Speciale

Në Lungomare të Vlorës ushtoi kënga labe, një thesar i çmuar i Labërisë

08:38 - 05.08.22 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Prof. Dr. Ago Nezha




Polifonia është magjia e Labërisë
Për dy ditë rresht, në datat 29 dhe 30 Korrik 2022, në Lungomare të Vlorës, u zhvillua festivali polifonik ku ushtoi kënga labe në edicionin e saj të parë me pjesmarrien e 30 grupeve, me mbi 300 artistë nga të gjitha bashkitë e trevës së Labërisë. Përfaqësimi fillonte nga Gjirokastra, Delvina, Tepelena, Saranda, me epiqendër Vlorën, e më gjërë, duke përfshirë dhe Mallakastrën e Cakranin. Festivali polifonik shpërndahu “nektarin” e zërave melodioz të këngëtarëve virtuoz të fshatrave të Labërisë, duke marrë duartrokitjet e mijëra pjesëmarrësve që e ndoqën këtë spektakël, dukë qëndruar shumica në këmbë për më shumë se dy orë, pa e ndierë lodhjen. Kënga labe është melhemi që prek ndjenjat, shpirtin dhe evokon traditën shekullore të një etnie të caktuar, që shquhet për pathosin patriotik. Moderatorët virtuoz babë e bijë Gjeçi dhe bën një prezantim dinjitoz të grupeve sipas një ndarje racionale për dy ditët në konkurim.


Këtë sensibilitet, për të zgjuar traditën e festivalit famos të Gjirokastrës në përmasa më të vogla, nuk e pati shteti, as bashkitë e krahinës së Labërisë, apo komuniteti i biznesit, por e pati një individ, deputeti Vullnet Sinaj, biri i fshatit Armen, labi me ferment të ndieshëm patriotik. Ishte Vullneti që e ideoi, investoi, e realizoi dhe kontribuoi me të gjithë arsenalin e tij intelektual, njerëzor, e material. Duke qënë një festival i këngës labe, Vullneti organizimin e këtij eventi ja besoi Shoqatës Atdhetare Kulturore Labëria” Nderi i Kombit” Dega Vlorë, që pati një angazhim maksimal me në krye kryetarin e degës Ahmet Dema. Por lideri, që ndjehu impenjimin dhe shqetësimin permanent deri në finalizimin me sukses të kësaj feste mbreslënëse, ishte vetë Vullneti dhe Ahmeti. Këto veprimtari janë madhore dhe kërkojnë një staf të madh e të specializuar për t’u realizuar. Nisma e një individi për të organizuar një aktivitet madhor, është një risi që hyn në histori dhe meriton të përgëzohet e vlerësohet maksimalisht, pa hyrë në meskinitete e banalitete që nuk mungojnë të shfaqen rëndomtë në egoizmin krahinor. Ka hapësirë për të gjithë të afirmohen. Kushdo që do të kontribuojë, të bëjë një gjë më të mirë, e pastaj të kritikojë, e mohojë paraardhësit e vetë.
Shoqata Kulturore Atëdhetare “Labëria,”në misionin e saj historik e ka si objekt të punës së saj: të ruaj, transmetojë, e përjetësoj traditat, kulturën, e vecanërisht polifoninë Labe, që është një thesar i vyer i trevës së Labërisë.

Grupet e këngëve dhe valleve të fshatrave të Labërisë përbëjnë një mozaik vlerash që duhet ruajtur me vecoritë dhe origjinalitetin e tyre, pa bërë ndërhyrje, shartime e modifikime në emër të modernizmit, që cenojnë identitetitin dhe origjinalitetin e tyre. Kënga himariote, me vargjet e Meço Mukës dhe ajo piluriote me vargjet brilante të Lefter Cipës me zërin melodios të këngëtarëve të këtyre grupeve, karakteristik që kur i dëgjon, të përplasen në vesh si dallgët e detit, dhe grupi i Dukatit që duket sikur këndojnë mbi një qilim që lundron mbi valë, vijnë si fllad në shpirtin artistik të popullit tonë. Kënga treshe e Dukatit, unikale në llojin e vet, një perlë e këngës popullore sic e quante profesori i folklorit, i madhi Beniamin Kruta, nuk mund të modifikohet e tjetërsohet për hobinë e ndokujt që kërkon të duket novator, edhe pse nuk po del më në skenat e festivalit. Të njëjtën gjë mund të themi për këngët e lumit të Vlorës, të Tepelenës, Gjirokastrës, e Delvinës, që tashme janë bërë emblema të polifonisë Labe. Ndonjë tendencë për ta emërtuar polifoninë me parashtesa apo prapashtesa të stisura, si isopolifonia apo polifolku, s’bën gjë tjetër veç deformon origjinalitetin e etimologjisë të fjalës së popullit dhe e largon atë nga tradita popullore. Ta ruajmë me fanatizëm trashëgiminë tonë kulturore duke i bërë barrikatë çdo invazioni pseudokulturor që kërkon të depërtojë legalisht apo ilegalisht në kulturën popullore. Shoqatat e degëve në rrethe, duhet të përballen me baticat e zbaticat e agresionit të rrymave diversive, që duan ta degjenerojnë folklorin dhe polifoninë. Festvali i këngës labe, është një festë e polifonisë, që duhet të gjejë përkrahjen e strukturave shtetërore e shoqërore, vecanërisht të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve, për të ruajtur dhe mbajtur gjallë këtë trashëgimi kulturore, që për mungesë vëmëndje të institucioneve shtetërore, ka filluar të bjerrë. Jetojmë në një kohë globale, që ka një tendencë agresive për të asimiluar kulturat nacionale në emër të modernizmit dhe globalizmit dhe ky ndikim është i pashmangshëm edhe në vendin tonë. Vecanërisht emigrimi,kryesisht i rinisë, futja e kulturave integrale të vendeve ku punojnë e jetojnë, largësia nga mjedisi lab, është një premisë për të humbur shijen dhe ndjesitë e këngës popullore. Ndaj roli i degëve të Shoqatave të Labërisë në rrethe, si institucione shpirtërore, shoqërore, vullnetare, kanë një mision fisnik, që nuk fillon e mbaron te një festival apo veprimtari, që pamëdyshje duhet përgëzuar, por duhet të ruaj vazhdimësinë e një pune gjithëpërfshirëse me grupet e afirmuara të polifonisë dhe vecanërisht me ato që tentojnë të dalin nga shpërgenjët e lehonisë artistike. Eshtë për të ardhur keq që shteti apo bizneset nuk kursehen të sponsorizojnë Miset e Botës e të Evropës dhe veprimtari të shartuara “ OMGJ” me grupe të rajoneve për rreth, por janë shumë të kursyer apo të papërfillshëm për të investuar e për të ruajtur, përhapur e inkurajuar grupet polifonike të gjithë trevave të Shqipërisë. Identiteti ynë do të jetë ajo çka është kombëtare, tradicionale, popullore, që vjen e papërlyer nga rrymat e shumta moderniste. Demokracia është të shijosh atë që pëlqen, por jo të mohosh atë që është tradicionale, kombëtare.
Çfarë tregoi dhe kush përfitoi nga festivali i këngës labe
Festivali i këngës labe në Vlorë më 30 grupe pjesëmarrëse, tregoi se ka një pasuri të madhe artistike që duhet vlerësuar, inkurajuar, stimuluar dhe finacuar për t’i mbajtur gjallë. Ku ka sasi, ka dhe cilësi. Kjo dukuri spikati te konkurimi i grupeve polifonike të fshatrave, që jo rrallë rivalizonin me njëri tjetrin dhe që juria në disa raste e kishte të vështirë të diferenconte në vlerësimin e çmimeve. Sigurisht që nuk janë çmimet që vulosin vlerën e një grupi apo një artisti, por klasi artistik dhe shija që le ai te spektatori. Por në vështrimin tim për shumësinë e grupeve dhe artistëve që vërshuan në skenë, ishte e nevojshme të kishte një çmim të parë, dy të dytë dhe tre të tretë. Dikush do përgjigjet se rëndohet invesitori, se nuk është shteti, por një individ. Mund të ulej vlera e çmimit dhe të shtohej numuri, se çmimi përfaqëson një simbolikë vlerash artistike dhe jo materiale. Por kjo ishte çështje përvoje që nuk ja zbeh vlerat festivalit. Në këtë festival u nderua me çmim të parë grupi i Pilurit, me çmim të dytë Sevasteri dhe me çmim të tretë Velça. Paraqitje të mirë bënë dhe grupet e fshatrave Vranisht, Dushkarak, Shqiponjat e Tërbaçit, Jehona Labe, etj. Një vlerë e shtuar e këtij festivali ishin zërat e rinj, tepër premtues për vazhdimësinë e këngës labe. Zërat drithërues si ai i vajzës 11 vjeçare Kejti Hitaj nga Kuçi, Endri Hodaj nga Tërbaçi, Erges Limaj nga Vranishti, Johana Baraj nga Kuçi dhe vogëlushes nga Dushkaraku, do mbeten gjatë në kujtesën e publikut vlonjat.
Përvoja kombëtare ka tregua se nuk ka pasur festival që nuk është përfolur dhe s’ka pasur qejfmbetje. Juria ishte tepër profesioniste duke filluar nga “Mjeshtri i Madh” Zhani Ciko,Profesore etnografia Afërdita Onuzi, etnograf Fitim Caushi, muzikanti “Mjeshtër i Madh” Ermir Dizdari dhe Prof. Dr. Bardhosh Gaçe. Subjektivizmi është relativ, si te gjykuesit dhe te pretenduesit. Por është e pa drejtë që të sillemi me ekstremizma, e cinizma, ku mohojmë, injorojmë, dhe anatemojmë kontributorët e kësaj veprimtarie, që meritojnë vetëm lëvdata për këtë festë popullore që na dhuruan.
E veçanta e këtij festivali është se nuk është organizator shteti, Ministria e Kulturës, që ka potenciale të mëdha njerëzore dhe materiale dhe është detyrë funksionale e saj. Nuk janë bashkitë e rretheve dhe as komuniteti i biznesit të krahinës së Labërisë, që është i fuqishëm për të investuar një festival gjigand, por është një individ,si Vullnet Sinaj. Një deputet, që ka ndjeshmërinë dhe dashurinë për polifoninë dhe sakrifikon dhe investon pa interes nga pasuria e tij familjare. Sikur të ndodhte që në “kopenë” e 140 deputetëve, të kishte disa të tillë, parlamenti do ishte i motivuar. Nuk është rastësi, që ndodh kjo risi, duke investuar në polifoni. Ai, ka qënë pranë elektoratit të vetë në gëzime dhe fatkeqësi duke ju ndodhur pranë jo vetëm shpirtërisht por dhe materialisht. E kisha shqetësim thotë Vullneti, që të organizoja një takim me grupet e këngës labe, se po e shikoj që ka filluar të bjerrë për faktorë natyror, shoqëror, material dhe institucional. Ministria e Kulturës harxhon fonde për qoka, por nuk kujtohet të investojë për polifoninë e çiftelinë, që janë pasuri kombëtare dhe kanë të bëjnë me identitetin e kombit. Edhe bashkitë në rrethe kanë mundësi të investojnë për aktivitete me grupet polifonike për të gjallëruar jetën kulturore dhe për të mbajtur gjallë polifoninë. Bashkia e Vlorës me Kryetar Dritan Lelin ka treguar vëmëndje në këtë aspekt, gjë që e tregoi edhe në këtë festival duke krijuar kushte për mjedisin ku performuan grupet labe.
Zëri i këtij festivali është edhe një mesazh zgjimi për ata deputet që vegjetojnë katër vjet në parlament dhe vjen fundi i mandatit dhe s’kanë identitet.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.