BOTA

“Bajerni ka injorantë, te Reali na kanë zili”/ Laporta nuk mbahet, sulme të ashpra ndaj bavarezëve dhe rivalëve të Madridit

18:42 - 31.07.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka folur për tema nga më të ndryshmet gjatë një interviste të dhënë që nga SHBA-ja ku ndodhet me ekipin për turneun amerikan. Ndryshe nga herët e tjera, numri një i katalanasve është treguar i drejtpërdrejtë dhe ka folur pa doreza për realitetin te Barcelona dhe rivalitetin me klubet e tjera në Europë.




Që nga Nju Jorku ai ka shprehur sërish dëshirën e tij për të kthyer Leo Mesin në “Camp Nou”, ndërsa ka sulmuar ashpër Bajernin e Mynihut dhe Realin e Madridit, duke i cilësuar si klube ziliqare dhe dashakeqës ndaj Barçës. Presidenti i Barçës ka folur edhe për merkaton e klubit si dhe për përplasjen mes klubit dhe mesfushorit Frenki de Jong në lidhje me pagën e tij.

 KUNDE

“Jemi shumë të kënaqur, sepse afrimi i tij tregon, është dëshmi se futbollistë të rinj të shkëlqyer dëshirojnë t’i bashkohen Barcelonës, edhe pse këtu janë të detyruar të sakrifikojnë diçka nga paga e tyre. Ksavi e meriton gjithë këtë sforco që po bëjmë dhe jam i bindur se po ndërtojmë një skuadër të shkëlqyer. Kur një lojtar këmbëngul të vijë te Barcelona edhe bisedimet me klubet e tjera thjeshtohen”.

AZPILIKUETA E ALONSO

“Mos më bëni të flas me emra të përveçëm. Ajo që mund të them është se dëshirojmë të afrojmë në skuadër dy lojtarë nga më të mirët në pozicionin e tyre në krahë. Dhe përderisa financat na e lejojnë, do të bëjmë gjithçka për të afruar ndonjë tjetër lojtar”

FRENKI DE JONG

“Ai dëshiron të qëndrojë dhe ne duam që ai të qëndrojë. Kjo është më e rëndësishmja. Ajo që është e qartë është se ne kemi një shkallë të re pagash dhe të gjithë lojtarët duhet të përshtaten në të. Ne po përpiqemi t’i bëjmë këta lojtarë të kuptojnë realitetin e klubit. Të gjithë duhet të bëjmë një sakrificë. Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur për ta bërë atë të qëndrojë dhe shpresojmë që lojtari gjithashtu do të bëjë gjithçka për të qëndruar”.

BAJERNI I MYNIHUT

“Kam vënë re njëfarë injorance dhe mungese informacioni për disa prej përfaqësuesve të Bajernit. Disa madje kanë shtrembëruar realitetin. E vërteta është se prej gati një viti ndodheshim në një situatë kritike financiare. Por mos harroni se jemi një klub me 122 vjet histori. Ndoshta të tjerët nuk ishin të vetëdijshëm për forcën dhe mbështetjen që ka ky klub. Nëse unë nuk ndërhyj në punët e tyre të brendshme si e menaxhojnë klubin e tyre, atëherë të heshtin dhe të mos fusin hundët në punët tona”.

REALI I MADRIDIT

“Vërej që disa prej rivalëve tanë nuk janë shumë të qetë me atë çfarë po bëjmë. Kjo tregon se po i bëjmë si duhet punët tona. Unë i respektoj të gjitha opinionet, por është e qartë se janë të shqetësuar. Ne do të jemi kompetitivë dhe këtë do ta tregojmë në fushë”.

LEO MESI

“Është e qartë se etapa e Leo Mesit te Barcelona nuk u mbyll sikurse të gjithë dëshironim dhe unë jam përgjegjësi kryesor. Gjithsesi, unë e shoh si një ndarje provizore dhe se do të bëj gjithçka për ta sjellë Mesin në Barcelonë kur të mbyllë kontratën me Paris SG-në. I kemi një borxh moral dhe do të doja që ta mbyllte karrierën duke veshur fanellën e Barçës e i duartrokitur nga i gjithë stadiumi”.

TEBAS

“Shpresojmë që shumë shpejt të mos kemi probleme me “Fair Play” Financiar dhe të jemi në gjendje të federojmë lojtarët tanë, megjithëse tashmë e dimë që La Liga ndonjëherë ka interpretime të ndryshme. Tashmë jemi me bilanc pozitiv këtë sezon pasi kemi arkëtuar 667 milionë për të kompensuar 600 milionë euro nga humbjet. Në çdo rast, nëse lind ndonjë problem, ne do ta zgjidhim, siç kemi bërë gjithmonë”.

MË TË MIRËT NË EUROPË

“Futbolli nuk pret. Kërkesat tona qëndrojnë më lart se shumë klube të tjera. Kam atë ndjesinë se po punojmë si duhet. Po ndërtojmë një skuadër të shkëlqyer, kjo edhe falë njohurive të Ksavit. Mesazhi që ne po u dërgojmë rivalëve tanë është shumë i qartë: ishim në koma, por jemi kthyer dhe do të konkurrojmë për çdo trofe”.

SHITJET

“Do të kisha zgjedhur të mos shisja asnjë nga asetet e klubit, por ndodheshim në një situatë ku nuk mund të veproja ndryshe. Tani kemi dalë nga spitali dhe gati për të vrapuar. Por pavarësisht çdo veprimi të bërë, shitja e aseteve të klubit nuk e rrezikon aspak formën juridike të Barcelonës”.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.