejtuar Kuvendit, përmenden figura të rëndësishme të shtetit të pajisur me certifikatën e pastërtisë së figurës, por në fakt rezultojnë në dokumentet e krijuara të ish-Sigurimit të Shtetit, ndaj duhen hequr pengesat dhe boshllëqet ligjore për një transparencë të plotë.

Panorama.al 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.