Kosova

ANALIZA/ Pasiguri, trazira e policë të vrarë! Përpjekjet e Kosovës për të kontrolluar Veriun

19:42 - 01.08.22 K.K
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Hajt shkoni në Veri”, është fraza e njohur që përdoret në Kosovë për t’ua treguar dobësinë e pushteteve dhe policisë. Këtë e kishte bërë edhe vetë Kryeministri Kurti teksa bisedonte me një polic në Prishtinë në protestat e tij të famshme.




kosova

 

Në realitet, Veriun, i pari e kishte provuar ish-Kryeministri Thaçi në vitin 2011, duke e humbur një polic në detyrë pas ndërhyrjes atje. Barra e kësaj pjese të Kosovës tashmë i ka rënë mbi supe Kryeministrit Kurti, i cili mbrëmë u përballë me mosbindjen e serbëve dhe trazira në prag konflikti.

Viti 2011: Vritet Enver Zymberi

Në vitin 2011, në fund të korrikut, me urdhër të ish-kryeministrit Hashim Thaçi, Njësia Speciale Operative nisi aksionin për vënien e kontrollit në dy pikat kufitare në veri.

Dy automjete të Njësisë Speciale që ishin nisur në pikat kufitare, rrugës kryesore, në rrethinë të fshatit Çabër të Zubin Potokut, hasen në barrikada prej rëre. Kur morën një rrugë dytësore, ata u penguan nga disa makina, prej të cilave kishin dalë rreth 10 persona.

Sipas përshkrimit të një aktakuze të ngritur nga një prokuror i Eulex-it, personat e armatosur pasi kishin refuzuar ta lironin rrugën, ishin ngjitur në malin pranë rrugës. Prej aty qëlluan me plumba automjetet e Policisë dhe u vra polici Enver Zymberi, i cili po drejtonte një prej mjeteve.

 

Një aksion si në filma – si u vra Enver Zymberi
Nga ceremonia e varrimit të policit Zymberi

 

Përleshjet me KFOR dhe Eulex

Pas vitit 2011, nuk pati ndërhyrje të Policisë së Kosovës në komunat e veriut, të banuara me shumicë serbe. Autoritetet ndërkombëtare të vendosura në këtë zonë, ishin përballur me sulme.

Në vitin 2012, pati përplasje në një aksion të KFOR-it për t’i hequr barrikadat që bllokonin qarkullimin me pjesën veriore. Pati të lënduar serbë dhe pjesëtarë të KFOR-it. Një vit më vonë, u krye një sulm i armatosur ndaj dy veturave të Eulex-it, të cilët ishin nisur për te pikëkalimi kufitar në Jarinjë. Aty u vra njëri prej doganierëve të Eulex-it.

Viti 2016: Ndërtimi i murit që ndante Mitrovicën në dysh

Mitrovica ishte ndarë që herët  me Urën e Ibrit si kufi në mes, por në vitin 2016 kjo ndarje u bë me një mur.

Autoritetet komunale të Mitrovicës Veriore kishin ndërtuar një mur, i cili u rrëzua në fillim të vitit 2017. Rrënimi i murit u bë me një marrëveshje me qeverinë qendrore të ndërmjetësuar nga ambasada amerikane në Prishtinë dhe zyra e Bashkimit Evropian.

Autoritetet lokale serbe thonin se muri ishte pjesë e një projekti për ndërtimin e një shëtitoreje dhe se nuk synonte ndarje të qytetit.

 

Rrezimi i murit në Mitrovicë /Foto: AP

 

Viti 2017: Ndalja e trenit rus

Tensione të mëdha kishte ngritur një tentativë e Beogradit për të futur në Kosovë një tren, që kishte mbishkrim “Kosova është Serbi” në 21 gjuhë të ndryshme. Qeveria e Kosovës, që atë kohë drejtohej nga Isa Mustafa, dha urdhër që të mos lejohej treni serb.

Policia e Kosovës nuk e lejoi që të hyjë në Kosovë një tren udhëtarësh dhe me zyrtarë të qeverisë së Serbisë që ishte nisur nga Beogradi me destinacion veriun e Kosovës.

Presidenti serb njoftoi publikun për dështimin e futjes së trenit rus dhe iu ankua BE-së për mosreagim. Treni u quajt “tren rus”, pasi thuhej se ishte dhurata e Rusisë për Serbinë.

 

Reagimet gjatë ditës për çështjen e trenit serb • KOHA
Treni serb /Foto e publikuar në media

 

Viti 2018: Arrestimi i Marko Gjuriçit në Veri

Në mars të vitit 2018, Marko Gjuriç, një nga zyrtarët më të lartë të Qeverisë serbe, që drejtonte një të ashtuquajtur “Zyrë për Kosovën”, hyri pa leje në veri të Kosovës.

Kosova dhe Serbia kishin nënshkruar një marrëveshje, sipas së cilës, zyrtarët shtetërorë të njëra-tjetrës do të kërkonin leje për të hyrë.

Gjuriç e kishte shkelur këtë marrëveshje, duke hyrë ilegalisht në Kosovë dhe për këtë ishte arrestuar e sjell në stacionin kryesor policor në Prishtinë.

Kjo ishte prej ngjarjeve që kishte nxitur reagime në Prishtinë dhe Beograd. Natyrisht, të përcjella edhe me reagimet e BE-së, e cila tradicionalisht përsërit thirrjet “të ndalen tensionet”.

 

Në veri të Mitrovicës arrestohet Marko Gjuriq dhe dëbohet nga Kosova | Ballkani | DW | 26.03.2018
Arrestimi i Gjuriqit, Prishtinë, 2018

 

Viti 2021: Dy javë tension dhe barrikada pas reciprocitetit

Në shtatorin e vitit 2021, Qeveria e Kosovës vendosi reciprocitet për targat makinave të regjistruara në Serbi, njësoj siç vepronte shteti serb për qytetarët që hynin me vetura me regjistrim të Kosovës.

Kryeministri Kurti kishte thënë se vendimi për reciprocitet në targa nuk ishte veprim kundër qytetarëve serbë të Kosovës.

“Si kryeministër ju siguroj se veprimet e ndërmarra sot nga organet kompetente për zbatimin e kësaj nuk janë drejtuar kundër qytetarëve serbë, nuk kanë për qëllim të cenojnë lëvizjen e lirë qytetarëve serbë apo të provokojnë çfarë do destabilizimi”.

Mirëpo deklarata e Kryeministrit nuk mjaftoi të mos tënsionohej situata.

Për 13 ditë radhazi, në veri u vendosën barrikada dhe u bllokua qarkullimi. Debati mes Kosovës dhe Serbisë u zhvendos në Bruksel për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët. Dikur u morën vesh që të vendosin të dyja palët stikers në emblemat e shteteve respektive në targa.

 

13 ditë bllokadë, çfarë ndodhi në veri gjatë këtyre ditëve dhe si u arrit marrëveshja? - Gazeta Express
Kamionet e vendosur si barrikadë, shtator, 2021

 

Tensionet pas aksioneve antikontrabandë ndër vite

Në vitin 2019, Policia e Kosovës kreu një aksion që përfshiu edhe veriun e Kosovës, e që rezultoi me arrestimin e 19 zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve që penguan aksionin.

Siç kishin njoftuar zyrtarët e Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe Policisë së Kosovës, aksioni policor, kishte për qëllim luftimin e krimit dhe kontrabandës. Gjatë aksionit policor, nga të shtënat me armë zjarri është plagosur një zyrtar policor dhe disa të tjerë ishin lënduar lehtë.

 

Aksioni në veri të Kosovës, 28 maj 2019
Aksioni në veri, maj, 2019

 

Në tetor të vitit 2021 luftimin e kontrabandës në disa komuna të Kosovës, përfshirë atë të Mitrovicës së Veriut. Me të arritur forcat e policisë në atë pjesë, serbët lokalë dolën në rrugë për të kundërshtuar aksionin.

“Përderisa në të gjitha rajonet tjera operacioni policor ka kaluar pa probleme, në Mitrovicë e Veriut grupe kriminale në mënyrë të organizuar janë grumbulluar, kanë krijuar bllokime të rrugëve me mjete të ndryshme transportuese, kanë përdorur bombola gazi, shok bomba, të shtëna me armë zjarri e granata dore, me qëllim të pengimit dhe sulmit ndaj zyrtarëve doganorë dhe policorë, të cilët kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës dhe shtohet se situata në pjesën veriore të Mitrovicës është qetësuar pas përfundimit të aksionit.

Në maj të këtij viti, Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës, Xhelal Sveçla ka thënë se nga një aksion i Policisë së Kosovës dhe Doganës së Kosovës është zbuluar një laborator i kultivimit të marihuanës, në të cilin janë gjetur mbi 10 mijë fije bimë të gatshme për t’u shitur ilegalisht në treg.

Këtë aksion, ndryshe prej aksioneve të tjera antikontrabandë të kryera nga Policia e Kosovës, çuditërisht, e përkrahi Lista Serbe.

Përgjatë viteve të fundit, janë kryer edhe disa aksione të tjera kundër kontrabandës, të cilat kanë hasur në rezistencë dhe orkestrim të serbëve lokalë, si dhe reagime të zyrtarëve të lartë të Serbisë dhe zyrtarvëve lokalë serbë në Kosovë. / Gazeta Express


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.