AKTUALITET

Rita Ora viziton “Shtëpinë e Ngjyrave” në Tiranë: E nderuar që jam këtu. Veliaj: Inkurajojmë të gjithë ata që u shërbejnë fëmijëve në nevojë

16:58 - 05.09.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ylli i muzikës që jeton në Mbretërinë e Bashkuar, Rita Ora, e lindur në Kosovë dhe ambasadore e UNICEF UK, vizitoi sot “Shtëpinë e Ngjyrave”, qendrën komunitare në Tiranë, që ofron të gjithë gamën e shërbimeve për fëmijët dhe familjet e tyre, duke përfshirë këtu edhe strehën e emergjencave.




“Shtëpia e Ngjyrave” ofron përkujdesjen dhe një mjedis të sigurt për fëmijët, për të pasur akses në shërbimet e mbrojtjes, arsimimit dhe të argëtimit.

Që nga viti 2011, qendra e mbështetur nga UNICEF dhe Bashkia e Tiranës dhe menaxhuar nga Nisma ARSIS, ka ofruar shërbime mbështetëse për rreth 4 000 fëmijë të prekur nga përjashtimi social, dhuna në familje, varfëria, migrimi, shfrytëzimi dhe trafikimi i qenieve njerëzore.

Kjo qendër komunitare është kthyer në një pikë referimi për komunitetet dhe autoritetet përkatëse, duke krijuar një sërë praktikash multidisiplinare për integrimin më të mirë të fëmijëve në nevojë që në moshë të re.

Të gjithë përfituesit e qendrës po ndiqnin aktivitetet e tyre të përditshme, kur Rita Ora vizitoi secilin prej tyre. Ajo kaloi kohë me fëmijët duke luajtur, kërcyer dhe pikturuar së bashku. Gjithashtu, ajo u përpoq të ndihmonte stafin e kuzhinës për të përgatitur një byrek.

“Jam vërtet e nderuar që jam këtu dhe hedh dritë mbi punën e pabesueshme që po bën UNICEF në Shqipëri. Më pëlqeu të kaloja kohë me fëmijët që takova në Shtëpinë e Ngjyrave. Eksperienca të tilla, ku mund të shoh personalisht sesi UNICEF po mbështet fëmijët kudo, theksojnë punën e pabesueshme dhe të paçmueshme që po bëhet”, tha Rita Ora.

Gjatë vizitës, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Përfaqësuesi i UNICEF-it për Shqipërinë, Roberto de Bernardi, Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Fiona McCluney, dhe zv.Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Mia Marzouk ndanë mesazhet e tyre kryesore duke u shprehur se çdo fëmijë duhet të ketë ketë një fëmijëri të lumtur.

“Jam shumë i lumtur që Rita ishte pjesë e një vizite shumë të veçantë, për të parë punën e jashtëzakonshme që bëhet këtu nga stafi i mrekullueshëm i Nismës ARSIS me fëmijët në situatë rruge. Kur bashkëpunojmë të gjithë bashkë, Ambasada e Britanisë në Tiranë, UNICEF dhe i gjithë rrjeti i organizatave tona të shkëlqyera, që e kryejnë detyrën e tyre njësoj si organizatat në perëndim, kur vjen puna për të menaxhuar një rast në situatë rruge apo dhunë në familje, është një lajm i mirë, ndaj më vjen mirë që këtu kemi krijuar një ishull ekselence. Sigurisht, ka çështje të vështira, por ku ka vullnet ka edhe zgjidhje! Fakti që Rita është këtu, për të parë punën që bëhet këtu, na jep shumë kurajë”, tha Veliaj.

Vizita u mbyll me aktivitetin “Muri i ngjyrave dhe dritës” ku Rita Ora, fëmijët dhe të gjithë pjesëmarrësit lanë gjurmët e duarve dhe firmat e tyre në një mur të bardhë, në mbështetje të shërbimeve të mbrojtjes së fëmijëve dhe luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore e punës së detyrueshme të fëmijëve.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.